Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Sunday, 17 Oct 2021
Saturday, 08 October 2011 20:51

Lirikat e burgut

Nga Gjergj Peçi

Kronikë


Mëngjeset surrogate i pij herët
Nuk ndjej as pikn e shijes së gjallërisë
Lexoj ca rreshta sysh që shprehen vrerët
Dhe paf e puf shtëllungat e mërzisë.
Në drekë, si zakonisht, mbush tasn e bindjes
Me një turli nënshtrimi e neverie
E bëj përshesh idenë e ripërtëritjes
Dhe shuaj hë për hë çdo lloj urie.
Përmendem muzgut dhe më grryen barku
Por shpejt mbllaçit me vete ca kujtime
Që prapë më vijnë në fyt e dot s i zmbraps.
Mbështillem në harrim e më vlon gjaku
I shtrij gjymtyrët paq mbi dëshirime
Dhe llamba e ëndrrave tërë natën llaps.


Pleqërishte
Kur pashë rrethepërqark kaq sopa e gropa
Kaq trungje e rrënjë, kaq ferra e shkurre
Që s linin të dalloja ç kish më tutje
Dhe më shtrëngonin t ecja këmbadoras -
Kur pashë kaq myk, shpërbërje dhe terrinë -
S besova kurrë se xhungla bëhet hi
M është dukur qysh kaherë një çmenduri
Të hedhësh barrn e botës përmbi shpinë.
Veçse sa kohë që stina ish e ngrohtë
E gjaku qarkulloi lirisht ndër deje
Përmbysa trungje e ngrita stiva dhimbjesh.
Për vete e bëra, dhe s qe mund i kotë
Në dimër kaq të rreptë me ngrica e heje
Të kem ca zjarr te ky azil kujtimesh.

Eksperiment
Merr blunë e prite në katrorë të vegjël
Ndërsa të bardhën në katrorë të mëdhenj
Trazoje fort të kuqen me të zezën
S ka gjë se nëpër duar ngelet shenjë.
Merr pesë të bardhë e një bojë plumbi
Ngjit blutë në një të bardhë, veç blutë të puqen
Vëri të gjashtë në trajtën e një kubi
Dhe rras aty të zezën me të kuqen.
Duro, gjersa të bardhët të hanë zgjyrë
Dhe mijëra herë të jenë ringjallur blutë
Dhe nxirr ç ke futur, ndoshta je me fat.
Flakëroje në mes turmave pa ngjyrë
Po u përpi e t humbi sysh, të lumtë
Dhe fute prapë po s pati rezultat.

Xhuxhët
Kur shfryj e shfryj pafund, kur nëm pa anë
Ca ëndrra xhuxhësh që një grosh s e vlejnë
Më kqyrin ligsht, skërmiten, më urrejnë
Sa trembem dhe më duken si viganë.
Kur flas i qetë, me qesëndi shafran
Për gjithë kotësitë vigane që ushqejnë
S ma varin, shpinën vring ma kthejnë
Dhe vetja xhuxh e qenie e kotë më ngjan.
Po kur në fund heq dorë, e kur s bëj zë
Sido që shuk, i kruspulluar tejet
Çudi, nuk ndihem xhuxh, pra si më parë.
Nuk shoh viganë si n ëndrra, s trembem më
Por edhe xhuxhët drojë nuk kanë prej meje
Dhe kur tek - tuk shpërthej, thonë është i marrë.

Liqeni
Me pamje mjegullore mbi syprinë
Më grishi agut një liqen pa bujë
T ia prishja me ca zaje plogështinë
Në një mori gazmore rrathësh n ujë
Mesditës, valë lozake ngriti era
Dhe rrathët, tash të thyer e mes shkumës
E shprehën gazin me shkëlqime t egra
Që në një grimë u shua krejt prej trumës.
Syprina sikur u përfshi nga zjarret
Por s hodha blloqe shkëmbi flakë për flakë
Dhe nuk e di çfarë zhyta për së brendi.
Muzgut, në fashë, vijova t hidhja zajet
Ca rrathë të zymtë u hoqën tutje zharg
Pastaj, në terr, nuk pashë më asgjësendi.

Të ftohtët
Ti thua se mes pyllit has çeltira
Se përfund shkrepash shtrihet një luginë
Se vende - vende është e butë rrëpira
Se nuk të prin çdo shteg për në greminë.
Dhe thua se dhe shqota fut paqtimin
Se edhe nata e zezë dhe e ftohtë pjell zjarret
Se bora ruan poshtë një vlagë për zgjimin
Se terr e akull krejt kanë vetëm varret.
Por pak, shumë pak më ngroh, mos fol më mirë
Me heshtje dhe dyshim rroj më i qetë
Sido që s ndjej të ngrohtë aspak nga k to
Kur sheh që nuk besoj, ta dish kam ngrirë
Po dhe kur shkrij - k të kurrë nuk e bëj vetë
Veç rrjedha m heq, a nuk të rrëqeth ty kjo?


Dielli
Pas zhdavaritjes zvarrë të një vagëllime
Dhe shkrydhjeve plot përtaci nga qielli
Hedh një shikim të humbur prej çupëline
Por që premton e ngjall shumë shpresa - dielli.
Më pas vështron i sigurt, me ngulmim
S i shkon më rrezja pjerrët, nuk ka tutë
Si syri i vashës ndrin e digjet shqim
Shpërgjum çdo vrull të fjetur, joshën fut.
Unë vetëm pres dhe dielli nis e flashket
Si sy lëneshe shfaq tani trishtimin
Dhe buzët shkrumb, dhe vrullet hedhur n erë.
Dhe prapë po k shtu dhe ja pra k shtu çdo herë
Një rrojë krejt vegimtare, pa të tashme
Ku ëndrra kacafytet me kujtimin