Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Saturday, 27 Feb 2021
Sunday, 09 October 2011 08:34

Fryma romantike dhe nacionaliste në debatin për identitetin shqiptar

Ky shkrim ka për qëllim të shqyrtojë disa nga idetë që shkrimtari më i njohur shqiptar, Ismail Kadare, ka shprehur në lidhje me historinë dhe identitetin shqiptar. Shqyrtimi do të përqëndrohet edhe mbi mënyrën sesi opinioni publik, në radhë të parë media, i ka përcjellë këto ide. Do të përpiqem të nxjerr në pah se në këtë rast marrëdhënia autor-audiencë përçon një frymë romantiko-nacionaliste. Një frymë e tillë, sidomos në mënyrën e konceptimit të historisë, e ka zanafillën në kohën e Lëvizjes Kombëtare (1878-1912).

Më vonë ajo u përforcua sidomos nga prodhimtaria letrare dhe studimore e periudhës socialiste. Midis të tjerash, një tipar dallues është prirja për të krijuar përfytyrime mitologjike mbi historinë e popullit shqiptar, të cilat ofrojnë një përshkrim bardh e zi të botës që na rrethon, ose një perceptim manikeist të saj, në të mirë dhe të këqinj . Nderimi dhe përcjellja akritike e mendimeve të një autoriteti, në rastin tonë një autoritet në fushën e kulturës, është një aspekt tjetër i kësaj fryme. Në faqet e shtypit shqiptar, por edhe gjetiu, rastet e mendimit kritik ndaj shkrimeve të Kadaresë janë të pakta në krahasim me rrjedhën e përgjithshme të mendimit lavdërues. Ndërkohë që debati intelektual i bazuar mbi ndeshjen e opinioneve të ndryshme është një nga aspektet themelore të një shoqërie të hapur. Me frymë kritike këtu kemi parasysh shkrime ku të analizohen tekstet dhe idetë dhe jo sulmet personale dhe spekulative. Ky artikull do të mbështetet kryesisht te analiza e një sprove të Kadaresë mbi identitetin evropian shqiptar dhe e shkrimeve që janë botuar në të përditshmet shqiptare si reagime ndaj saj. Shkrimi do të ketë dy nëndarje kryesore: a) identiteti evropian dhe b) kultura shtetërore dhe mendimi skematik ideologjik.