Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Wednesday, 08 Dec 2021
Sunday, 09 October 2011 11:31

Shënime mbi një libër të harruar

Kur përmend autorët, të cilët rihynë në letërsinë shqipe në fillimtë viteve 90 të shekullit të kaluar, fill pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Robert Elsie shkruan diçka edhe për Lazër Radin. I arrestuar menjëherë pas çlirimit të Tiranës, në 23 nëntor 1944, Radi u dënua me tridhjetë vjet burgim për veprimtari armiqësore.

Qelinë në burgun eTiranës e ndau me Petro Markon, Jusuf Vrionin dhe Andrea Varfin. Njohës i disa gjuhëve të huaja, ishte drejtuesi i grupit të përkthyesve të formuar në këtë burg nga autoritetet e pushtetit të ri popullor, me qëllimin që të përkthenin, kuptohet, pa marrë kurrfarë shpërblimi, veprat e para si të nevojshme për formimin e Njeriut të Ri. Të gjitha shënimet dhe krijimet e tij, të fshehura në një kutizë në shtëpinë e vet në Tiranë, u dogjën, në panik e sipër, nga familja gjatë kontrollit të forcave të policisë shtëpi-më shtëpi menjëherë pas shpërthimit të bombës në ambasadën sovjetike në kryeqytetin shqiptar në 1951. U lirua nga burgu në prill të vitit 1954 dhe, siç ndodhte zakonisht në kësi rastesh, menjëherë u internua, fillimisht në Shtyllë të Fierit, më pas në Kuç, Gradishtë, Çermë, për ta mbyllur këtë kalvar të gjatë në fshatin Savër të Lushnjës, prej nga u lirua në vitin 1991, pas një periudhe totale prej 41 vitesh burgimi dhe internimi të pandërprerë!

 

Gjithsesi, Radi ia doli mbanë të vazhdojë të shkruajë, prozë, poezi, kujtimet e veta, duke i mbajtur të fshehura dorëshkrimet nën tokë, të futura në një ish-kosh plehrash. Një pjesë e tyre u botua pas rënies së komunizmit, për të përmendur në radhë të parë librin me kujtime Shqipëria në vitet 30. Kronikë e përjetuar, të botuar në Tiranë në vitin 1997. Një titull i tillë nuk është pa vend, sepse pikërisht në vitet 30 zë fill krijimtaria e Lazër Radit, kur akoma si nxënës në gjimnazin e Shkodrës fillon të shkruajë e të botojë vjershat, tregimet e skicat e para. Siç iu shpreh me keqardhje të thellë Robert Elsie-t gjysëm shekulli më vonë, në vitin 1940 në Tiranë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë u botua libri i tij i parë me titull Fashizmi dhe Fryma Shqiptare. Pikërisht ky libër i harruar tashmë, një kopje e të cilit ruhet vetëm në Bibliotekën Kombëtare, do të jetë objekt i asaj, çka vijon. Në parathënien e vet, Vangjel Koça e quan debutimin e Radit veprën e parë në lëmin e kulturës politike në vendin tonë. Në këtë këndvështrim, ky libër mund të shihet si një manifest politiko-shoqëror, ku shtrohen disa nga problemet më kryesore të kohës, kur u shkrua. Pra, me të drejtë ai mund të quhet një dëshmi historike për këtë periudhë.