Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Saturday, 27 Feb 2021
Sunday, 09 October 2011 08:30

Dimensioni banal nën intelektualizmin postkomunist shqiptar

E keqja është banale thotë Hannah Arendt në mbyllje të librit Eichmann in Jerusalem: Report on the Banality of Evil (Eikmani në Jeruzalem: raport mbi banalitetin e së keqes). Një konstatim i thjeshtë ky, që përmbledh në dy fjalë të vetme mekanizmat pervers që prekin mënyrën e të menduarit në shoqëritë që përjetojnë eksperiencën e regjimeve totalitare. Duke reflektuar në tërësi për shndërimet që pëson figura e intelektualit brënda këtij konteksti si dhe, në veçanti për rolin e luajtur nga intelektualët tanë gjatë periudhës së diktaturës e deri më sot, ndër të tjera, të vjen ndërmend kjo thënie e Arendt-it.

Duket se koncepti i saj mbi banalitetin e së keqes shpreh mirë një problematikë aktuale të elitës politike dhe kulturore post-komuniste shqiptare. Është fjala për trashgiminë e një mentaliteti të brumosur banalisht keq, që sot e ndeshim rëndomë në shumë aspekte të jetës publike. Në një vend si yni, ku procesi i tranzicionit merr trajta të pambarimta e të devijuara, detyrimisht lë të dyshosh që diçka ka mbetur e ngecur diku. Dhe kjo diçka, në këndvështrimin tim, ka të ngjarë të jetë e lidhur me një mënyrë të menduari më shumë se me çështje të natyrës funksionale apo aplikative. Po të flasim në terma të përgjithshëm, demokracia shqiptare nuk ka për të funksionuar kurrë mirë si sistem politiko-shoqëror. Kjo, përderisa elita jonë të vazhdojë të mbetet preh e një mentaliteti, që për dekada të  tëra u brumos në një formë të caktuar, sepse nuk është vështirë të kuptosh që ky sistem perceptohet (apo interpretohet) fillimisht nëpërmjet mendjes dhe vetëm mbas një kohe relativisht afatgjatë, ai mund të edukojë (apo emancipojë) mendjet.