Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Sunday, 17 Oct 2021
Saturday, 08 October 2011 21:03

Kalvari i mundimeve

Nga Perikli Jorgoni

 

1.
Si një ëndërr fluturake që nuk ndal në asnjë breg,
Na vërtitet jetë e mjerë mbi një lundër pa direk.
Fryn shirok a fllad i lehtë, dielli djeg a ngrin kallkan,
Sipër ujit që ngre dallgë vijmë qark pa një liman.
Shkrep nga retë e det i kripur gjëmë shkulmesh na përplas
Përmbi bash e mbi kuvertë me tërbim e me maraz.
Skuqet furrë e afsh i nxehtë na godet si me kamzhik
Përmbi trupin e munduar, sa dhe ashtin e zhurit.
Bën të zbardhë, por gjëkundi fjollë drite nuk u pa,
Lukuni e ujqërve patrullon çdo kep e vah!

2.
Mjaft ndër hone e leshterikë flenë gjumë e s ngrihen më,
Një rrëke a një thëllëzë dhemshur i vajton nën zë,
Mjaft u kalbën nëpër burgje, në kaush e lagështi,
Mjaft u thinjën nëpër rrema pa një mall e dashuri,
Mjaft u mpakën e u tkurrën edhe mbetën krejt ulok,
Mjaft me sy të agut dritë s do të mund të shohin dot,
Mjaft na ikën që të mitur porsi vesë e luleve,
Mjaft i theu krrusmë e rëndë si me pykë e vare!


3.
Na gjakosi hallkë e ndryshkur, batërdia nëpër vesh
Na gjëmon si bubullimë, kur nis kris plot turr mes resh,
Dhe nga hallet e mundimet, nga kjo jetë pa një gaz,
Shpirt i rrejtur e i munduar ndizet flakë apo plas.
A na plas keq nga farmaku që gëlltiti sa u ngop,
A na ndizet zjarr e flakë si vullkani plotpërplot,
Si vullkan që brumbullon plot me llavë e magmë prush,
Që çdo ças mund të shpërthejë mbi çdo ledh edhe këpushë!

 


4.
Nuk na rren më me gënjeshtra, o nostrom, o papagall,
Se pas pak pas atij shpati shtrihet një luadh i madh,
Ku do prehemi e trupi s do na ndiej më gjemb a vaj,
Ku sejcilit lumturia do t i falë nga rrisku i saj!
Po ti qeset plot i mbushe nga çdo mund e pikë lot
Dhe sepete e hambarë me elmaz e ar ke plot.
Soji yt s e njohu mundin, ndër pallate plot shkëlqim
U shkon jeta si përrallë pa një hall a një ankim.
Plot zagarë e xhandarë muret ruajnë përqark,
Të mos lypë liparaku, të mos shohë pak më larg,
Se pastaj në mes kubeve plot shandanë e mermer
Mund t i teket të bërtasë nga ky zgjim plot mllef e tmerr,
Edhe gazi i orgjive që nuk njohu cak kërkund,
Të tromakset e të zbehet nga kjo dhimbje e pafund!


5.
Nuk e tremb as plumb i nxehtë, as galerat plot llahtar,
Kë u pa në sy me vdekjen e hodh valle nën litar,
Kë luftoi edhe s u thye, s mori vrikthi rrap e shpat,
Kë u ngjit mbi kreshta e ckërka e lumenjtë i vu në lak,
Kë në lukth të dheut zbriti për qymyr e mineral,
Të mos ndalej rrjedhë e jetës as në fushë e as në mal,
Se besoi si fëmija se një ditë krejt njëlloj
Do të rronim që të gjithë pa zengjinë e pa vargonj,
Pa këtë zhgan kaq fort të ndyrë që të ndjek, të rri për krah,
Që tund vithet e përdridhet plot përulje e hosana,
Pa këta kusarë mumje, pa këta çakej pa skrupull,
Që kujtdo mund t ia këpusin kokën lehtë si një turtull!


6.
Po ju koha ju ka ikur, më s na mbani në kular
Letra shqipe  80
Përpjekja
Porsi tufë bagëtie, nën kërbaç e nën hanxhar,
Për një krodhe e ca lakra, një qymez edhe ca hime,
Që t iu mbajmë kokëulur përmbi zverk a majë shpine!


7.
Për ju dita s bën më dritë, prehje nata më s ju fal,
Nga vidhisja që ka nisur mëndja seç ju vjen vërdall!
Bëni që të qeshni pakëz se nuk mundet kurrsesi
Të pranoni para turmës se po mbytet çdo gjemi,
Se kjo koha juaj vajti, se kaq llak e kaq mashtrim
S mundën gjatë që të fshihnin ç llum që kish nën çdo ngjyrim!
Ç llum që kish e ç pellgje lotësh, ç dhimbje shpirti e ç hata,
Teksa në Olimp Zeusi thurte plane të mëdha,
Sesi botën të shpëtonte, si të ngulte mu në hu
Çdo zuzar e firaun, që s i ulej gjer në gju;
Çdo shurdhak edhe guak, çdo gjysmak edhe sylesh,
Që nuk donin të kuptonin ç shpatë mbante mu në brez,
Shpatë që si zjarr rrufeje që godet mbi shkëmb e lis,
Sulej mbi çdo kokëkrisur që nuk strukej nën murriz,
Që guxonte edhe gjuhës nuk i vinte fare fre,
Dhe harronte lumëziu, se një Zot veç ka mbi dhé!
Veç një Zot e ka të shkruar në qitap me kallamar,
Sesa duhet të jetojë çdo njeri e çdo gomar,
Çdo zhapi edhe laraskë, çdo bilbil edhe skifter,
Çdo merluc a ballëgjërë, madje dhe çdo grimcë rërë!
Zbardhni dhëmbët që të qeshni, mos vërejmë si në shpirt
Ç dramë luan shtjellë e kohës, që ju ngrys e ju sfilit!
Por kjo qeshje kukumjaçkash fsheh përbrenda helm e vrer,
Që ju trand e ju prish gjumin dhe nën shtyllat krejt mermer,
Dhe nën harqe e kangjella, dhe nën bli e trëndafil
Të dërrmon e të mpiks gjakun, sa të ngjan se as bilbil,
As mëllenjë e kanarinë, as trishtil e qukapik
S mbet nën drurët plot me hije, se një ferr i zi mitik
Plot me korba e laraska trumba - trumba vjen përreth
Në çdo qoshk e çdo zgërbonjë, nën çdo degë e nën çdo gjeth,
Dynden e kërrasin egër, çirren, grinden, për llahtar,
Gjithë ditën që fal Dheu si në netët plot acar!


8.
Se kur shpirtin e ther dhimbja çdo gjë duket keq më keq,
Qiell i kthjellë e i kulluar një kamare ngjan, për dreq,
Sytë s t i lëmon dot drita, nata trupin s ta qeton,
Bri i erës që veç fryn nervat keqas t i mundon.
Veç tani ju do kuptoni se ç tallaze jeta ka,
Se në vorbullat e saja s ka veç valle e shaka,
S ka veç bredhje e orkestra, s ka veç puthje e konjak,
S ka veç pirgje me biftekë e fazanë varg e varg,
Por dhe zhytje nëpër dete e ndër pellgje për peshkim,
Ku të fshik thëllim i ftohtë mu në sy me fishkëllim,
Por dhe turne nëpër puse poshtë dheut baltë e shkrumb,
Teksa mardh nga lagështia që çurkon mbi gjoks e sup,
Por dhe shtytje nëpër dyer, ku askush nuk të mban vesh
Ç hall të ngriti që nga shtresat përmes natës plot rrebesh,
Por dhe pritje ndër spitale pa mjekim e pa ilaç,
Teksa tëmthi a mëlçia nis mbledh qelb e digjet saç;
Por dhe fyerje mendjemadhi e zyrtari këkëbosh,
Që të sheh me mospërfillje që nga hunda e përposh,
Që të mat nga gunë e veshur e nga shkallët në taraf,
Që nuk pyet ç të mban truri edhe shpirti me karat;
Por dhe rrahje nëpër burgje kot më kot pa asnjë faj,
Pas një gjyqi të kurdisur, ku mpreh thikën satanaj,
Ku të del për dëshmitar një që kurrë ti s e pe,
Që për punë e para vjell kaq shpifje e rrufe;
Ku të ndodh që i habitur sheh si shoku veten var,
Sepse s mund që të durojë këtë poshtërim barbar,
Ku të sjellin për të ngrënë ca lëtyrë e pilaf,
Ku dhe dritë e bardhë e ditës, kur të ndrin një tmerr e kap!


9.
Ne nuk erdhëm nëpër jetë të rrënkojmë në Kalvar,
Që të mbajmë përmbi zverk çdo kodosh e çdo zuzar.
Ne nuk erdhëm nëpër jetë që të jemi mish për top
Nëpër luftra faraonësh për pushtet edhe për fron.
Ne nga gjak i ngrohtë i nënës dolëm vrullshëm e plot gaz,
Që mjerimin edhe terrin që na lanë shekujt pas
Tej t i flakim edhe tokës që nga plagët klith ende,
T i blatojmë vrullin tonë, dritë e gaz që nuk njeh fre!
Vinim ne nga kohë lufte, nga çdo pllajë e nga çdo breg,
Nga çdo arë djegur predhash, nga mjaft plagë e një djep
Ëndërrash nga më fisniket që buluan përmbi dhe,
Por që cikmë e beftë e motit i goditi me hobe;
Vinim si mëngjese prilli, si një shi plot me freski,
Që e pret çdo brazdë dheu gjithë mall e dashuri;
Vinim të bleronim jetën, t i gjallonim çdo damar,
Ku të rridhte gjaku ynë mjaft i fisëm e krenar.
Dhe ky gjak që na harbohet e askush s e trand e shterr,
Ka fuqi që dhe nga guri ar e lule që të nxjerrë,
Ka fuqi dhe majë shkëmbi, mbi çdo rrëzë e murriz,
Të zverdhojë ushta gruri, shtat të hedhë arrë e lis!


10.
Ne nuk jemi bijë etrish farisej e shpirtdinak,
Që të rrekemi të shohim çdo njeri krejt rrjepacak,
Të ngulmojmë që të rrojmë nëpër lluks e salltanet,
Ku derdh punë e papaguar gjithë begatinë e vet,
E mos prishim terezinë, kur më tej një i pafat
Nga të ftohtit kërcet dhëmbët e pështyn gjak në sofat.
Ne na dhemb fort shpirt i dhembshur, kur një fqinj një strehë s ka,
Kur nuk ka as ca fasule për fëmijtë pa baba,
Kur hedh vickla një trutharë a bën ligjin një kopuk
Edhe zhvat mbi mall të shtetit me dy duar si hajdut.
Na trazohen dete dhimbjesh brenda shpirtit kaq rebel,
Ku tinzari e shtinjaku dot nuk hodhën një çengel,
Ku s ndeh flatrat pabesia, ku e liga dot nuk mund
Të të ngulë kthetrën egër. Nëpër shtjellat e pafund
Ka veç vrulle prej shqiponjash, kthjelltësi e bukuri,
Ku dhe qielli plot me yje sheh plot gaz veten e tij!
Ndaj si mundet të durojmë plot kaq mote fare kot,
Këtë skotë batakçinjsh që u bë mbi gjithçka zot,
Këtë horr që e ngre zërin sikur është perëndi,
Këtë laro që na hiqet kaq fisnik si zotëri,
Këtë lolo që nuk di as të lidhë një gomar,
Por që rreh çdo ças plot hile të të shtrojë një samar,
Këtë ujk edhe çakall që po pret veç një sinjal,
Të të hidhet mu në grykë pa një shkak a një ferman,
Këtë qyrranjos plot dengla që na shitet filozof,
Tek pozon edhe ngre syzet i mbështjellë me gëzof,
Këtë mburracak të krisur që sa hipën në kotec,
Nis të llapë se gjithçka urdhër pret prej tij, mos ngec!


11.
Na e prek shpirtin e dhembshur një trumcak që mu në xham
Vjen çukit, teksa përjashta bije borë e të than.
Ne na dehet nga ekstaza shpirt i njomë e kristal
Nga çdo bukuri e dheut, nga çdo yll e gur koral,
Nga çdo gurgullimë kroji, nga çdo lule e fije bar,
Kur nga rrezet pikë e vesës shkrep porsi margaritar.
Ne na zgjon një mal mendimesh, një sonatë e simfoni,
Varkë e hënës tek vozit heshtaz pjergull e lajthi.
Ne na dhemb e na qan shpirti, kur një motër a një mik
Ka një hall e nuk mbyll sytë, ka një brengë që e fshik,
Kur një atë apo një nënë merr nga biri refugjat
Ndonjë letër plot me dhimbje me një mall që det s e mat,
Ndaj si mundet të durojmë tek troket një shekull tjetër,
Veshëve të tundi defin si kukudh avaz i vjetër,
Kur me mijëra djelmosha përmbi trap a mbi anije
Çajnë dallgët përmes erës pa e ditur ku i shpije?!


12.
Nga humbella e thellë e shpirtit që gëlltiti helm e vrer,
Që ka mbajtur male dhimbjesh nëpër burgjet pis e terr,
Që ka rrojtur me mundime në një kthinë a një haur,
Që ngjason me guvë a skutë e të shtyp porsi qivur,
Tek rropatesh nëpër shtresa, të të mbyllen sytë pak,
Sytë e dhembshur e të zgjuar, që një jetë ecejak
Ç tragjedi e ç drama panë, ç ndyrësi e ç ligësi,
Ç kurthe e ç kompllote shtrigash, që s i njeh as ferr i zi,
Shkrepëtijnë e marrin flakë në mes resh, bobo, ç rrufe,
Që si gjarpërinj të zjarrtë tejpërtej e me kope
Vijnë qark nën këtë qiell, pa kube e të paanë,
Duke ngritur që nga fundet oqeane me tufan!


13.
Pa, në ndodhtë, mes tërbimit të shpërthejë zemërak
Shpirt i vojtur e i thellë që të keqen s e kish hak,
Zjarr i tij kaq i furishëm, kaq i shenjtë e fisnik,
Me të cilin u tall hidhur çdo tutkun e çdo cinik,
Do të flakë mes gjëmimit kaq batare me rrufe,
Që të djegë e të shkrumbojë çdo tiran e mbret mbi dhé,
Çdo xhelat e dredharak, çdo syujk e çdo shtinjak,
Që na bënë të na duket dhe i bukur një batak!


Tiranë, më 16 - 20 nëntor 1990