Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Sunday, 17 Oct 2021
Saturday, 08 October 2011 20:59

Duar nëpër kohë

E mbaj mend veten ashtu, fëmijë, të ngërthyer mes krenarisë së tim eti dhe rrëmujës zhauritëse të stacionit. Isha një ndër fëmijët e vegjël të kësaj bote që shtrëngonte fort një dorë të ngrohtë. Asgjë s kishte rëndësi veç asaj dore të madhe, të

mrekullueshme, të ngrohtë që më udhëhiqte apo më mirë që më tërhiqte. Ke një ndjesi shumë të këndëshme kur të tërheq dikush përdore, pasi kështu ke mundësi të shikosh majtas, djathtas, lart, poshtë, para, prapa. Mjafton të lëvizësh këmbët dhe të ndjesh vazhdimisht shtrëngimin e dorës së ngrohtë. Të duket vetja sikur je futur në ato labirinthet e frikshme të parkut të lojërave mes përplasjesh, klithmash, drithmash, piskamash, por me parandjenjën e sigurt se pas pak çastesh kjo do të mbarojë. Nuk ka gjë më të këndshme sesa një dorë ati në një stacion treni që ngjet më shumë me një park zoologjik.

Vagoni i klasit të tretë ishte cyt me sy njerëzorë, një pjesë dashamirës dhe të tjerë mosbesues. E tërë shtëpia ishte amballazhuar në ca arka konservash dhe në ca thasë me vija të kuqe, të bardha e blu të lidhur me litarë. Litarët kishin sëpaku nja 100 nyje të cilat, kuptohej, nuk do të zgjidheshin ndonjëherë, por veç do priteshin. Gjatë njëzet orëve të udhëtimit fjeta në prehërin e nënës. Herë pas here hapja sytë dhe shihja burrat që pinin duhan e bisedonin. Po shkojmë në Austri. Kam një kushëri atje. Kurse ne do të qëndrojmë në Itali nja gjashtë muaj dhe pastaj do të shkojmë në Amerikë, dëgjova të thoshte im atë. Pra, po shkoja në Amerikë, por më parë do të qëndronim në Itali.