Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Wednesday, 01 Dec 2021
Sunday, 09 October 2011 11:35

Kufiri politik, kufiri etnik dhe shteti-komb. Shembulli i krahinës pranë kufirit shqiptaro-grek gjatë periudhës midis luftrave

Studime të shumta e vendosin gjendjen e minoritetit grek që jeton në jug të Shqipërisë, në kufi me Greqinë, në zemër të marrëdhënieve shpeshherë të tendosura që janë zhvilluar midis dy vendeve, qysh nga koha e krijimit të këtij kufiri në fillim të shekullit të XX-të.

Sipas tyre keqtrajtimet ndaj minoritetit kanë sjellë kohë pas kohe  ftohjen midis të dy vendeve. Një vizion i tillë që riprodhon një gjuhë diplomatike mbetet problematik. Përgjithësisht ndodh e anasjella: natyra e marrëdhënieve midis dy vendeve ndikon mbi gjëndjen e minoritetit. Për më tepër, gjëndja e pjestarëve të minoritetit zakonisht është shumë më komplekse sesa na lejon ta mendojmë nëse ndjekim retorikën në lidhje me çështjen e minoriteteve. Kufiri midis minoritetit dhe shumicës së popullsisë është diçka që mbetet në ndërtime sipër dhe nuk është kurrë i qëndrueshëm. Përveç kësaj, shumë faktorë të tjerë, përtej atyre të politikës së jashtme të të dy vendeve, hyjnë në lojë kur bëhet fjalë për gjëndjen dhe pozitën e anëtarëve të minoritetit: elementë të politikës së brëndshme, të politikës ndërkombëtare, faktorë ekonomikë dhe socialë, ose edhe strategji individuale dhe të grupit. Në lidhje me këtë temë është interesante të përqëndrohemi mbi periudhën midis dy luftrave, në kohën kur u krijua shteti shqiptar dhe kur krijua kufiri shqiptaro-grek dhe kur mori formë edhe ky minoritet grek. Gjatë asaj kohe, politika e ndërtimit të shteteve-kombe duhej të çonte drejt homogjenizimit etniko-kombëtar, gjithë duke respektuar nga afër e nga larg të drejtat e minoriteteve të njohura nga Lidhja e Kombeve. Kjo instancë ndërkombëtare kishte mbështetur shkëmbimet e popullsive, siç ishte rasti i famshëm midis Turqisë dhe Greqisë në vitin 1923, dhe në këtë mënyrë kishte kontribuar vetë ndaj proceseve të homogjenizimit etniko-kombëtar.