Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Martë, 26 Tet 2021
E Dielë, 09 Tetor 2011 16:53

Editorial: Për frymën kritike (II)

"Nuk mund të jetë kurrë aq i urtë ai që s'ka provuar marrëzinë." La Roshfuko

A ka të rinj Shqipëria?

"A ka të rinj në Shqipëri? Unë përgjigjem se jo. Të riut i ndizet méndia me ëndërra fisnike; i riu është gati të vazhdojë mendime të bukura pa interesë vetiak, është i zoti të vuajë për ideale, dridhet nga padrejtësia dhe mbrapset nga dinakëritë posi nga murtaja; i riu di edhe gëzimin e zémërave të pastëra; të riut i qesh shpirti dhe i qesh buza. Në Shqipëri për kundrë shohim djem të ngrysur me sy të turbulluara nga djallëzitë, të krrusur nga barra e mendimeve hesapesh dhe ngatërresash. Edhe çiliminjtë në djep duken të mvrojtur dhe të thartë. Shqipëtari

lint plak. Nukë ka shqipëtarë të rinj, po vetëm ca shqipëtarë të lindur më parë, ca të lindurmë pastaj - të gjithë pleq, të thatë nga zemra e tyre, e cila s ka njohur kurrë enthuziasmë për gjësendi"

Këto rreshta i ka shkruar Konica në 1937-n, por duket se, sikur të mos ishte gjuha dhe stili i tij i njohur, shumëkushi prej nesh, duke i lexuar, do të pandehte se i përkasin rinisë shqiptare të viteve 90. E themi këtë pasi përshtypja që kemi krijuar nga kontakti me masën e të rinjve, madje me pjesën më të kultivuar të saj, është se preokupimi i tyre kryesor sot sillet rreth argëtimit, parasë, sigurimit të ndonjë udhëtimi jashtë shtetit dhe se jo rrallë janë gati të bëjnë çdo djallëzi për t'i arritur këto pikësynime. Pak, shumë pak ëndrra fisnike dhe vuajtje për ideal kemi gjetur në mendjet dhe në zemrat e tyre, pak shumë pak luftë për drejtësi, pak shumë pak kërkesa për të afirmuar origjinalitetin dhe personalitetin... Por, mbi të gjitha, ajo që na duket karakteristikë e përbashkët e rinisë shqiptare është se pak, shumë pak ndjehet tek ajo ndjenja e rebelimit ndaj autoriteteve. Kur themi autoritete nuk e kemi fjalën vetëm për autoritetet politike, por për autoritetet në të gjitha ato fusha të veprimtarisë artistike dhe shkencore, ku rinia, së bashku me energjinë dhe rebelimin, sjell me vete edhe idetë e reja. Dhe jo për autoritetet si persona fizikë, por kryesisht për traditën që ata mishërojnë apo kanë krijuar.

Të jesh i ri do të thotë të përpiqesh për origjinalitet, për aktivitet të lirë, të kesh shpirt pavarësie, të jesh zot i fatit tënd, ndryshe nga plaku, i cili, përkundrazi, është më pasiv dhe dominohet kryesisht nga një shpirt përshtatjeje ndaj gjërave e rrethanave. Por ajo që vihet re tek rinia shqiptare është pikërisht ky shpirt përshtatjeje ndaj një tradite dhe zakonesh nga më konservatoret. I riu shqiptar fatin e tij e ka lënë në dorë të pleqve të cilët e kanë udhëzuar si të futet në shina të sigurta e si të mos ia hedhin. Kështu që, kujdesi i parë që ka i riu shqiptar është si t'ua hedhë të tjerëve i pari. Prandaj dhe na duken shumë të vërteta fjalët e Konicës se rrallë gjen të rinj shqiptarë që të vuajnë për ideale. Të kesh një ideal dhe të luftosh për të do të thotë, në njëfarë kuptimi, të mos kesh atë eksperiencën e hidhur që ka plaku, i cili tashmë e di se ideali është një pikë që nuk arrihet kurrë. I riu, përkundrazi, beson tek ai, lufton për të pamundurën, hedh mbi supe më shumë sesa ç mund tëmbajë, fluturon drejt synimit pamarrë parasyshmjetet dhe etapat e pikërisht këto karakteristika sjellin në më të shpeshtën e herëve ndryshimet dhe zhvillimet në një shoqëri, e cila përndryshe do të mbetej në vend. Në një nga esetë e tij filozofike të quajtur "Mbi dobinë dhe padobinë e historisë për jetën", Niçe flet, midis të tjerash, për dy mënyra të jetuari: mënyrën historike dhe atë johistorike. Me mënyrë historike të të jetuaritNiçe kupton atë ku njeriu në çdo hap që hedh ka parasysh këshillat e më të moshuarve dhe, në një kuptim më të gjërë, traditën, historinë. Ky lloj njeriu vërtet ecën i sigurt në jetë, nuk bën gabime, porse, nga ana tjetër, jeta e tij është e varfër në spontaneitet dhe krijimtari. Çfarë ka parasysh Niçe me mënyrën e të jetuarit  johistorike? Për ta bërë më të qartë këtë ai na fton të imagjinojmë një burrë të mbërthyer nga një pasion i fuqishëm, p.sh. ndaj një gruaje apo ndaj një ideje, dhe transformimin që pëson bota në sytë e tij. Tek ai të gjitha vlerat ndryshojnë dhe shpërfytyrohen. Kur e kthen kokën prapa, ai është i verbër; shumë gjëra nuk i mendon dot, pasi as nuk mund t'i ndjejë, por atë çka ndjen, ai nuk e ka ndjerë kurrë në një mënyrë aq të vërtetë, aq pranë shqisave të tij, aq kumbuese, aq të ndritshme sikur të perceptohej e ndjehej nga të gjitha shqisat njëherësh.... Kjo është një gjendje nga ato më të padrejtat në botë, meskine, mosmirënjohëse ndaj të kaluarës, e verbër përballë rrezikut, e shurdhër përballë qortimeve..., megjithatë nga kjo situatë johistorike, gurrojnë jo vetëm veprime të padrejta dhe të gabuara, por kryesisht çdo veprim i drejtë. "Asnjë artist nuk do ta realizojë imazhin e tij, asnjë kapiten fitoren, asnjë popull lirinë, pa e kërkuar dhe dëshiruar atëmë së pari në këtë situatë johistorike, - përfundon Niçe.



A ka pleq Shqipëria?


Nëse shumica e të rinjve shqiptarë arrijnë moshën e pjekurisë pa kaluar ethen e rinisë, pra, pa qenë asnjëherë të rinj ashtu siç e konceptuam më lart të riun, atëhere afërmendsh atyre do t u mungojë një tharm shumë i rëndësishëm për krijimin e personalitetit. Prandaj duket se është me vend të shtrohet edhe pyetja A ka pleq Shqipëria?, e cila ndryshe mund të shtrohej në trajtën A ka personalitete Shqipëria?, në kuptimin e personalitetit si mishërim i një individualiteti të lirë dhe të ndërgjegjshëm për lirinë dhe individualitetin e tij. Përgjigja do të ishte se Shqipëria nuk është e varfër vetëm në të rinj, ashtu siç i përshkruam karakteristikat e të riut, por edhe në pleq të urtë. Pjesa dërrmuese e pleqve shqiptarë pikërisht se u ka munguar origjinaliteti dhe liria në rininë e tyre, pra pikërisht se nuk kanë qenë kurrë të rinj, kur plaken bëhen pleq të dështuar, me fjalë të tjera pa ndonjë personalitet të spikatur. Për të kompensuar këtë mungesë ata zhvillojnë anën tjetër të mekanizmit sadomazokist, fillojnë t'i shtypin të rinjtë duke kërkuar me insistimqë këta t'u nënshtrohen dhe jo rrallë të kujtojnë Erazmin
kur thotë se "rinia ëngjëllorë pjell pleq satanikë". Ky rreth vicioz shtypje-nënshtrim është mekanizmi kryesor që dominon marrëdhëniet tona shoqërore. Ai është aq organik saqë nuk mund të kuptohet se kush është primar, pasiviteti dhe nënshtrimi i të rinjve apo sundimi i pleqve, madje mund të thuash se diferenca e vetme midis tyre qëndron vetëm në atë që thotë Konica se disa kanë lindurmë parë e disamë pastaj, pra, se janë e njëjta gjë.
Na duket se shkaqet e mungesës së të rinjve në shoqërinë tonë duhet t'i kërkojmë, mbi të gjitha, në traditën e saj paternaliste, ku i pari i fisit, i klanit mbetej autoriteti vendosës deri në fund të jetës dhe, për ta mbajtur fort pushtetin e tij, kujdesej gjithnjë të ishte mishëruesi dhe mbrojtësi i traditës. Ndërkaq, i biri e fitonte parësinë vetëm pas vdekjes së tij, duke i ardhur kështu radha të bëhej mbrojtës i traditave dhe i zakoneve të të parëve. Nëse do të bëjmë një krahasim me shoqëritë perëndimore e veçanërisht ato anglo-saksone, do të thonim që, ndërsa ato janë të bazuara tek individi, sepse historikisht, si pasojë e Reformës, njeriu u edukua të mbante lidhje direkt me Zotin dhe jo nëpërmjet autoriteteve kishtare, dhe si pasojë e Iluminizmit u edukua t'i besontemë së pari arsyes së tij, shoqëria jonë ende vazhdon të jetë një shoqëri
e bazuar në thelb mbi autoritetin e patriarkut, të cilin, në një kuptim më të gjerë e zevendësojnë shteti, polici, drejtori, dekani, etj., të cilët, nën vernikun e mbrojtjes së traditës, në thelb, ushtrojnë dhe mbrojnë autoritetin e tyre sundues. Në një shoqëri të tillë marrëdhëniet e të rinjve me autoritetin karakterizohen nga një mekanizëm nënshtrim-urrejtje ku, ndonëse në dukje ka mbizotëruar nënshtrimi, thellë-thellë inkoshientit ka vluar urrejtja, e cila, duke qenë e pafuqishme për të luftuar me objektin që e ka shkaktuar, shpesh ka devijuar përdrejt më të dobtëve, më të vegjëlve deri tek ata fëmijët që na i nxorri Amelio në filmin e tij duke keqtrajtuar kafshët apo pleqtë lypsarë.Në thelb ata s'bënin tjetër veçse shkarkonin tek këto qënie më të dobëta, agresvitetin dhe urrejtjen e akumuluar ndaj etërve që i rrihnin në shtëpi dhe, më në përgjithësi, ndaj një shoqërie që s ka ditur t'u krijojë kushtet për ta shkarkuar energjinë e moshës në forma krijimtarie dhe dashurie. Kjo duket se ka vazhduar brez pas brezi, prandaj dhe shoqëria jonë nuk ka përftuar njerëz të lirë, pionierë, personalitete, por vetëm ca qënie simbiotike skllav-tiran, konservatore dhe tradicionaliste.
Është elementi komplementar i nënshtrimit, sundimi, ai që, sipas mendimit tonë shpjegon faktin që gjatë këtij shekulli, atëhere kur i është dhënë mundësia për t'u çliruar nga autoriteti i etërve, rinia shqiptare në thelb s'ka bërë tjetër veçse ka imituar autoritetin shtypës të tyre duke i shërbyer të njëjtës traditë. Kjo shpjegon pse aspiratat për modernizimin e Shqipërisë politikani i ri Ahmet Zogu ia nënshtroi, në thelb, nevojës për të përjetësuar pushtetin me çdo mjet, sipas mendësisë së zotit absolut të Malësis së Matit, që e kalonte pushtetin nga i ati tek i biri... Kjo shpjegon çudinë e atyre që panë të shndërrohej në një diktator aq të tmerrshëm një njeri si Enver Hoxha, të cilin në rini e kishin njohur si një djalë gazmor... dhe në një nivel më të gjërë, se si, me gjithë mohimin e madh që pretenduan se i bënë komunistët zakoneve të vjetra, në fund të fundit ia përshatën ideologjinë e tyre revolucionare bash këtyre zakoneve dhe modeleve konservatore të të jetuarit. (Le të sjellim ndërmend se si lufta e klasave, që në teorinë marksiste konceptohej si një mekanizën kontradikte midis një klase të re që lindte dhe një klase të vjetër, u aplikua tek ne në trajtën e një mekanizmi me tipare të theksuara hakmarrjeje klanore, për asgjësimin e të gjithë atyre që ishin kundër klanit komunist apo që dilnin prej tij.) ... Kjo shpjegon se pse një president i angazhuar për ndërtimin e një shteti ligjor e demokratik, si Berisha, kur ia do puna e sundimit i drejtohet popullit me termat e kanunit mesjetar të Lek Dukagjinit dhe më gjerë pse në këtë fundshekulli, pas përmbysjes së regjimit komunist, pamë shumë bij besnikë, të urtë e të devotshëm, të shndërroheshin në urrejtës të pamëshirshëm dhe shumë nga viktimat e hakmarrjes fisnore të ushqenin të njëjtën traditë nën slloganet e demokracisë dhe pluralizmit.
Në mënyrën e vet më të rëndë, gjatë këtij shekulli, mekanizmi nënshtrim - sundimu shfaq në periudhënmidis luftës nacionalçlirimtare dhe viteve 90. Në këtë periudhë ai që quhet konflikti midis brezave , një fenomen i natyrshëm universal që e vërejmë të paktën që nga koha e Platonit e deri në shekullin tonë, u shua thuajse plotësisht. Zonat e dallimit midis brezave gjatë këtyre viteve kanë qenë thuajse të padukshme. Gjithçka u kontrollua dhe u sundua rreptë nga tradita dhe nga autoriteti i padiskutueshëmi baballarëve komunistë.Të rinjve autoriteti ua siguronte të ardhmen duke u kërkuar nënshtrimin ndaj ligjeve të tij të shkruara dhe të pashkruara, ndaj ideologjisë, hierarkisë që kishte vendosur ay, deri edhe duke u kërkuar që të bëheshin agjentë të Sigurimit. Bashkë me këtë presion të rinjtë pësonin edhe presionin nga familja, në emër të traditës familjare dhe në emër të asaj se prindërit nuk donin të kishin telashe. Dhe kështu baballarët jetonin të kënaqur me përshtypjen se kishin krijuar një shoqëri si ajo e barinjve të Arkadisë, me rininë më të lumtur në botë.
Në fillim të viteve '70, kur u godit liberalizmi, një nga akuzat që u bë ishte edhe ajo ndaj idesë-fantazmë se elementët liberalë kishin nxitur konfliktin e brezave. Në propagandën e asokohshme së bashkume kërkesën për kultivimin e traditave e folklorit, trajtohej edhe kjo herezi e madhe të cilën nuk mund ta pranonte askush, e dënueshme njëlloj si antiatdhetarizmi. Si përfundim, fjala konflikt brezash u varros, humbi nga fjalori dhe të gjithë sikur u ndjenë të kënaqur që baballarët mbetën atje ku ishin, të pacënuar në madhështinë e tyre.
Më shumë sesa një fenomen i lidhur me ideologjinë komuniste ky mohim i konfliktit të brezave ishte një fenomen i lidhur me mendësinë paternaliste shqiptare të cilën e përkrahnin të gjithë. Kjo ka bërë që në fushën e kulturës të mbisundojë ndrydhja e pasioneve dhe tautologjia e ideve. Për të treguar se sa i zbehtë ka qenë ky konflikt mjafton të kujtojmë faktin se në fushën e letërsisë i vetmi moment ku na shfaqet janë vitet '60, kur Kadareja, Agolli dhe Arapi sollën diçka të re në poezinë shqipe, që i tronditi etërit tradicionalistë të letrave. Mund të thuhet
se kemi të bëjmë me të vetmin rast kur të rinjtë fituan, por ky konflikt, megjithatë, nuk ishte një konflikt midis etërish dhe bijsh, por midis vëllezërish më të mëdhenj e më të vegjël. Të vegjëlit fituan vetëm kur baballarët u dhanë bekimin. Komunistët vërtet u rrekën të shkulnin nga shoqëria shqiptare ato që ata i quanin zakone prapanike , siç ishte gjakmarrja, trajtimi i gruas sipas normave të kanunit dhe të kuranit, ndër të cilat si më tipike do të përmendnim të drejtën e burrit për ta rrahur, të drejtën e burrit që ajo t i lante këmbët atij dhe gjithë meshkujve të familjes, aq e përhapur në familjet muslimane etj, mirëpo struktura tradicionaliste dhe maçoiste e komunizmit shqiptar më shumë mori nga këto zakone, iu përshtat atyre, sesa i ndryshoi ato. Poende, duke tentuar t i hiqte ato me forcën e dhunës dhe jo me atë të kulturës, ajo në thelb i la shqiptarët ashtu siç ishin, dmth thellësisht të dhunshëm dhe të paqytetëruar. Këtë e tregon jo vetëm fakti se ato zakone mbijetuan në një formë apo në një tjetër në praktikat komuniste (a nuk ishte dënimi i gjithë familjes për shkak të një individi refleks i zakonit të gjakmarrjes), por edhe fakti se këto tradita vazhdojnë edhe sot në pjesën më të madhe të popullsisë jo vetëm të fshatit, por edhe të qytetit. Nëse sot në Shqipëri gjen shumë nxënës, adhurues, vazhdues, dishepuj, idhtarë pas të cilëve rreshtohet një masë amorfe të rinjsh pa asnjë individualitet dhe fare pak rebelë e të revoltuar me ide të reja, kjo tregon se, në thelb, kemi mbetur në të njëjtën gjëndje. Nëqoftëse deri dje ishte frika ajo që dominonte në marrëdhëniet tona, e cila jo rrallë e bllokonte krejt komunikimin e natyrshëm midis individëve, sot, ndonëse komunikimi është më i lirë, karakteristikë e tij mbetet mosbesimi, dyfytyrsia, bizantinizmi, të cilat, në thelb, nuk janë tjetër veçse refleksi i një shoqërie ku vazhdojnë të mbizotërojnë marrëdhëniet sundim-nënshtrim, ku në vend të energjive që çliron dialogu i hapur ne përjetojmë tensionin që krijojnë këto marrëdhënie dy nivelëshe që kërkojnë energji të dyfishta për t'u mbajtur.
Siç e thamë edhe më lart, pikërisht sepse individi shqiptar duke qenë nën diktatin e patriarkut, klanit, ka pasur hapësirëmë të pakët për t u shprehur, shpesh ai ka shfaqur në jetë ose nënshtrimin, çka ka krijuar shoqërinë e mbyllur, ose rupturat e dhunshme, atvrasjet apo birvrasjet të cilat kanë qenë thellësisht shkatërruese. Në hullinë e kësaj tradite duket se u tjetërsuan edhe energjitë që çliruan idealet e studentëve të kryevitit '90. Megjithatë s'mund të mohoet se shembja e një sistemi thellësisht autoritar, siç ishte ai komunist, ka sjellë çlirim pozitiv të energjive të rinisë shqiptare. Mjafton të përmendim faktin se një grusht gazetarësh, me kurajon e tyre qytetare jo vetëm hodhën bazat e një gazetarie të re shqiptare të çliruar nga urrejtjet ideollogjke, por kanë dhënë një kontribut të veçantë për ruajtjen e mendimit të lirë në Shqipëri, veçanërisht në momente të tilla siç ishte ajo e kohës së parareferendumit, kur hija e diktaturës po rishfaqej kërcënuese, kur shumë prej baballarëve intelektualë, me traditën e lashtë të nënshtrimit, nënshkruanin një dokument servil që e dorëzonte lirinë në duar të rrezikëshme. Megjithatë ngulmojmë se ky soj të rinjsh përbën një pakicë të pamjaftueshme për emancipimin e jetën kulturore, politike e shoqërore të Shqipërisë, madje se ekziston rreziku që ata t'i asimilojë tradita e vjetër autoritariste. Nuk duket se ka një rrugë të shpejtë për ta shndrruar energjinë e moshës rinore të Shqipërisë nga një energji që derdhet dhe ngrin në shtretërit e vjetër tradicionalë, në një të tillë që ngrihet drejt sintezave të reja pas dialogut me traditën. Sot flitet shumë për mungesën e një ideali përbashkues tek rinia. Por, nëse duam të ndërtojmë një shoqëri të hapur s'ka si të synojmë bashkimin e energjive të rinisë rreth një ideali të vetëm. Madje një synim i tillë do të ishte i rrezikshëm. Në një shoqëri të hapur idealet janë të shumta, shpesh herë edhe individuale, prandaj dhe ndërtimi i tyre është shumë më i vështirë dhe kërkon shumë më tepër kohë. Duket se do të kalojnë disa breza përpara se të ndërtojmë një shoqëri të tillë, por guximi i një brezi, guximi i një grupi, krijon tharmin për emancipimin e një shoqërie të tërë. Prandaj, pa mohuar personalitetet e afirmuara, në revistën tonë do të përpiqemi, me sa të jetë e mundur, të inkurajojmë dhe botojmë sa më shumë protagonistë të rinj të kulturës shqipare, siç po bëjmë edhe në këtë numër.

Më tepër në këtë kategori: Një shtypje e njerëzishme »