Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Hënë, 29 Nën 2021
E Shtunë, 08 Tetor 2011 21:18

Mbi burimet intelektuale të ideologjisë marksist-leniniste

Solzhenicin: Kjo gënjeshtër e përgjithshme, e imponuar, e detyrueshme është aspekti më i tmerrshëm i jetës së njeriut në vendin tuaj. Është diçka shumë më e keqe se sa të gjitha fatkeqësitë materiale, edhe më e keqe sesa mungesa e çdo lirie

qytetare. I gjithi ky arsenal gënjeshtrash është haraçi që i paguhet ideologjisë: gjithçka që ndodh duhet të jetë e lidhur me këtë ideologji të vdekur, e cila ju ka mbërthyer me të gjitha tentakulat e saj ngase shteti ynë, për forcë zakoni, inercie, tradite mbështetet ende tek kjo doktrinë gënjeshtare gabimet e së cilës janë përdegur gjithandej. Është pikërisht ajo, ideologjia, që për të mbijetuar ka nevojë t'u vihen prangat atyre që guxojnë të mendojnë ndryshe. Flakeni tej atë rreckë të qelbur, të mbytur në djersë, mbi të cilën është derdhur aq shumë gjak, saqë po ia merr frymën trupit të gjallë të kombit! Ajo është përgjegjëse për tërë atë gjak të derdhur, gjakun e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë njerëzve.

 

1
Në këtë Letër drejtuar udhëheqësve të Bashkimit Sovjetik Solzhenicini i kthehet dhe i rikthehet thuajse në çdo faqe një nocioni të vagullt, por që s'mundet ta evitojë, me të cilin dashur pa dashur përplaset ngado që drejtohet: ideologjisë. Ajo, sipas tij, ka zënë vendin qendror mbi fjalët dhe sendet në shoqërinë sovjetike. Ai ngulmon tek intuicioni i tij sipas të cilit thelbi i regjimit sovjetik, i pandryshuar qysh prej 7 nëntorit 1917, nuk ishte as shtetëzimi i mjeteve të prodhimit, as burokracia, as klasa e re, as edhe vetë partia dhe, po ashtu, as struktura ekonomike e sociale apo struktura politike, por një besim i një tipi të veçantë, ideologjia, e cila nuk mund të quhej më besim, por, për të gjetur një term sa më të përafërt, mund të quhej formësim mendor.

Zëra të ngjashëm (sipas fushës)