E Shtunë, 08 Tetor 2011 21:14

Kujdes kolerikët - mund të shndërrohen në despotë

Pjesa më e madhe e qënieve njerëzore kanë qëndrime koherente, të parashikueshme dhe logjike. Përgjithësisht, mund të thuhet edhe që nuk janë shumë agresive. Ndonëse mund të kenë shpërthime inati dhe ndjenja zilie, zakonisht, përpiqen të

mos u bien ndesh ndjenjave të të tjerëve, kanë kënaqësi të bëjnë mirë si dhe dinë ç'është mirënjohja. Kur kanë ndonjë synim i vihen që ta realizojnë, megjithatë, kur ndeshin pengesa, nuk reagojnë me inate shkatërruese dhe vrastare. Me një fjalë, kanë frena etike. U qëndrojnë besnik miqve.

 

Respektojnë impenjimet e marra. E mbajnë fjalën e dhënë. Pikërisht në sajë të kësaj mënyre koherente të sjelluri, në sajë të këtyre cilësive morale, shoqëria jonë ka mbetur gjallë. Por është edhe një pakicë njerëzish që ndryshojnë thellësisht nga të parët, të cilët nuk durojnë frena, kufij moralë apo koherencë. Për të arritur qëllimet e tyre i trajtojnë të gjitha qëniet njerëzore si mjete. Nuk i durojnë pengesat dhe, nëse ndeshen me to, reagojnë me një agresivitet që i kalon caqet, me një urrejtje dhe një egërsi të tillë që njerëzit e zakonshëm nuk mund as ta imagjnojnë.

Zakonisht ne nuk mendojmë për këta lloj njerëzish, i konsiderojmë psikopatë të parëndësishëm. Në të vërtetë, këta lloj tipash kanë luajtur një rol të rëndësishëm në histori. Pikërisht sepse janë të çfrenuar, pa asnjë lloj droje, pasi arrijnë pushtetin, e shfrytëzojnë atë në mënyrë totale. Pikërisht nga radhët e tyre kanë dalë kriminelë të mëdhenj si Al Kapone apo Toto Rina, despotët e mëdhenj gjakatarë si Ivani i tmerrshëm apo Timurlengu, revolucionarë të tillë si Marati dhe Robespjeri, diktatorë të pamëshirshëm si Stalini dhe Hitleri. Këta lloj tipash kishte parasysh Makiaveli kur përshkruante princin e tij.

kthehu më sipër