Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore » Displaying items by tag: Editoriale
Thursday, 20 Jan 2022

Kundër kulturës autiste

Saturday, 22 October 2011 21:32 Published in Nr. 21

Ky numër i Përpjekjes, që i dedikohet çështjeve të ndryshme të gjuhës dhe të letërsisë, hapet me një debat të zhvilluar në KUVENDIN E STUDIMEVE ILIRE, që u mbajt në Tiranë nga 15 deri më 20 shtator

Editorial: Ndërhyrja dhe jeta e zhveshur

Saturday, 22 October 2011 19:11 Published in Nr. 19

Sikurse e tregon edhe titulli i kopertinës ky numër i Përpjekjes (19) i dedikohet ndërhyrjes. Pjesën e parë të materialeve e kemi marrë (falë bujarisë së autorëve që na dhanë të drejtën e botimit), nga punimet e një konference antropologjike me titull Concerning intervention (Mbi ndërhyrjen), të organizuar në Montreal më tetor 2003 nga Universiteti i Montrealit, departamenti i antropologjisë, nën kujdesin e Mariella Pandolfit, profesore e këtij Universiteti ku, midis të tjerëve, paraqitën kumtesat e tyre mbi eksperiencat shqiptare edhe Fatos Lubonja dhe Piro Misha. Edhe pjesa tjetër e revistës synon të plotësojë dhe t'i bëjë rezonancë veçanërisht në seksionin e letërsisë dhe të ndërgjegjes historike - tematikës së gjerë dhe komplekse të ndërhyrjes.
Krahas ndërhyrjes në titull vendosëm edhe konceptin e jetës së zhveshur që, sikurse shtjellohet në tekstet e botuara në këtë numër, është i pandashëm nga një tipollogji tepër e përhapur ndërhyrjeje në kohën tonë: ajo që quhet ndërhyrja humanitare apo aksioni humanitar, shprehje që sot zenë një vend të rëndësishëm si në lëmin konceptual ashtu edhe në atë të zhvillimeve botërore.
E bëmë bashkimin e ndërhyrjes me jetën e zhveshur në titull, ashtu sikurse edhe zgjedhjen e fotos së kopertinës, duke patur parasysh se Shqipëria dhemë gjerë zonat ku banojnë shqiptarët në Ballkan: Kosova dheMaqedonia - kanë qenë thuajse vazhdimisht, gjatë këtyre 13-14 vjetëve postkomunizëm objekt i ndërhyrjeve humanitare dhe ushtarake për shkakun se njeriu shqiptar
ose më saktë jeta e tij, ka qenë shpesh shprehja  par exellence e jetës së zhveshur.

 

Po ç'është jeta e zhveshur që thuajse nuk ka hyrë ende si koncept në debatin intelektual shqiptar?

Siç shihet në tekstet që vijojnë citohet shpesh filozofi Giorgio Agamben i cili e përcakton jetën e zhveshur, me të cilën është marrë gjatë edhe H. Ahrendt, nëpërmjet një dallimi që bëhet në gjuhën greke midis dy nocioneve të jetës: zoé dhe bios: me zoé grekët shprehnin një gjë të përbashkët për të gjitha qëniet e gjalla: të jetosh, kurse nëpërmjet  bios, grekët kuptonin mënyrën e veçantë të të jetuarit të një grupi apo të një individi. Jeta e zhveshur, pra, është pranë  zoé-s të cilës Agambeni i kundërvë jetën politike, një jetë nga e cila nuk është kurrë e mundur të izolosh diçka si jetë e zhveshur një jetë për të cilën, në mënyrën
e saj të të jetuarit ka jetë dhe, në të jetuarit e saj, ka pjesë nga mënyra e saj e të jetuarit kjo përbën formën e jetës, si jetë politike. Në kulturën shqiptare jeta e zhveshur është ajo që në gjuhën popullore jo rrallë shqiptari i dëshpëruar e quan jetë kafshe apo jetë qeni. Madje në gjuhën shqipe ka edhe një dallim fjalësh që mund të shërbente për të sqaruar këtë koncept, e që nuk ka të bëjëme jetën në formën e  bios apo  zoé-s, - por me vdekjen. Për mbarimin e jetës së njerëzve në shqip përdoret folja vdiq dhe emri vdekje kurse për kafshët përdoret folja ngordh dhe emri ngordhje, por këto të fundit përdoren shpesh edhe për njerëzit jeta e të cilëve është reduktuar në jetën e kafshës, dmth në zoé, dmth në jetën e zhveshur. Agamben e quan njeriun e reduktuar në këtë gjendje  homo sacer, duke e marë këtë term nga e drejta e vjetër romake. Në të drejtën e vjetër romake homo sacer ishte një njeri që gjithkush mund ta vriste pa u konsideruar kjo vrasje si krim i vrasjes i parashikuar për tu dënuar nga drejtësia. Sipas Agamben çdo tentativë për të reflektuar mbi kategoritë tona politike duhet të nisë nga ndërgjegjësimi se në kohën e sotme nuk dimë më asgjë prej gjëje për dallimin që ekziston midis jetës natyrore dhe ekzistencës politike ose, më shkoqur, midis njeriut thjeshtë si qënie që gjallon dhe njeriut si subjekt politik. Kur jeta bëhet lojë e politikës dhe kjo transformohet në biopolitikë, thotë Agamben, të gjitha kategoritë themelore të reflektimit tonë, që nga ato të të drejtave të njeriut deri tek ato të demokracisë dhe qytetarisë hyjnë në një proces zhvleftësimi dhe boshësimi. Kush ka jetuar Shqipërinë e komunizmit dhe të paskomunizmit nuk mund të mos mendojë për këtë proces zhvleftësimi dhe boshësimi, nuk mund të mos e lidhë konceptin e jetës së zhveshur apo të  homo sacer me përvojën e jetës së shqiptarëve gjatë komunizmit dhe pastaj me atë se si u gjetën shqiptarët krejt të zhveshur në fillimtë viteve 90. Ekzodi i shqiptarëve ishte një ekzod i njeriut tëzhveshur, i njeriut të katandisur në homo sacer, që jetoi në komunizmin e kampeve të punës së detyruar, apo që rropatej në përditësinë e një jete të zhveshur krejtësisht nga pjesëmarrja në politikë, pra nga jeta politike. Po ashtu edhe shqiptarët që mbetën në vend në periudhën e ekzodeve masive dhe më pas janë bërë gjatë këtyre vjetëve vazhdimisht objekt ndërhyrjesh humanitare: kujtojmë operacionet Pelikan në fillimtë viteve 90 dhe Alba më 1997. Vrasja e mbi 2000 shqiptarëve gjatë vitit 1997 për shkak të trazirave anarkiste të rënies së piramidave ishte po ashtu një shprehje  par exellence e vrasjes së  homo sacer për të cilin kërkush nuk kërkoi drejtësi. Homo sacer janë edhe njerëzit e skafeve që janëmbyturme qindra në detinAdriatik gjatë këtyre viteve kujtojmë dy nga tragjeditë më të mëdha, atë të Otrantos dhe atë të fillimit të janarit 2004, kur në rastin e parë mbytësit ishin direkt anijet e Guardias italiane kurse në të dytin indirekt ato shqiptare (me indiferencën e tyre). Një anë tjetër e medaljes së jetës së zhveshur është ajo e katandisjes së njeriut në kriminel dhe vrasës që e ndeshim thuajse përditë në faqet e shtypit shqiptar të mbushura me histori krimesh të padëgjuara që flasin për shpërbërje të çdo sistemi etik e të çdo dinjiteti njerëzor. Në thelb edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një nga pamjet e  homo sacer. Fëmija që shihni në kopertinë duke lypur, pas shumë gjasash, kur të rritet mund të kthehet në një vrasës që shumë lehtë do të vritet ose do të vrasë çka, në thelb, është e njëja gjë: shprehje e mjerimit të një shoqërie ku njeriu është i zhveshur nga të mirat materiale nga dinjiteti, nga jeta politike.

Problemi i ndërhyrjes nuk mundet, pra, të shihet i palidhur me jetën e zhveshur. Vëmendja ndaj mjerimit, vuajtjes, zhveshjes, motivon dhe justifikon aksione humanitare që shpesh justifikojnë dhe shoqërojnë edhe ndërhyrjet ushtarake. Por, kur flitet për këtë lidhje, midis ndërhyrjes dhe humanitares, sikurse duket nga materialet që po botojmë, problematika është shumë e gjerë. Nëse aksioni humanitar analizohet në terma të logjikës së aktorëve të tij, të karrierës së militantëve dhe të marrëdhënieve me pushtetin, siç bëjnë edhe pjesa më emadhe e analistëve të politikës nga një këndvështrimantropologjik ai shihet si një lloj gjuhe që prodhon një tip të caktuar gjykimi mbi botën dhe përvijon një formë të veçantë të eksperiencës kolektive. Mënyra me të cilën i shqyrtojmë gjërat, p.sh. justifikimi i luftrave të drejta ose anketat mbi përgjegjësitë e forcave të ruajtjes së paqes për masakrat e kryera, negocimi i korridoreve humanitare ose administrimi i kampeve të refugjatëve, është thellësisht i ndikuar nga repertori i imazheve dhe veprimeve që përdor dhe ushqen aksioni humanitar. Teza që parashtron Didier Fassin i përmbahet mendimit se kjo gjuhë përcakton një hapësirë morale që ngrihet rreth një parimi në dukje i thjeshtë dhe unik: lehtësimi i vuajtjeve të viktimave, çka duket e thjeshtë kur thuhet, por që është shumë ambige kur vihet në praktikë. Disa nga kumtesat që po botojmë kanë si temë kryesore pikërisht trajtimin e kësaj problematike, kontradiktat dhe ambiguitetet që paraqisin ndërhyrjet ashtu sikurse sfidat për ndryshim. Duke qenë se duke iu referuar përvojës shqiptare theksin e vumë tek ndërhyrja dhe jeta e zhveshur vlen të theksojmë njërën nga këto:

Ndërhyrja dhe neoliberizmi: Një ndër problemet e lidhjes së ndërhyrjes me jetën e zhveshur është ai që ka të bëjë me lidhjen midis sistemit ekonomik që ka triumfuar sot në botë dhe humanitares. Problemi është, pra, se të pastrehët, të sëmurët me SIDA, lypësit, njerëzit kosh plehërash, ata që i quajnë nevojtarë si dhe mjerimi i tyre që thërret për urgjencë ekonomike, që bën të domosdoshme ndërhyrjen, janë në një kuptim më të gjerë dëshmi e pamjaftueshmërisë tronditëse të ekonomisë së derregullimit liberal dhe idealit të saj të vetërregullimit, të laisser faire.
E gjithë problematika që ka krijuar neoliberizmi, për të cilën sot nuk flitet në Shqipërinë që ka adoptuar në mënyrën më dogmatike kursin e neoliberizmit më të shfrenuar, ashtu sikurse adoptoi dje stalinizmin më të egër, ka bërë që në botë, sikurse tregojnë materialet që po botojmë, të lindin inisiativa të shumta për ta sfiduar apo korrigjuar këtë model ekonomik. Një mënyrë tjetër e konceptimit të ekonomisë: globalizmi tjetër, ekonomia tjetër, tregtia e barabartë apo tregtia etike, ekonomia social, mikro-financa kanë ambicien, deri për të qenë një alternativë ndaj kapitalizmit, për ndërtimin e nismave që do të kontribuonin për krijimin e një ekonomie më demokratike dhemë njerëzore.
Ekonomia solidare dhe aksioni humanitar, lindur që të dyja nga fundi i viteve 70, si pasojë e shfaqjes së varfërisë dhe e zhveshjes së popujve të përjashtuar, në mjerim dhe në nevojë, të nxjerrë jashtë kuadrit të zhvillimit dhe pasurimit, i bëjnë po ashtu jehonë vullnetarizmit me të cilin është abuzuar aq shumë në komunizëm por pa të cilin është vështirë të kuptohet një shoqëri dhe të ekzistojë tesuti i saj social aq i fragmentizuasr sot kudo në botë prej derregullimit dhe vetrregullimit e që gjen shprehjen e vet më dramatike në vende si Shqipëria ku këto procese shoqërohen me korrupsionin dhe abuzimin e të fuqishmëve me politikën.

Ndërhyrja dhe aktorët e rinj: Ndërhyrjet po ashtu kanë vënë në diskutim disa nga shtyllat kryesore mbi të cilat është ndërtuar rendi botëror si sovranitetet e shteteve. Ato, po ashtu, ato kanë fuqizuar edhe praninë e atyre mjediseve politike mbinacionale, që si fillesë, janë krijime ex nihilo të vetë shteteve, si OKB-ja, institucionet evropiane, etj., por pavarësia e të cilëve ngjall tensione të reja, meqënëse inisiativa e tyre priret vazhdimisht t'i destabilizojë sovranitetet ekzistuese. Nga ana tjetër kemi parë të lulëzojnë një tërësi organizatash të quajtura « joqeveritare », të cilat në mënyrën e tyre, e turbullojnë dhe e bëjnë më komplekse lojën. Zhvendosja e hapësirës së politikës nga këta aktorë si dhe nevojat që diktohen për ndryshim trajtohen në kumtesat e  Vincenzo de Lucas, Marc Abele, Pino Arlacchi, Caroline S. Hornstein. Ndërhyrjet kanë ngritur problemin e imponimit të modeleve perëndimore qoftë përsa i përket drejtësisë së këtij imponimi ashtu edhe përsa i përket mundësisë së funksionimit të tyre në një kulturë tjetër. Në këtë kontekst shfaqet aspekti i rezistencës ndaj ndërhyrjes (Marc Abele, Fatos Lubonja ).

Roli i Evropës dhe roli i SHBA. Cili do të ishte, në këtë kontekst, vendi i ndërhyrësve vullnetmirë siç paraqiten OJQ-të? Ndryshimi midis ndërhyrjes në Kosovë dhe Afganistan dhe ndërhyrjes në Irak, (Shkëlzen Gashi), roli gjithnjë e më në rritje i medias në raport me ndërhyrjen, ose më saktë mediatizimi i ndërhyrjeve me botën virtuale që krijon, të ndryshme nga ajo e realiteteve - janë tema që trajtohen në këtë numër të revistës Përpjekja gjithashtu. Bota pas rënies së komunizmit ka njohur zhvillime dhe ndryshime të tilla për të cilat ajo e ve vazhdimisht veten në dyshim dhe në kërkim si të rrugëzgjidhjeve ashtu edhe të trajtimeve konceptuale. Ky numër i Përpjekjes mbi ndërhyrjen është një dëshmi e qartë e kësaj.

Editorial: Kaoskriza kulturore shqiptare

Friday, 21 October 2011 20:12 Published in Nr. 18

Kur përpiqesh të përkufizosh atë që do të mund të quhej kultura shqiptare, për ta vendosur atë, pastaj, në kontekstin e politikave kulturore të tranzicionit të një vendi që ka dalë nga një regjim diktatorial komunist pesëdhjetëvjeçar dhe që aspiron të bëhet pjesë e atij që do ta quanim qytetërim perëndimor nuk mund të mos ballafaqohesh me një kompleksitet çështjesh.

 

Më së pari do të ballafaqohesh me multisemantikën e termit kulturë çka, pashmangshmërisht, do të të çojë në historinë e tij. Nga kjo histori nuk mund të mos veçosh faktin se termi filloi të përdoret në Gjermani si  Kultur në shekullin XVIII duke nënkuptuar fillimisht atë që francezët kuptonin me qytetërim (civilisation) si diçka e vetme dhe homogjenizuese: pak a shumë procesi i njerëzimit drejt emancipimit dhe progresit dhe se, ndërkaq, me Herderin kultura vendoset në shumës pra futet koncepti relativist i kulturës: flitet për kultura të popujve - dhe hapet debati franko-gjerman mbi kulturën dhe qytetërimin, që i vuri këto dy koncepte në kundërvënie ndaj njëri-tjetrit: Iluminizmi ndaj Romantizmit, shoqëria ndaj komunitetit, arsyeja ndaj shpirtit. Që prej asaj kohe nocioni kulturë dhe veçanërisht raporti me nocionin qytetërim ka zënë një vend të rëndësishëm në debatin intelektual perëndimor ku shohim qëndrime të ndryshme: disa i kundërvënë të dy nocionet: Niçja shkruante se qytetërimi kërkon diçka tjetër nga kultura, ndoshta të kundërtën e vet, kurse Frojdi me kulturë njerëzore kupton gjithçka që e ka ngritur jetën njerëzore përmbi kushtet e kafshës, që e bën atë të dallohet nga jeta e kafshës dhe po ashtu thotë se e përçmon ndarjen e kulturës nga qytetërimi. Sot si rezultat i kapërcimit të asaj periudhe historike kur Franca dhe Gjermania konsideroheshin dhe vetkonsideroheshin si popuj të zgjedhur, që drejtonin botën, ka një pranim të përgjithshëm se, kur themi kulturë kemi parasysh relativizmin e kulturave ashtu sikurse edhe kur themi qytetërim. Kemi gjithashtu parasysh historicitetin që përmban në vetvete koncepti, dhe se diferencat kulturore nuk duhen parë si kundërvënie ndaj asaj që quhet natyra njerëzore universale, përkundrazi  Homo culturalis i zhvillon kapacitetet e veta brenda dimensioneve apo limiteve të  Homo sapiensit. Pra, se është e mundshme të mendohet njëkohësisht edhe uniteti i njeriut edhe diversiteti i kulturave, pa të cilën mundësi do të ishte e vështirë të flitej për bashkëveprime të kulturave, për emancipime
dhe pluriidentitete çka do të thotë, tek e fundit, se do të ishte e vështirë të flitej edhe për hapje të kulturës shqiptare ndaj kulturave të tjera, për integrim evropian për aftësinë e individëve shqiptarë për të pasuruar identitetin e tyre kulturor.
* * *
Duke dashur të hyjmë në problemet e kulturës shqiptare, do të mbetemi pra tek ai koncept i kohës së sotme që njeh shumësinë e kulturave, dhe me kulturë shqiptare do të kemi parasysh - për aq sa mund të përgjithësohet një term i tillë - mënyrën e të jetuarit e të të menduarit të shoqërisë shqiptare, gjuhën me të cilën flasin e shkruajnë shqiptarët, zakone, doke dhe norma morale dominuese, institucione kulturore dominuese; me një fjalë të vetme: mënyrën e të qenit shqiptar. Po ashtu, meqë flasim për politika kulturore do të kemi parasysh konotacionin kolektiv të termit kulturë (gjermanët kanë një term për kulturën e individit  buildung dhe një tjetër për atë të një komuniteti Kultur). Nëse, mbështetur mbi këtë koncept, do të kërkojmë të gjejmë se cila është mënyra e të qenit shqiptar do të na shfaqet njëherësh e tashmja si gjendja statike e mënyrës së të jetuarit dhe menduarit, por edhe e shkuara e tij sepse e tashmja i ka rrënjët në një periudhë të gjatë kohe, më mirë të them në historinë e një populli. Ndoshta më mirë se kudo ky proces i gjatë historik është i mbresuar tek gjuha ku do të mund të dallohen si rrënjët më të thella edhe shtresëzimet e mëtejshme të bartura gjatë shekujve me influencat e ndryshme të ardhura nga kontaktet e ndryshme historike, me përmbysjet e forta dhe me tërë gjurmët e tyre. Nëse do të rrekemi të veçojmë ato më të dallueshmet rrënjë dhe shtresëzime kulturore shqiptare them se në rrënjët tona historike, ashtu sikurse edhe të shumë shoqërive të tjera, do të gjejmë ato që rëndom quhen doket e zakonet që burojnë nga kultura klanore, patriarkale e sintetizuar tek Kanuni. Mbi këtë është vendosur një influencë e gjatë e kulturës bizantine dhe pastaj otomane për të ardhur tek ndërfutja e fuqishme e themeleve të kulturës nacional-romantike të fundshekullit XIX që, duke futur influencat evropiane tek shqiptarët, krijoi mitet e nacionalizmit shqiptar, të cilat i vendosi mbi shtresëzimet e kulturës fetare, madje duke ngushtuar fort ndikimet e tyre. Mbi këto është vendosur kultura që krijoi e imponoi komunizmi për afro 50 vjet, e cila krijoi modelet e veta të të jetuarit dhe të të menduarit duke marrë në periudha të ndryshme nga kulturat e aleatëve të ndryshëm influencat e veta dhe, ashtu siç kishin bërë edhe paraardhëset, duke përjashtuar në mënyrë selektive shumëçka nga kultura e vjetër (psh. kulturën fetare, veçanërisht pjesën katolike) dhe duke ruajtur po ashtu (psh. mitet kryesore të nacionalizmit). Në këtë panoramë të përshkruar me një linjë të vetme, krejt shkurt, po të hysh do të gjesh gërshetime dhe detaje të pafundme të cilat nuk është vendi këtu për t i trajtuar. Po ashtu, kur flas për mbivendosje nuk kam parasysh një mbivendosje mekanike, por një proces shumë më të ndërlikuar sinkretizmi kulturor ku, veçanërisht kulturat që vijnë në periudha historike të mëpastajme, transformojnë apo mohojnë në masa të ndryshme ato paraardhëse. Gjithsesi do të thoja se në fund të komunizmit njeriu i zakonshëm shqiptar që kishte lindur në Shqipëri dhe kishte jetuar e ishte edukuar në periudhën e komunizmit ishte një njeri tek i cili do t i gjeje të gjitha këto shtresëzime; diku duke patur ndikime më të forta ato më të hershmet e diku ato më të rejat, varësisht nga kontaktet. Kuptohet se është shumë e vështirë dhe do të ishte madje e gabuar të bësh portretin e këtij njeriu duke kërkuar tipizim sepse do të binim në thjeshtëzim banal, duke harruar se tjetër është koncepti statik i kulturës si kulturë e një komuniteti apo populli dhe tjetër ai dinamik i kulturës së individit; tjetër është kultura mbizotëruese dhe tjetër janë subkulturat, por, nga ana tjetër, duke patur parasysh se komunizmi ishte një periudhë që synoi standardizimin maksimal të njeriut, për të mos thënë fabrikimin e njeriut të tij, ashtu sikurse edhe krijimin e një kulture unike homogjene, është më e lehtë se për çdo periudhë tjetër gjetja e një shqiptari standard në fillimtë viteve 90 si pjesë e një kulture standarde.
* * *
Gjithë duke vënë në dukje se po përdor thjeshtëzimin do të thoja se tek kultura shqiptare e dalë nga 50 vjet komunizëm gjenden të përziera, sigurisht në doza të ndryshme, kryesisht tiparet e tre kulturave kryesore: asaj patriarkale, asaj nacionaliste dhe asaj komuniste Tek pjesa patriarkale e shqiptarit do të gjenden, mbi të gjitha, tiparet e asaj kulture që mbështetet fort mbi identitetin klanor, mbi autoritetin e kryetarit të klanit i cili ndërton një strukturë vertikale pushteti dhe marrëdhëniesh njerëzore me tipare të theksuara sadomasokiste, mbi kultin e burrit dhe mbi kultin e nderit si atribut i burrit dhe, ku gruaja trajtohet si pronë. Me tipare kryesore të kulturës nacionaliste që filluan të mbresohen në ndërgjegjen e shqiptarit që nga fundi i shekullit XIX e veçanërisht në gjysmën e parë të shekulit XX do të kuptonim disa mite të futura thellë në mënyrën e të menduarit të shqiptarit si: miti i origjinës dhe i të qenit i pari në këto troje - që ekzaltonte krenarinë e shqiptarit si një popull i veçantë, që ekzaltonte antikitetin e popullit shqiptar dhe gjuhën shqipe si gjuha më e vjetër; mitin e homogjenitetit etnik dhe të pastërtisë kulturore sipas të cilit shqiptarët kishin mbetur gjithnjë shqiptarë të pastër të paprekur nga asnjë përzierje me elementë të huaj; mitin e luftrave të pandërprera kombëtare sipas të cilit shqiptarët e kishin çarë historinë me shpatë në dorë në luftë me romakët, galët, gotët, sllavët, turqit dhe me të gjithë të fuqishmit e kësaj bote.2 Po ashtu për të plotësuar këtë mitologji manikeiste me forcën e të keqes, shqiptarit i është servirur periudha otomane si një obskurantizëm i thellë prej të cilit Shqipëria doli në dritë në sajë të heronjve të rilindjes që luftuan me pushkë dhe penë të inspiruar nga Skënderbeu. Kulmi i kësaj lufte ishte viti 1912 kur flamuri i Skënderbeut u ngrit përsëri në Shqipëri. Kultura dominuese e pas luftës nacional çlirimtare karakterizohet nga ndërfutja mbi këta dy shtresëzime, e ideologjisë komuniste e cila u shfaq në trajtën e ndërtimit të një bote të re e të njeriut të ri ku një rol të rëndësishëm ka edhe procesi i pastrimit dhe i ndryshimit që imponoi komunizmi veçanërisht mbi zakonet e doket kanunore dhe ato fetare. Qysh prej asaj kohe kemi simbiozën sinkretike të këtyre dy kulturave kryesore, pa harruar asnjëherë tiparet më të moçme të kultit të klanit dhe të nderit që kanë ndikuar thellësisht në mënyrën e të qenit shqiptar. Ekzaltimi i luftës partizane u shoqërua me glorifikimin e betejave të mëparshme që nga ilirët e Skënderbeu e deri tek Lufta e Vlorës. Ekzaltimi i racës së pastër dhe superiore u përzie edhe me izolimin e Shqipërisë në emër të pastërtisë së marksizëm - leninizmit dhe ortodoksisë staliniste. Feja e shqiptarit është shqiptaria, mit i nacionalizmit shqiptar, u përdor nga Enver Hoxha ad literam duke shkatërruar kisha e xhami e duke e shpallur Shqipërinë të vetmin vend ateist, duke persekutuar priftërinj e hoxhallarë e duke i shpallur të tëra fetë vegla të armikut e duke e bërë shqiptarin qenien më pak fetare në Evropë. Një makinë e tërë krijimtarie artistike, studimesh shkencore, veçanërisht historike dhe gjuhësore, u vunë në shërbim të kësaj kulture regjimi. Influenca më e madhe ishte ajo e shkollave si dhe e letërsisë dhe kinematografisë. Gjatë viteve 70 Kinostudioja arriti të prodhonte 14 filma në vit si dhe një numër shumë të madh dokumentaresh që promovonin këtë kulturë.
* * *

 

Kultura me frymë patriarkalo - nacional - komuniste që u zhvillua në kohën e komunizmit e kushtëzoi mënyrën e të qenit shqiptar në mënyrë të atillë që cilido që kërkonte të quhej shqiptar i mirë duhej ta modelonte veten sipas modelit që i predikonte kjo kulturë. Ky model individi ishte një kombinim i normave të shoqërisë patriarkale, (ai i burrit të fortë e të zakonit, pa dobësi, që deri edhe dashurinë e quante dobësi, dhe i gruas së denjë për burrin dhe familjen e vet, që duhej të sakrifikohej për burrat dhe bijtë e familjes e që duhej të ruante nderin e tyre e të famljes, një nga betimet më të njohura të shqiptarit është për nder të familjes ), kombinuar,me idetë nacionaliste të superioritetit të racës e të përkatësisë në këtë racë e cila gati shkrihej në një të vetme me virtytet komuniste që predikonin vënien në shërbim, deri në vetsakrifikim, të këtij individi për Partinë dhe shokun Enver, të cilët ky i njihte si të vetmit profetë e njëherësh baballarë e udhërrëfyes të tij e të kombit. E gjithë kultura jonë ishte ndërtuar ashtu që ta pajiste individin me instrumente për të imituar/simuluar modelin që servirej. Ajo nuk e ftonte njeriun të futej brenda vetes, të njihte deri edhe dobësitë e tij, sepse dobësia është njerëzore, por thjesht të bënte sikur, pra të simulonte modelin e heroit që propagandohej. Mjafton të lexosh letërsinë, të shikosh filmat apo pikturat dhe skulpturat, të dëgjosh këngët që u krijuan gjatë pesëdhjetë vjetëve për ta parë këtëmodel dhedendësinëmetëcilënai i imponohej individit shqiptar. Një tipar tjetër i kësaj kulture ka qenë predikimi i unicitetit të saj, imponimi i saj si e vetmja kulturë e drejtë dhe e vetmja zotëruese e së vërtetës, predikimi i apostujve të saj, çka e bënte atë edhe një instrument të fuqishëm pushteti. Ajo ka qenë e mbushur cyt me të vërteta të ngrira morale dhe ideologjike, që pakkush guxonte t i prekte. Zotërimi, predikimi dhe përsëri zotërimi i të vërtetave të saj, së bashku me luftën për monopolin e tyre, ka qenë një nga mjetet e fuqishme të sundimit komunist.

Periudha postkomuniste

Nëse për qëllime krahasimi do të kërkojmë të gjejmë momente të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, që venë vula epokash, pa dyshim periudha pas komunizmit do të mund të krahasohet, për nga fuqia e impaktit dhe e ndryshimeve që po sjell në mënyrën e të qënit shqiptar, me momente të tilla revolucionesh kulturore në historinë e vendit siç është lindja e romantikës nacionaliste, si dhe vendosja e komunizmit, që shënojnë edhe kontaktet më të fuqishme me qytërimin evropian në historinë shqiptare. (Lidhur me komunizmin konteksti është më i komplikuar, por mendoj se, gjithsesi, rrënjët evropiane të tij janë të një rëndësie të dorës së parë përsa i përket futjes në Shqipëri të një prej ideologjive më të rëndësishme të shekullit XX.) Nuk mund të mohoet se gjatë këtyre dymbëdhjetë vjetëve tranzicion kontakti me atë që mund të quhet kultura perëndimore, ose, thënë ndryshe, kontakti me mënyrën e të qënit perëndimor ka qenë dominues sa për shkak të aspiratës së shqiptarëve për tu bërë pjesë e Evropës aq edhe për shkak të projekteve të Perëndimit për ta rritur hapësirën e vet gjeopolitikokulturore.
Presioni që ka ardhur nga kjo kulturë ka të bëjë sa me dekontaminimin e kulturës diktatoriale, patriarkale, nacional - komuniste aq edhe me implementimin e institucioneve kulturore evropiane. Nëse do të tentonim të rreshtonim vetëm disa nga sfidat kryesore që ka imponuar ky impakt do të përmendnim:
Pranimi në shoqëri i pluralitetit të kulturave dhe vlerave.
Kthimi i vetë kulturës nga instrument pushteti në instrument të njohjes, shprehjes, krijimit, komunikimit.
Prishja e strukturës vertikale klanore autoritare si në familje edhe në shoqëri si dhe çlirimi i gruas nga pushteti i burrit.
Kapërcimi i frymës nacionaliste, raciste - ku një vend të rëndësishëm ze rishkrimi i historisë dhe futja e idesë se njeriu është produkt i kulturës, jo i racës.
Njohja e kulturave të minoriteteve.
Njohja e besimeve të ndryshme.
Nevoja e rivlerësimit të trashëgimisë kulturore.
Nevoja e futjes së kulturës ekologjike.
Futja e krijimtarisë në tregun e lirë.
Decentralizimi.
Etj.

Nëse do të përcaktojmë fazën në të cilën ndodhemi pas 12 vjetësh tranzicion do të thoja se po përjetojmë fazën e një kaosi të madh të vlerave morale dhe kulturore si dhe fazën e një krize të thellë të identitetit kulturor. Pra, përballë këtyre sfidave dhe të tjerave që nuk u përmendën, rezultati mund të përshkruhet me bashkimimin e dy fjalëve: kaos dhe krizë: kaoskrizë. Kur flitet për kaos dhe krizë të kulturës shqiptare në periudhën postkomuniste do të kuptojmë më së pari dy procese të rëndësishme: krizën në vetvete të një kulture që shërbeu për pesëdhjetë vjet si një instrument pushteti dhe izolimi, dhune psiqike e mendore, i larjes së truve të shqiptarëve, çka solli edhe tjetërsimin e vetë kulturës; si dhe krizën e kësaj kulture për shkak të hapjes ndaj kulturave të tjera, nevojës për integrim, globalizmit. Ndërkaq, kur flitet për politika kulturore shqiptare duhet të kemi parasysh si ndërgjegjësimin për këtë krizë, edhe ndërtimin e strategjive për ta kapërcyer atë.
Ajo çka vihet re sot është, së pari ndërgjegjësimi i dobët për krizën dhe, së dyti, mungesa e politikave kulturore për kapërcimin e saj, rrjedhojë e kuptueshme e së parës. Sot pra në Shqipëri po përjetohet një kaozkrizë vlerash kulturore dhe morale, ku më një anë kultura e vjetër ende ka pushtetin, ku krijimtaria e komunizmit në vend se të dënohet si antivlerë vlerësohet si vlerë e parë, ku shoqëria nuk ka arritur të bëjë dekomunistizimin dhe katarsisin aq të nevojshëm për të hapur rrugën e një kulture të re, e ku, megjithatë, nga ana tjetër, ka një rikthim të Kanunit, të gjakmarrjes e të shitjes së gruas, bashkangjitur me një vërshim të kulturës komerciale perëndimore të cilat, që të gjitha, bashkëjetojnë për mrekulli në emër të kultit të dollarit dhe euros.
Një nga shkaqet e kësaj kaoskrize lidhet me faktin se kultura e trashëguar nga regjimi ishte e paaftë për t i dhënë shqiptarit instrumente për të përballuar realitetin e ri të impaktit të fuqishëm që shkaktoi hapja. Ishte një kulturë e tjetërsuar dhe e aftë vetëm për të riprodhuar vetveten, metodat e saj të mendimit e të krijimit.
Një shkak tjetër i rëndësishëm i kaosit është një fenomen karakteristik i tranzicionit edhe në vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore: Këto vende janë përballur me kërkesa kontradiktore me njëra tjetrën: më një anë kërkohej kthimi me frymë konservatore tek vlerat kulturore kombëtare të nëpërkëmbura nga komunizmi, që nga rikthimi i disa zakoneve dhe dokeve të vjetra e deri tek rigjallërimi i fesë; kursemë anën tjetër shtrohej nevoja e integrimit global, lufta për modernizim, çarja e izolimit, hyrja në tregun botëror të arteve bashkëkohore; futja e demokracisë kulturore vlerat e shoqërisë civile si vlera evropiane. Tek e fundit kjo ka shtuar kaosin duke shtruar çështjen: Kush po u jep trajtë sot vlerave, dialogut social, debateve kulturore?
Duke tentuar t i përgjigjesh kësaj pyetjeje nukmund tëmos kesh parasysh edhe faktin se kapitalizmi që po ndërtojmë, i bazuar mbi privatizimin e gjithshkaje publike, deri edhe të vetë institucioneve të shtetit, ka krijuar kushte të favorshme për lindjen e një ekonomie tepër të fuqishme kriminale dhe të korrupsionit, viktimat e natyrshme e së cilës janë ato fusha që nuk sjellin fitim të menjëhershëm ose që nuk janë fitimprurëse si arsimi dhe kultura.
* * *
Çka bije në sy është fakti se, për shkak të mungesës së instrumenteve të kulturës humaniste dhe kritike që nxit introspeksionin, mendimin kritik, dyshimin, kulturës komuniste iu rrëzua vetëm fasada, por i mbetën strukturat e saj të brendshme, metodat e saj të mendimit e të operimit që e bëjnë atë një kulturë të simulimit dhe manipulimit . Sot ndryshimi vetëm i fasadës ka bërë që të ndryshojnë modelet që i serviren shqiptarit për simulim e manipulim: këta modele ndryshojnë së jashtmi nga heroi i socrealizmit, ata mund të kenë tiparet e disidentit antikomunist apo të topmodeleve perëndimore, (nuk mungojnë modele të rinj të ndërtuar me frymën nacionaliste), por ajo që mbetet e përbashkët me të kaluarën është instrumentalizimi i tyre dhe gatishmëria e individit për t i simuluar ata në vend se të punojë për të krijuar individualitetin dhe personalitetin e vet.
Një shembull eksplicit se si vazhdon e njëjta frymë kulturore duke ndërruar vetëm emra dhe personazhe modelesh është mënyra se si është trajtuar figura e Nënë Terezës gjatë këtyre vjetëve. Nga një figurë që nuk ekzistonte fare në ndërgjegjen e shqiptarëve ajo u mor dhe u mitizua me tërë teknikat e romantikës nacionaliste duke u ekzaltuar qënia e saj shqiptare, raca, gjaku, e duke u injoruar përmbajtja e vërtetë e veprës së saj. Kohët e fundit pati një sulm të ashpër ndaj atyre studiueseve shqiptarë që e trajtuan çështjen e origjinës së saj me frymën evropiane të të menduarit sipas së cilës të qënit shqiptar nuk është një produkt i gjakut, racës, por i kulturës. Ndaj një artikulli të Aurel Plasarit lidhur me origjinën etnike të Nënë Terezës ku jepeshin prova se njëri prej prindërve të saj, i ati, është me origjinë vllehe (kurse e ëma shqiptare katolike nga Gjakova) u shpërhap një fushatë e tërë demonizuese në emër të krenarisë së gjakut atëror. E njëjta gjë ndodhi ndaj një shkrimi të Ardian Vehbiut me idenë se nuk është origjina e saj që duhet të frymëzojë shqiptarët, por thelbi i veprës së saj: e verteta eshte se Gonxhe Bojaxhiu, e lindur ne nje qytet te perandorise osmane në një familje shqipfolësish dhe e pavdekësuar falë përkushtimit ndaj të varfërve e të përvuajturve në anën tjetër të botës, u përket vetëm atyre qe ia kuptojnë dhimbjen dhe ngazëllimin. Çdo përpjekje tjetër për t ia etiketuar prejardhjen, genet dhe simpatitë etnike përtej kuriozitetit thjesht historiko-gjenealogjik të studiuesve dhe të arkivistëve është instrumentale dhe vetvetiu do të perceptohet si një tjetër kundërkontribut i shqiptarëve në thesarin e vlerave njerëzore të planetit. Shumica e autorëve i cilësuan pohime të tilla të si provokacione. Pjesa më e madhe e tyre, që vinin nga ish elita komuniste, vunë në përdorim,  par exellence, të njëjtat metoda krijimi dhe ekzaltimi modelesh si ato të nacional - komunizmit. Fushata arriti kulmin me një shkrim të Ismail Kadaresë të botuar në shtypin shqiptar Poshtërimi në Ballkan (së fundi i dalë edhe si libërth) i cili hedh idenë e një konspiracioni antishqiptar në të cilin qarqet e jashtme antishqiptare kanë gjetur edhe bashkëpunëtorët e tyre të brendshëm tek intelektualët e tipit Plasari apo Vehbiu të cilët i quan mohues shqiptarë. Sipas Kadaresë shpallja nga mohuesit shqiptarë si mite nacionaliste e gjithë modeleve shqiptare, që nga Kastrioti e Nënë Tereza është në përputhje me interesa qarqesh të ndryshme në Ballkan. Shqiptarëve u propozohet (nga mohuesit, F.L.) vetëposhtërimi. Kënga e kukuvajkës, fryma mohuese për gjithçka. [ ]Mëkati më i pafalshëmi rimohuesve është se, me transformimin që i bëjnë së keqes shqiptare, nga regjimi komunist tek kombi shqiptar, ata, dashur padashur, bëhen mbrojtësit e këtij regjimi. Duket qartë se si me të njëjtën metodë mitformuese të romantikës nacionaliste që e bënte otomanizmin si një të keqe të huaj për shqiptarët edhe komunizmi bëhet një e keqe që nuk ka të bëjë me ta. Duket po ashtu qartë se si, gjithë sipas metodave të nacional komunizmit, pasi fabrikohet një mit e bëhet i paprekshëm ai shërben edhe si mjet linçimi për ata që kanë kryer mëkatin e pafalshëm të vënies së tij në diskutim. Pra, kemi një demonizimtë frikshëmtë përpjekjes intelektule për ta deromantizuar historinë e Shqipërisë, për të dekonstruktuar mitet shqiptare të nacionalizmit në funksion të futjes së frymës kritike dhe humaniste, tek e fundit në funksion të njohjes më të mirë të vetvetes, për t iu përgjigjur kohës që jetojmë e për të projektuarmë mirë të ardhmen, dhe po ashtu për të ndërtuar një kulturë hapjeje ndaj kulturave të tjera evropiane, ku metoda kritike është tashmë mbisunduese.
* * *
Për të kuptuar edhe më mirë këtë realitet mjafton të vizitosh sot Muzeun Historik Kombëtar, i cili, siç është shprehur një evropian më 1999 është një muze i gjallë që dëshmon se si mund të manipulohet dhe përdoret historia. Një muze i trukimit të historisë. Megjithatë kohët po ndryshojnë. Autorët e përmendur nuk mund të dënohen sot me vite burgu për agjitacion e propagandë apo për tradhëti ndaj atdheut. Edhe pse në minorancë ata kanë zërin e tyre të rëndësishëm. Edhe ky numër i revistës është një përpjekje - në vazhdën e frymës së Përpjekjes - që synon të vihet në anën e atyre që mendojnë se të qënit shqiptar në një Shqipëri demokratike nuk mund të ndërtohet pa një kulturë të çliruar nga metodat e kulturës diktatoriale, patriarkale, nacional - komuniste.

Ky numër i  Përpjekjes është sponsorizuar pjesërisht nga  Policies for Culture, një program partneriteti rajonal që drejtohet nga European Cultural Foundation (Amsterdam) dhe ECUMEST Association (Bucharest). Policies for Culture e ka filluar aktivitetin e vet në vitin 2000. Në të marrin pjesë një numër i gjerë partnerësh si shoqata të pavarura kulturore, autoritete politike në rang lokal dhe kombëtar, parlamentarë, individë të ndryshëm që merren me artin, profesionistë, institucione universitare, ekspertë të politikave kulturore si dhe institucione politike evropiane.
Programi është i strukturuar rreth trekëndëshit shoqëri civile, ekzekutiv, legjislativ në fushën e kulturës. Bazohet mbi idenë se politikat publike në fushën e kulturës mund të kenë një impakt të vërtetë vetëm nëse ato ndërtohen në mënyrë të tillë që në përpunimin e tyre të marrin pjesë ata të cilave ato u drejtohen. Theksi është vënë në gjetjen e kanaleve të komunikimit midis këtyre tre niveleve që, zakonisht, nuk janë mësuar me këtë ndërveprim. Prandaj  Policies for Culture inkurajon në aktivitetin e vet ngritjen e strukturave të reja që do të mund të organizonin inisiativat qytetare në kulturë në mënyrë që zëri i njerëzve të dëgjohet dhe të respektohet nga politikanët si në nivel lokal edhe në nivel kombëtar. Po ashtu programi promovon procese që kanë parasysh kontekstin specifik të çdo vendi. Programi punon në nivele kombëtare, por edhe në nivele rajonale duke synuar rritjen e numrit të ekspertëve të ndërgjegjshëm për mekanizmat e politikbërjes demokratike në fushën e kulturës si dhe duke i aftësuar ata që të veprojnë edhe në nivel evropian. Tekstet e botuara në kadrin e këtij programi janë ata që vijojne nga faqja 11 deri në faqen 44. Ato janë përkthyer nga Idlir Hoxha.

Editorial: Shqipëria dhe Globalizimi

Friday, 21 October 2011 08:18 Published in Nr. 17

Ndoshta ky numër e meriton më shumë se çdo tjetër emrin që i kemi vënë revistës: Përpjekja. Kjo për arësye se ky numër i kushtohet globalizimit dhe përpjekjes, në këtë rast duhet t ia theksojmë kuptimin e vështirësisë edhe modestisë së pretendimeve. Kjo për arësye se, ndërsa, sikurse thotë një nga autorët e përzgjedhur, Gidens, debati mbi globalizimin mbase është debati më i rëndësishëm që zhvillohet sot në shkencat shoqërore si dhe ato politike, sepse ka një ndikim të fuqishëm mbi botën e teorisë politike dhe shkencat shoqërore, në Shqipëri ky debat thuajse nuk ekziston. Kësisoj, kjo mungesë e ka bërë të vështirë deri gjetjen e autorëve shqiptarë për ta trajtuar këtë temë kaq komplekse në kontekstin e zhvillimeve shqiptare dhe rajonale. Prandaj këtë numër e konsiderojmë si një përpjekje modeste, së pari, për ta bërë disi më të njohur në Shqipëri debatin mbi globalizimin dhe pastaj për ta kontekstualizuar atë.

 

Pse globalizimi nuk ka hyrë në debatin shqiptar?

Ka një sërë arësyesh pse globalizimi dhe debatet rreth tij janë krejt jashtë vemendjes së opinionit publik shqiptar. Ndër arsyet kryesore do të rendisnim: Së pari, debati mbi globalizimin është i ri edhe në Evropë edhe në botë. Ndërkohë që për fenomenin e globalizimit nuk mund të përcaktohet data e nisjes së tij, sepse autorë të ndryshëm e trajtojnë në mënyra të ndryshme, madje ka autorë që e trajtojnë si një fenomen të vjetër sa bota, për debatin rreth tij mund të thuhet, pa hezitim, se ai ka hyrë pas rënies së murit të Berlinit, dmth pas shembjes së sistemit bipolar të ndeshjes së dy sistemeve ideologjke dhe zhvillimeve që e pasuan atë në vitet 90, duke bërë që kjo epokë të quhet nga shumë autorë epoka e glabalizimit. Pra, duke qenë një debat relativisht i ri, kuptohet se, si çdo zhvillim tjetër i mendimit botëror, edhe ky do to hynte me vonesë në një vend si Shqipëria që i ka ende të mangëta si zhvillimet bashkëkohore edhe instrumentet kulturore për të ndjekur me një hap ecjen e mendimit botëror.

Një arësye tjetër është se, si tradicionalisht, edhe në këtë rast, elitat kulturore politike u impenjuan ne orientimin e shoqërisë shqiptare drejt imitimit të modeleve dhe teorive që vijnë nga bota më e përparuar, pa mundur të zhvillonin sensin kritik ndaj tyre. Pra Shqipëria, pas rënies së komunizmit, më shumë se çdo tjetër kërkoi të realizojë modelet e propozuara nga Perëndimi, ndërkohë që debati mbi globalizimin ka të bëjë pikërisht me shqetësimet në rritje lidhur me këto modele, dhe përgjithësisht ndaj politikave perëndimore, e veçanërisht amerikane, në këtë proces. Një arësye tjetër është se Shqipëria ka qenë tepër e zënë me çështjet e veta të brendshme, me përditësinë e ngjarjeve, të cilat nuk kanë lënë hapësira për klasën politike të krijojë vizione më afatgjata. Por, edhe kur i ka zhvilluar, ashtu si në tërë Ballkanin, një pjesë e mirë syresh janë sjellë kryesisht rreth vizioneve anakronike të çështjes së papërfunduar kombëtare, të krijimit të shtetit komb e të forcimit të sovranitetit të tij, ndërkohë që globalizimi nënkupton pikërisht ritrajtimin e koncepteve dhe vizioneve mbi shtetin komb dhe sovranitetin.

Por ka edhe një arësye tjetër të rëndësishme: Përgjithësisht debatin lidhur me globalizimin ose më saktë kontestimin e globalizimit e ka nxitur në Evropë e majta (ka edhe një të djathtë ekstreme që e konteston). Kjo, pasi e majta e ka parë globalizimin kryesisht si triumf të neoliberizmit amerikan dhe jo rrallë e ka trajtuar edhe si formë neokolonializmi ekonomik dhe kulturor. Ndërkaq, klasa politike kulturore shqiptare ka qenë refraktare ndaj ideve të së majtës evropiane, sa për shkak të përqafimit pa frymë kritike të modeleve liberale aq edhe për shkak të qëndrimit larg ideve të së majtës evropiane. Ky qëndrim, që mund të quhet edhe vetizolim, ka ndodhur pjesërisht për shkak se e kaluara ende e freskët komuniste e vendit i ka bërë njerëzit të jenë refraktarë ndaj ideve të së majtës në përgjithësi, dhe pjesërisht për shkak të një ndjenje faji të mjaft individëve që e përbëjnë këtë klasë për shkak të së kaluarës së tyre komuniste.

Por, a ka qenë Shqipëria jashtë proceseve të globalizimit duke qenë jashtë debatit?

Kur flitet për rolin e shtetit në procesin e globalizimit mendimet janë të ndryshme. Ka autorë si Tomas Friedman, që thonë se globalizimi nënkupton rritjen e rëndësisë së shtetit në kuptimin e institucioneve politike të një vendi, të gjyqsorit, të sistemit të qeverisjes: pra, sipas tij, shteti është si priza në një rrjet elektrik apo kompiuterik nëpërmjet të cilit mund të integrohesh ose jo në rrjet. Sipas Friedman sekreti i vogël që ai globalizimi të jetë i suksesshëm, është fokusimi tek gjërat themelore. Pra, ai nuk ka lidhje me telat apo gjerësinë e bandave apo modemet. Ai ka të bëjë me shkrimin, këndimin dhe arithmetikën. Ai ka të bëjë me kishat, sinagogat, tempujt dhe xhamitë. Ai ka të bëjë me shtetin ligjor, qeverisjen e mirë, ndërtimin e institucioneve, shtypin e lirë dhe procesin e demokratizimit. Nëse arrihen këto të drejta themelore atëhere telat do ta gjejnë njëri tjetrin dhe dhe do të funksionojnë. Nëse këto nuk punojnë asgjë nuk mund të na shpëtojë. Ka autorë të tjerë që argumentojnë se globalizimi po i jep fund epokës së shtetit-komb për shkak të intensifikimit të tregut global, çka do të bëjë që të mos jetë e largët koha kur bota do të qeveriset jo më nga shtetet, por nga qytete metropole. Që të dy këta vizione nëkuptojnë gjithsesi aftësinë për të hyrë në rrjetin global. Sikur ta shikosh rastin Shqipëri nga të dyja këto pikëpamje do të arrish në konkluzionin se, si për shkak të shtetit shumë të dobët, ashtu edhe për shkak të paaftësisë për të hyrë dhe konkuruar në tregun global, Shqipëria po i pëson fenomenet e globalizimit, me të mirat dhe të këqijat e veta, pa qenë e vetëdijshme për këto, madje duke qenë brenda rrjetit për shumë të këqija dhe jashtë tij për shumë të mira. Prandaj dhe debati i vonuar mbi globalizimin duhet të hyjë sa më parë edhe në Shqipëri. Globalizimi është një fenomen tepër kompleks, por, duke e thjeshtëzuar, mund të thuhet se ai ka tre aspekte kryesore: aspektin ekonomik, aspektin kulturor dhe aspektin politik.

Globalizimi në aspektin ekonomik konsiderohet se është rezultat i revolucioneve të fundit në teknologji, në informacion, tregëti, investime të jashtme dhe biznes ndërkombëtar si dhe i demokratizimit të këtyre, veçanërisht pas shembjes së murit. Aktorët kryesorë të këtij revolucioni janë të shumtë: kompani, investitorë, banka, dhe industri private kryesisht perëndimore, por jo vetëm; janë edhe shtetet me politikat e tyre ekonomike, ndër të cilët pa dyshim promotorët janë shtetet perëndimore me në krye SHBA si dhe organizmat ndërkombëtare ndër të cilët më së pari mund të përmenden FMN, Banka Botërore dhe OTB-i. Ndërkaq efektet e këtij revolucioni kompleks janë edhe ato komplekse dhe të mbarsura me mjaft kontradikta. Kur flitet për efektet pozitive edhe një autor si Stiglitz, mjaft kritik ndaj globalizimit, ve në dukje aspektet pozitive të globalizimit. Sipas tij zhvillimi i tregëtisë ndërkombëtare e ka ndihmuar zhvillimin ekonomik të mjaft vendeve pasi eksportet e një vendi nxisin rritjen e tij ekonomike. Rritja e udhëhequr nga eksporti ka qenë qendra e politikës industriale që pasuroi një pjesë të madhe të Azisë dhe u solli miliona njerëzve, atje, kushte më të mira. Për shkak të globalizimit, shumë njerëz në botë jetojnë më gjatë dhe standarti i tyre i jetesës është më i mirë.
Po ashtu, gjithë sipas tij, edhe pse firma të reja të huaja që hyjnë në një vend mund të dëmtojnë ndërmarrjet shtetërore që kanë qenë të mbrojtura, kjo, nga ana tjetër, mund të çojë gjithashtu në futjen e teknologjive të reja, në hapjen drejt tregjeve të reja dhe në krijimin e industrive të reja. Edhe ndihma e jashtme është një aspekt tjetër i botës së globalizuar. Me gjithë problemet e veta, edhe ajo ka sjellë përfitime për miliona njerëz kudo në botë.
Nuk mund të mohoet fakti se një vend si Shqipëria ka parë efektet pozitive të këtyre aspekteve, veçanërisht përsa i përket ndihmës së jashtme. Por edhe një farë teknologjie e re ka hyrë në Shqipëri dhe, në sajë të këtij procesi, mund të thuhet se shqiptarët e izoluar po ndjehen gjithnjë e më shumë pjesë e botës. Por, ndërkaq, debati mbi zhvillimet në vendet e Lindjes pas rënies së komunizmit nën efektin e globalizimit është i mbushur me kontradikta të cilat edhe eksperienca shqiptare i ngërthen fort. Një nga pikat e nxehta të këtij debati, që ka filluar të bëhet gjithnjë e më aktual në vendet e tjera të Lindjes, është ai se Perëndimi nuk është treguar luajal në ofrimin e modele të zhvillimit ekonomik këtyre vendeve. Se vetë Perëndimi nuk ka ndjekur të njëjtat politika ekonomike pas Luftës së Dytë si ato që u rekomandoi vendeve të Lindjes pas rënies së komunizmit. Sipas Stiglitz shumica e vendeve më të industrializuara, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë, e ndërtuan ekonominë e tyre duke mbrojtur me zgjuarsi dhe në mënyrë të përzgjedhur disa prej industrive të tyre, deri sa këto u bënë të forta për të konkuruar me kompanitë e huaja. Po ashtu, në kuadrin e kësaj kritike, përmendet fakti se vendet perëndimore i detyruan vendet e varfra të heqin barrierat tregëtare, duke parandaluar eksportet e prodhimeve bujqësore nga vendet e varfra, duke i lënë pa të ardhurat nga eksporti, për të cilat kanë aq shumë nevojë, ndërkohë që të vetat i mbajtën. Edhe çështja e kontrollit mbi kapitalin është një shembull tjetër: vendet europiane ndaluan lëvizjen e lirë të kapitalit deri sa erdhën vitet shtatëdhjetë. Vendet e vogla në zhvillim janë si varka të vogla. Liberalizimi i shpejtë i tregut të kapitaleve, siç nxitet nga FMN-ja, është njësoj sikur të nisësh varkën në një det të fortë para se t'i mbyllen vrimat, para se të jetë stërvitur kapiteni, para se të kenë marrë goma shpëtimi. Edhe në rrethanat më të mira mundësia është e madhe që ato të përmbysen kur i godet një dallgë e madhe.  Si shembull të mbrapshtisë së këtyre politikave, që, shpesh, sikurse ve në dukje Stiglitz pas përvojës së tij në Bankën Botërore, nuk janë mbështetur mbi ndonjë vizion afatgjatë, por në interesa të veçanta tregtare dhe financiare të vendeve të fuqishme dhe të kompanive të fuqishme brenda tyre, sillet kontrasti mes tranzicionit të Rusisë, i organizuar nga institucionet ekonomike ndërkombëtare, dhe ai i Kinës, i bërë nga vetë Kina. Ndërsa më 1990, prodhimi i përgjithshëm bruto (PPB-GDP) i Kinës ishte 60 përqind i asaj të Rusisë, në fund të dhjetëvjeçarit, raporti u përmbys. Në një kohë kur Rusia dëshmoi rritje të paparë të varfërisë, Kina pa një ulje të paparë të saj.
Në këtë kontekst Shqipëria është një shembull tjetër elokuent që do të shërbente për ilustrimin e imazhit të një barke të vogël që hyri në detin e global plot vrima e të çara dhe që e ka pësuar rëndë nga dallgët. Një vend që doli me një ekonomi të asfiksuar tërësisht nga 50 vjet izolim teknologjik e profesional nuk mund të konkuronte në tregun e lirë. E vetmja mënyrë konkurimi u bë nëpërmjet emigracionit, pra shitjes së krahut të punës si dhe zhvillimit të trafiqeve të drogës dhe të qënieve njerëzore. Për shumë njerëz kjo ekonomi solli varfërim dhe krijoi kaos social dhe politik. Bujqësia shqiptare u asfiksua krejtësisht, ndërkohë që shqiptarët u kthyen në argatë të keqpaguar, madje në të zezë, të fermerëve grekë. Kurse futja e ekonomisë në rrugët informale krijoi një kriminalitet të paparë që njohu edhe momente tragjike si ato të vitit 1997 kur u shembën piramidat financiare, - jo vetëm, por mund të thuhet se globalizim, nga pikpamja ekonomike, për Shqipërinë do të thotë mbi të gjitha futje e vendit në rrjetin e krimit të organizuar. Pasojat e një ekonomie të tillë janë të paparashikueshme.  Roli i shtetit në zhvillimet ekonomike është një problem tjetër që ngre debati mbi globalizimin. Veçanërisht pas prestigjit që fitoi liberalizmi në vitet '80 e pastaj, edhe më, në vitet 90, me shembjen e komunizmit, teoria politiko - ekonomike më e përhapur deri vonë theksonte se shteti duhet të ketë sa më pak rol në ekonominë dhe shoqërinë njerëzore, pasi ai priret të shtypë liritë, dhe, si rezultat, të pengojë mirëqenien njerëzore.
E dalë nga eksperienca e shtetit totalitar klasa e re politike shqiptare e përqafoi pa rezerva këtë model për shtetin dhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të institucioneve perëndimore, filloi një proces tkurrjeje të rolit të shtetit që në shumë aspekte ishte proces i domosdoshëm. Në këtë proces, përveç vështirësive, përsa i përket kompetitivitetit të ekonomisë shqiptare në tregun e lirë, që çuan në emigrimin masiv dhe ekonominë e trafiqeve, duhet të kemi parasysh edhe një tipar tjetër të zhvillimeve politike dhe ekonomisë shqiptare: brenda pak vitesh Shqipëria kaloi nga kolektivizimi i shfrenuar në një  ekonomi të privatizimit të egër, ku sfera e qarkullimit monetar mbizotëronte mbi ekonominë reale, ku pasuritë e mëdha krijoheshin e shembeshin nëpërmjet lojës financiare, korrupsionit politik e paligjshmërisë. Ligjet e kësaj ekonomie bënë që në Shqipëri të mund të pasuroheshin lehtë kryesisht dy kategori: ata që merreshin me punët e paligjshme dhe politikanët, të cilët mund t ua lehtësonin apo t ua pengonin atyre këto punë. Edhe procesi i privatizimit u mbështet në këtë filozofi. Kjo shtresë shoqërore filloi të pasurohej duke blerë prona të tilla si troje, hotele, fabrika, pjesë të bregdetit me potencial turistik etj. etj. (që pushtetarët i shisnin aty ku kishin interesa politiko-ekonomike), për të bërë atje investime ose për t i shitur pastaj me çmime shumë herë më të larta se ai i blerjes.6 Kjo rrethanë, e kombinuar me mungesën e traditës demokratike, bëri që natyra e shtetit që u ndërtua të ishte ajo e një shteti mafioz. Paradoksalisht, pra, modeli i një shteti liberal, që duhet të garantonte më shumë liri, dalëngadalë e çoi vendin në modelin e një shteti të ngjashëm me diktaturat ameriko-latine ku një pakicë gjithnjë e më e pasuruar kërkon të ruajë, me mjete që bëhen gjithnjë e më autoritare, privilegjet që ka fituar.
Në këtë kontekst ky përçudnim i shtetit liberal të promovuar nga globalizimi e bën edhe më të dukshme nevojën e debatit mbi kthimin tek teoria e ekonomistit të madh anglez Xhon Mejnard Kejns, të cilit i referohet edhe Stiglitz, sipas së cilës shteti mund të luajë rol të rëndësishëm në ndreqjen e një ekonomie dhe problemeve që sjell tregu. Në fakt problemi i rolit të shtetit shtrohet si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Forma neoliberale e kapitalizmit shtron një dilemë të rëndësishme: atë të kontradiktës midis efikasitetit të prodhimit më një anë dhe drejtësisë sociale më anën tjetër. Logjika e kapitalizmit të pastër nuk e favorizon drejtësinë sociale. Kësisoj, globalizimi ekonomik ka hapur probleme të mëdha pabarazie midis shteteve pasi shqetësimi për të qenë sa më kompetitiv globalisht i ka detyruar shtetet dhe aktorët e tjerë të kufizojnë masat për përballimin e problemeve sociale.

Globalizimi kulturor

Nuk ka dyshim se me një anë revolucioni teknologjik, të cilit do t'i theksonim përhaphen e medias elektronike dhe krijimin e rrjetit informatik të internetit dhe, më anë tjetër, globalizimi ekonomik, që të dy, duke lehtësuar komunikimin e njerëzve dhe të kulturave kanë nxitur edhe lëvizjen e të mirave kulturore. Nuk mohoet se kjo lëvizje njëherësh ka rritur shpejtësinë e emancipimit kulturor të shumë vendeve të margjinalizuara duke ulur dhe ndjenjën e izolimit të tyre. Kjo, veçanërisht për nje vend si Shqipëria, që jetoi 50 vjet e izoluar, ka efektin e një mrekullie. Por të një mrekullie verbuese, pasi, edhe në aspektin kulturor, efektet e globalizimit janë shumë kontradiktore prandaj dhe debati është shumë i ndezur edhe në këtë sferë. Çështja kyç e këtij debati është ajo e raportit midis atij që e kanë quajtur rrezik i uniformizimi (shpesh i quajtur edhe amerikanizim) dhe diversitetit. Bashkë me vërshimin kulturor amerikan nëpërmjet medias elektronike, internetit dhe përhapjes gjithnjë e më të madhe të gjuhës angleze kudo në botë kanë lindur, ku në një formë e ku në një tjetër, reaksione ndaj këtij vërshimi. Në vendet jo perëndimore ky reaksion ka marrë formën e një rilindjeje të kulturave dhe gjuhëve lokale si dhe të një sulmi kundër kulturës perëndimore që denoncohet si përçuesja arrogante e një ideologjie shekullare revolucionare që, sipas disa kritikëve, nuk është tjetër veçse një maskë e sundimit të SHBA. Por edhe brenda botës perëndimore lufta kundër uniformizimit është e madhe. Vendet evropiane kanë kohë që kanë filluar politikat e tyre kulturore për mbrojtjen ndaj amerikanizimit. Ndërkaq edhe në ShBA ka shqetësime për këtë frikë, madje lëvizja kundër glabalizimit ka nisur pikërisht atje.
Duke u kthyer tek Shqipëria mund të themi se fenomeni që u vu re ishte një hapje e pakontrulluar ose më mirë të themi pa instrumenta mbrojtës ndaj kulturës perëndimore, madje ndaj aspektit të saj më banal dhe më komercial duke e futur shoqërinë shqiptare në një krizë të fortë identiteti. Ndër shkaqet më të forta për këtë do të mund të përmendnim: së pari, rënien e shtetit komunist, i cili një pjesë të rëndësishme të politikave të veta kulturore e kishte bazuar edhe mbi ruajtjen dhe përpunimin e vlerave dhe të kulturës nacionale; së dyti, reaksionin e shqiptarëve ndaj këtyre politikave mbyllëse; së treti, trazirat dhe varfërinë ekonomike që përjetoi vendi më pas; së katërti, emigramin masiv për në Perëndim të shoqëruar me ikjen e trurit.

Identiteti kombëtar dhe identiteti evropian

Problemi i raportit të kulturës shqiptare me kulturën globale nuk mund të trajtohet jashtë aspiratës shqiptare për një përkatësi evropiane. Kulturalisht kjo do të thotë forcimi i ndjenjës së identitetit evropian krahas ruajtjes dhe zhvillimit të ndjenjës së indetitetit kombëtar. Kur flitet për identitetin evropian përmenden kryesisht disa principe themelore që kanë çuar përpara botën perëndimore të tilla si: trashëgimia greko - çifuto - kristiane, Rilindja evropiane, shkenca moderne që lindi me Kopernikun, Galileun, Keplerin, Njutonin, Dekartin, Bekonin etj, idetë e lirisë dhe barazisë që lindën nga Revolucioni Francez, mënyra e prodhimit kapitalist, laicizimi i shtetit, idetë e drejtësisë sociale që realizohen nëpërmjet luftës së klasave dhe shtetit social, pluripartitizmi. Këto nuk janë vetëm pronë e Evropës, por edhe e SHBA, Australisë si dhe të shumë vendeve të Azisë dhe Afrikës. Nuk mund të mohoet se edhe Shqipëria e Shekullit XX i ka bërë të vetat disa nga këto principe, madje edhe nëpërmjet komunizmit, që, pa dyshim, në shumë aspekte, ka qenë një rrugë e Shqipërisë drejt modernitetit prandaj dhe drejt një identiteti evropian. Ndërkaq, në këtë aspekt, sfida më e madhe duket se mbetet emancipimi i mëtejshëm i shoqërisë në drejtim të thellimit dhe përhapjes së atyre vlerave që karakterizojnë sot Evropën për t i bërë shqiptarët të ndjehen gjithnjë e më evropianë, çka nënkupton lënien prapa të kulturës sonë të vjetër patriarkale, të identifikimit me klanin, të shtypjes së gruas, të intolerancës, të gjakmarrjes, ashtu sikurse kapërcimin, shëmbëllyeshëm me Evropën, të pengesave historike të rëndësishme në marrëdhëniet me fqinjët ballkanikë, gjithë duke ruajtur dhe zhvilluar ato veçanti kulturore që përbëjnë identitetin shqiptar, njëherësh duke e universalizuar atë.
Por çështja e raportit midis identitetin nacional dhe atij evropian në procesin e globalizimit shtrohet edhe në aspektin e raportit të individit me këta dy identitete. Ky proces e vendos individin midis kulturës globale dhe asaj nacionale apo lokale. Sikurse ve në dukje Gidens globalizimi i ka krijuar mundësi individit të çdo vendi të jetojë në mënyrë më reflektuese drejt një të ardhmeje të hapur. Pra, nën efektin e globalizimit traditat dhe zakonet ndodhen nën presionin gjithnjë e më të madh të kulturave të tjera, veçanërisht të atyre që kanë më shumë fuqi përhapjeje. Mirëpo ky proces është shumë më kompleks nga ç'duket. Përballimi i një kulture të hapur do të thotë për individin që identitetin ta krijojë ai vetë, në vend që ta marrë nga një mjedis shoqëror ose nga një model tradicional. Ky, më një anë, është vërtet një proces çlirues, por, nga ana tjetër, edhe i mbarsur me plot rreziqe dhe të papritura. Dhe, kuptohet, bëhet i rrezikshëm atje ku një kulturë e caktuar nuk ka instrumentet e veta për ta ndihmuar individin që nëpërmjet saj ai të hapet ndaj kulturave të tjera. Në këtë rast individi ose do të bëhet një imitues i verbër i kulturave të tjera ose do të bëhet instrument i reaksionit ndaj tyre, sepse globalizimi krijon edhe reaksion të identiteteve kulturore lokale duke e futur individin në qorrsokake nacionaliste apo fondamentaliste. Janë dy ekstreme që puqen. Në Shqipëri vihet re më shumë fenomeni i imitimit, por nuk është e vështirë të kuptohet se sa pranë tij qëndron potencialisht edhe ekstremi i tij, prandaj dhe se sa i nevojshëm është debati mbi efektet e globalizimit edhe në aspektin kulturor.

Globalizimi politik

Globalizimi, duke ndryshuar sa ekonominë aq dhe kulturën, sa marrëdhëniet midis shteteve aq edhe shumë institucione brenda shteteve, domosdo ndikon mbi politikën, dhe, kuptohet, si mbi politikat e jashtme ashtu dhe mbi politikat e brendshme. Në fakt, entuziastët e globalizimit, siç e thamë, pretendojnë se ai po ndikon deri duke çuar drejt fundit të epokës së shtetitkomb.
Në këto kontekst duket se çdo shtet duhet të ridimensionojë raportet midis sovranitetit dhe ndërvarësisë. Në këtë kontekst edhe eksperimente të tilla si ai i Kosovës, si ai i luftës ashtu edhe ai i mënyrës së qeverisjes së saj, duhen kuptuar si efekte të globalizimit. Ndërkaq, skeptikët ndaj globalizmit në krahun e djathtë, konservator, veçanërisht pas 11 shtatorit, theksojnë se shteti mbetet gjithnjë institucioni më kryesor. Në debatin e tij me Friedman, Robert Kapllan i mëshon idesë se stabiliteti, aq i nevojshëm sa për vende të veçanta aq edhe për botën, sigurohet më shpesh në shtete që kanë më pak liri dhe demokraci, dhe prandaj, sipas tij, globalizimi, edhe pse në afate të gjata mund të sjellë gjëra të mira, në terma afat shkurtra mund të sjellë turbullira në vendet që nuk kanë pjekjen demokratike. Prandaj fton të mos entuziazmohemi shumë me globalizimin. Ndërkaq, e majta e konsideron si një formë neoklonializmi dhe, duke dashur t i përgjigjet nëmënyrë pozitive globalizmitme një alternativë e ka shndërruar së fundi parrullën No globo në New globo, duke ofruar alternativën e ndërtimint të një bote tjetër, por jo nga të pushtetshmit e politikës apo të biznesit, por nga poshtë, dmth të ndërtuar nga shoqëria civile. Kur flitet për globalizimin dhe politikën nuk mund të mos trajtohet, gjithashtu, problemi i dominimit në rritje të Shteteve të Bashkuara në politikat globale me gjithë implikimet që ka sjellë. Këtu spikat veçanërisht përplasja e SHBA me Evropën përsa i përket qëndrimeve ndaj luftës në Irak. Kjo përplasje rindezi debatin mbi institucione të tilla si OKB-ja, kritikat ndaj unilateralitetit në favor të multilateralitetit. Ajo shënjoi edhe një ndarje midis asaj që u quajt Evropa e Vjetër dhe Evropa e Re, duke rindezur diskutimin mbi vizionin e Evropës së Bashkuar dhe anëtarësimin në të si dhe identitetetin evropian ku vlen të përmenden një numër artikujsh botuart me këtë rast mbi këtë temë të shkruar nga figura të mëdha të mendimin evropian si Habermas, Derida, Eco. Ndërkohë që bota zjeu lidhur me luftën në Irak, qëndrimet e klasës politike shqiptare, pa dallim midis partive të majta apo të djathta, kanë qenë fortësisht në favor të qëndrimeve amerikane duke bërë që Shqipëria të jetë një ndër të paktët vende që çoi trupa në Irak, që ka nënshkruar traktat me SHBA për përjashtimin e subjekteve amerikane nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Arësyet e këtij unanimiteti pa kritikë dhe pa zëra ndryshe janë të shumta dhe nuk do të bënin pjesë në temën e këtij editoriali, por nuk mund të mohoet se një ndër arësyet është edhe mungesa e njohjes së tërë kësaj problematike që lidhet pa dyshim me globalizimin dhe rolin e SHBA në këtë proces. Ndërkaq problemi i raporti të shtetit/sheteve me globalizimin duket se ka të bëjë me një çështje edhe më të thellë sesa ajo se kush do ta dominojë botën. Sipas Gidens shumë fenomene të globalizimit të sotëm janë provë se ideja e rëndësishme e Iluminizmit sipas së cilës shkenca e dituria racionale na mundësojnë ta vëmë botën nën një kontroll gjithmonë e më të madh, e cila ka mbizotëruar gjatë dyqind vjetëve të fundit duke e shtyrë qytetërimin perëndimor të dilte si qyteterim global është në krizë. Disa fenomene të globalizimit të bëjnë të mendosh se në vend të shkojmë drejt një bote nën kontrollin tonë të plotë me organizimtë lartë dhe të parashikueshme - po shkojmë drejt një bote të përshkuar nga pasiguri të mëdha, ku nuk e dimë se çfarë sjell e nesërmja. Aktet terroriste të 11 shtatorit dhe luftrat e reja të SHBA janë një aspket i kësaj ashtu sikurse edhe kërcënimet që i vijnë botës nga pikpamja ekologjike e në përgjithësi nga komercializmi i shfrenuar. Sipas Gidens, ndonëse ideali Iluminist nuk është treguar i sukseshëm kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga synimi per të vënë më tepër rregull, kontroll dhe drejtim njerëzor të ndërgjegjshëm mbi botën.

Në këtë kontekst Stiglits e krahason atë që po ndodh me globaliziin në nivel botëror me fenoment e liberalizimit dhe nacionalizimit të vendeve evropiane në shekullin e 19-të. Por, sipas tij, në këtë rast nuk kemi një qeveri botërore, e cila jep llogari para popullit të çdo vendi dhe mbikqyr procesin e globalizimit ashtu siç udhëhoqën qeveritë kombëtare procesin e nacionalizimit, por një sistem që mund të quhet qeverisje globale pa qeveri globale, në të cilën disa institucione Banka Botërore, FMN-ja, OBT-ja dhe disa aktorë të tjerë ministritë e financës dhe tregëtisë, të lidhura ngushtë me disa interesa financaiare dhe tregtare mbizotërojnë skenën, por në të cilën shumë prej atyre që preken prej vendimeve që marrin këta janë lënë gati pa zë. Kuptohet se sa e rëndësishme është, pra, të kesh një zë për të përfaqësuar vendin tënd në këto procese. Shqipëria në këtë aspekt është shembulli më elokuent i pazëshmërisë.

Nga gjithë sa u përpoqëm të themi del qartë se globalizim është një proces në ngjizje e sipër, dhe pa dyshim ata që e njohin më mirë do të dinë më mirë ta orientojnë si në të mirë të njerëzimit ashtu edhe në të mirë të popujve që e përbëjnë këtë njerëzim.

Editorial: Mbi nevojën e dekonstruktimit të miteve

Thursday, 20 October 2011 12:08 Published in Nr. 15-16

Dynumërshi 15-16 i Përpjekjes përmbledh punimet e konferencës me temë Roli i miteve në historinë dhe zhvillimin e Shqipërisë që u mbajt në Londër nga 1 deri më 3 qershor 1999, organizuar nga School for Slavonic Studies (seksioni për Shqipërinë), Universiteti i Londrës me kujdesin e veçantë të drejtueses të këtij seksioni Stephanie Schwandner-Sievers. Shumica e kumtesave që u paraqitën në këtë konferencë janë, në thelb, një zbërthim i historisë së ndërtimit të miteve në funksion të momenteve historike dhe politike që kalonte ngjizja e kombit shqiptar, madje, shpesh, në funksion të ndërtimit të instrumenteve ideologjikë të pushtetit.

 

Mjaft syresh nuk janë tjetër veçse një ballafaqim i miteve më të rëndësishme shqiptare me historinë e Shqipërisë, ose i historisë ashtu siç e kanë përpunuar dhe pastaj njohur shqiptarët nëpërmjet frymës së romantikës nacionaliste, (kur bëhet fjalë për mitet e kapërcyellit të shekullit XIX) dhe asaj nacional - komuniste (kur bëhet fjalë për mitet e përpunuara në kohën e Enver Hoxhës) me historinë ashtu siç ka qenë në të vërtetë sipas shkencave historike. Mirëpo në pohimin e mësipërm dalin dy probleme të mëdha: Duke patur parasysh se, ashtu sikurse thotë George Schopflin në fjalën hyrëse, miti është formë e organizimit të një periudhe historike në mënyrë të tillë që ajo të ketë kuptim për një komunitet të caktuar:

- a ka kuptimtë flitet për një histori ashtu siç ka qenë në të vërtetë dhe, kush ka të drejtë ta përcaktojë historinë ashtu siç ka qenë në të vërtetë e në emër të çfarë të vërtete?

- ç kuptimka të çmontosh apo dekonstruktoshmitet e një komuniteti? Përgjigja e këtyre dy pyetjeve gjendet në mënyrë direkte apo indirekte në përmbajtjen e këtij volumi. Megjithatë na duket me vend të themi dy fjalë në editorial. Ka një shkollë mitologësh, të cilës i përket edhe Schopflin, që mbron idenë se përpjekjet për të çmitizuar, apo çmontuar një mit, mund të mos jenë me vend ngase zor se komuniteti do të mund ta kuptonte një qasje të tillë si ajo e dallimit tek mitet të të pavërtetave. Sipas Schopflin komuniteti zor se do t'i ndryshonte mënyrat e tij të sjelljes dhe të jetesës dhe zor se do të premtonte një sjellje tjetër në të ardhmen, të pandikuar nga mitet. Madje, gjithë sipas tij, kur komunitetit i sulmohet një nga mitet e tij, ai mund ta ndjejë veten të sulmuar. Në thelb Schopflin mbron idenë se njeriu ka nevojë të besojë, se pa besimin në disa simbole të përbashkëta, pavarësisht nga vërtetësia apo pavërtetësia e tyre, nuk mund të ketë komunitet, se individi që ka vendosur të jetojë në një komunitet është i detyruar t i respektojë këto shenja të përbashkëta. Madje edhe kur çmontojnë mitet e vjetra, njerëzit e bëjnë këtë në emër mitesh të rinj. Ka edhe një shkollë tjetër, për të cilën flet edhe Schopflin në hyrjen e tij, që i ka rrënjët tek Iluminizmi dhe që ka si përfaqësuesit e vet më të shquar në shekullin XX, marksizmin dhe liberalizmin, e cila, duke e konsideruar mitin thjeshtë si një formë e parë e njohjes njerëzore dhe e shpjegimit të gjërave e të universit, mbështetur mbi ndjenjën dhe jo mbi arësyen, thotë se në emër të njohjes racionale, asgjë nuk mund të përjashtohet nga dyshimi; se nuk ka njohuri ose dituri të privilegjuar ose të shenjtë. Kjo i jep më shumë dorë përmbysjeve të idhujve, rishikimit të miteve, rishkrimeve të historisë, lirisë së individit për t u rebeluar dhe, në përgjithësi, atij që quhet ndryshim drejt progresit dhe lirisë. Duket se historia e njerëzimit është rezultati i kësaj dinamike: besim, ndjenjë - dyshim, arësye e cila, nëpërmjet besimit të përbashkët në disa mite dhe ndjenjave rreth tyre e ka motivuar, organizuar dhe ruajtur shoqërinë nga shpërbërja, por, njëherësh, nëpërmjet dyshimit dhe arësyes i ka hapur rrugën ndryshimit,madje dhe krijimit tëmiteve të reja - Larvatus Prodeus (avancoj i maskuar) thoshte Dekarti, i cili futi dyshimin në mendimin filozofik të dominuar nga dogmat e Skolastikës. Dhe shpesh herë ecuria e kësaj dinamike, që i mëshon një herë më shumë besimit dhe ndjenjave sesa dyshimit e arësyes dhe anasjelltas, është varur shumë nga konteksti gjeografik, historik, kulturor, politik që ka përjetuar një shoqëri. Duke qenë se konferenca u zhvillua fill pas luftës në Kosovë, për tragjedinë e së cilës dihet se një rol jo pak të rëndësishëm kanë luajtur mitet e nacionalizmit agresiv serb, pjesa më e madhe e kumtuesve në Konferencën e Londrës kanë ardhur me idenë e nevojës së zbërthimit, apo dekonstruktimit të miteve.

Pse duhen dekonstruktuar mitet shqiptare

Para së gjithash duhet thënë se me zbërthim, çmitizim apo dekonstruktim të miteve, ashtu sikurse del qartë edhe nga kumtesat e kësaj konference, nuk duhet të kuptojmë as denigrimin dhe as hedhjen poshtë të tyre, por shpjegimin e historisë së lindjes së tyre; çfarë nevoje ka bërë që, në funksion të ngritjes së një miti, të kujtohet një ngjarje dhe të harrohet një tjetër, të lartësohet një figurë historike dhe të ulet një tjetër; si kanë vepruar mitet në jetën e shoqërisë, me të mirat dhe të këqijat e tyre; çfarë zhvillimesh
politike kanë ndikuar të harrohet një mit e të krijohet një i ri.
Historia shqiptare e shekullit XX ka qenë periudha e formimit të ndërgjegjes kombëtare shqiptare, e fitores së pavarësisë nga Turqia dhe e krijimit të shtetit komb, e luftës së Kosovës për t u çliruar nga sundimi serb. Kuptohet se një rol të rëndësishëm në këtë proces kanë luajtur mitet e romantikës nacionaliste shqiptare. Ndërkaq, dihet se periudha relativisht e shkurtër e procesit të kombformimit shqiptar ka qenë, në pjesën më të madhe të saj, e dominuar nga sundimi komunist. Në këtë kontekst Enver Hoxha, ashtu sikurse edhe frymëzuesi i tij Stalini, integroi në ideologjinë komuniste mjaft elemente të ideologjisë nacionaliste duke krijuar një sinkretizëm
ideologjik ku vazhdimi i procesit të kombformimit shqiptar u mpleks pandashëm me instrumentet e pushtetit komunist. Ndryshe nga ndonjë ide e përciptë se Hoxha nuk ka qenë nacionalist, ai, sikurse del edhe nga disa nga kumtesat e këtij volumi, krahas farkëtimit të miteve komuniste, në funksion të pushtetit të tij, nuk është kursyer në përdorimin e nacionalizmit shqiptar. Këtë nacionalizëm, i cili, në krye të herës lindi nga nevoja e shndërrimit në komb të një popullsie shqiptare të përçarë në përkatësi të ndryshme gjuhësore, fetare, fisnore dhe traditash të tjera, Enver Hoxha e shtyu deri në një radikalizëm vetëshkatërrues. Sikurse thotë Arshi Pipa: Hoxha qe vendimtar në përftimin e një atmosfere kulturore të dominuar totalisht nga një propagandë doktrinare që ekzaltonte nacionalizmin. Gjuhësia, letërsia, historia, folklori, dhe etnologjia u kultivuan jo vetëm për t u dhënë njerëzve një kuptim të së kaluarës së tyre, por edhe për të përhapur dhe kultivuar, sllavofobinë, izolacionizmin, kompaktësinë etnike dhe uniformitetin gjuhësor. (cituar nga kumtesa e Ger Duijzings (Fischer 1995: 47-48)). Veçanërisht me aktin e izolimit të Shqipërisë, vetëshkatërrimi në emër të nacional - komunizmit arriti kulmin e tij duke sjellë, ashtu si edhe në jo pak vende të botës, edhe diskreditimin e nacionalizmit në Shqipëri. Braktisja e vendit nga shqiptarët pas rënis së regjimit ishte prova më shprehëse e këtij diskreditimi. Pra, tjetërsimi i miteve të nacionalizmit, qoftë për shkak të sinkretizmit me ideologjinë komuniste qoftë për shkak të manipulimimit të tyre në funksion të një pushteti diktatorial, ashtu sikurse dhe vjetërimi dhe diskreditimi në kohën tonë i nacionalizmit si ideologji, janë dy arësye të rëndësishme pse mitet e tij duhen parë me sy kritik. Por ato duhen parë me vështrim kritik edhe nga pikpamja e zhvillimit të një shkence historike shqiptare. Historia e Shqipërisë ka nevojë të rishkruhet dhe rilexohet e pastruar nga ndikimi i mitologjisë nacional - komuniste, sepse, tek e fundit, historia si shkencë nuk shërben për t'i dhënë një identitet anëtarëve të një bashkësie, as për t'i mbushur atame krenari, por për të njohur vetveten, për të kuptuar të tashmen dhe projektuar të ardhmen. Historia e shqiptarve, ashtu siç e kanë mësuar dhe vazhdojnë ta mësojnë ata sipas historiografisë nacional-komuniste, të përpunuar në kohën e Enver Hoxhës, kalon nëpër këto memente kryesore të cilat i trajton me një frymë tejet glorifikuese:

- Periudha ilire, ku përmenden qytetërimi ilir i cili krahasohet për nga zhvillimi me atë grek dhe luftrat e lavdishme të ilirëve = shqiptarëve me romakët.
- Periudha e Mesjetës: konsiderohet si një periudhë e lulëzuar e qytetërimit shqiptar.
- Pushtimi otoman që vjen si një re e zezë për ta mbajtur Shqipërinë për pesëqind vjet në errësirë - dhe ky është shkaku kryesor i prapambetjes.
- Rilindja: përpjekja shqiptare me pushkë dhe me penë për t'u çliruar nga Turqia dhe për të rigjetur identitetin e humbur evropian.
- Pavarësia: rezultati i punës dhe luftës së shqiptarëve me në krye rilindasit.
- Lufta e Vlorës, që hodhi pushtuesin italian në det.
- Lufta Nacional - Çlirimtare, që çliroi Shqipërinë nga nazifashistët.

Deri tek Lufta Nacional - Çlirimtare thuajse asgjë nuk ka ndryshuar në mënyrën se si janë trajtuar këto periudha nga historiografia komuniste dhe si trajtohen në periudhën post komuniste (ndoshta duke u futur një dritë tjetër për kohën e Zogut dhe figurën e tij). Ndërkaq koha që jetojmë, faktet që kanë vërshuar pas hapjes së Shqipërisë që flasin veç tjerash edhe për falsifikimet e kryera nga historiografia nacional - komuniste, autorët e shumtë deri dje të ndaluar, kanë bërë mëse të qartë nevojën e rishkrimit dhe rileximit
të kësaj historie. Kumtesat e konferencës së Londrës mbi rolin e miteve në Shqipëri japin një kontribut të vyer për këtë rishkrim dhe rilexim. Ato qartësojnë mjaft probleme që do të revolucionarizonin historiografinë shqiptare duke u dhënë përgjigje edhe mjaft pyetjeve dhe paradokseve që ngre realiteti historik shqiptar të tilla si:
- Përse shqiptarët, ndonëse, sipas historisë që ata mësojnë për vetveten, janë kristianizuar disa shekuj më parë se sllavët dhe njëkohësisht me grekët u treguan më të gatshëm për të ndërruar fe se sa këta?
- Përse shqiptarët kanë qenë më të ndjeshëm ndaj betimit për Kanun sesa për Biblën dhe Kuranin?
- Përse alfabeti shqip (i një gjuhe që sipas asaj çka mësojnë shqiptarët nëpër shkolla edhe sot, është ndër më të vjetrat dhe më të vyerat në botë) u hartua vetëm në shekullin e njëzetë?
- Përse ekziston kjo intolerancë dhe egërsi e madhe midis shqiptarëve ndërkohë që, gjithë sipas historisë që ata mësojnë rëndom nëpër shkolla, kanë një të kaluar aq të ndritur dhe fisnike dhe kanë treguar një tolerancë fetare të pashembullt?
Këto paradokse e të tjera, sikurse del qartë në shumë prej kumtesave, mund të shpjegohen vetëm me faktin se historia e vërtetë e shqiptarëve ndryshon mjaft nga historia e shkruar në frymën e mitologjisë nacionalkomuniste e cila, sikurse e thamë, është një histori e krijuar, fillimisht me qëllimin që t i përputhej zgjimit të kombit shqiptar, i cili kishte nevojë të gjente motivime, frymëzime dhe besim në vetvete dhe pastaj një histori e shndërruar në instrument pushteti.
Shembullin më shprehës lidhur me dobinë, por edhe dëmin e miteve, na e jep Bernd Fischeri në kumtesën e tij  Perceptimi dhe realiteti mbi aftësitë ushtarake të Shqipërisë në shekullin e njëzetë ku flet mbi mitin e Luftës së Vlorës dhe atë të Luftës Nacional - Çlirimtare. Kur trajton mitin e Luftës së Vlorës ai thotë se pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e shqiptarëve në pastrimin e vendit nga të huajt ishte e rëndësishme në krijimin e idesë kombëtare shqiptare dhe kontribuoi fuqishëm në bashkimin kombëtar. Por, gjithë sipas tij, ekzaltimi i këtij miti pati edhe rrjedhime negative që përmbysën rrjedhimet pozitive. Zogu, i përpirë nga propaganda që vetë e kishte stisur, sikur vërtet disa mijëra shqiptarë kishin hedhur në det një fuqi të madhe, nuk e mori seriozisht ndërhyrjen politike dhe ekonomike të italianëve në Shqipëri. Kështu, italianët arritën të vendosnin kontroll mbi ekonominë shqiptare, fuqinë e vetos mbi çdo marrëveshje me vendet e huaja dhe argumenti i Zogut se italianët në çdo rast emergjence do të ishin lehtësisht të përballueshëm, qe vendimtar në krijimin e një force ushtarake të vogël e cila, për më tepër, ishte e pajisur dhe e stërvitur nga italianët. Po ashtu, kur flet për rezultatet negativetëmitit tëLuftësNacionalÇlirimtare, Fischeri, përveç përmendjes së faktit se ajo u bë instrument themelor i ruajtjessëpushtetit diktatorial ngakomunistët, thotënëkumtesën e tij se Një rezultat i drejtpërdrejtë negativ ishte efekti mbytës që lufta Nacional-Çlirimtarei krijoi kulturës shqiptare dhe sistemit arsimor. Kulti i partizanit arriti përmasa rrënqethëse, aq sa tekstet e historisë dhe të letërsisë për fëmijë, apo letërsia në përgjithësi, drama, filmi apo muzika ishin të gjitha të kufizuara në hapësirën që jepte kjo temë. Përvoja shqiptare e kohës së luftës, megjithëse zgjati vetëm pesë vjet, u bë pika e vetme orientuese e ekzistencës së Shqipërisë për gjysëm shekullin e ardhshëm.
Kur shohim se si trajtohet lufta në Kosovë, se si, në funksion të ndërtimit tënjëmiti, harrohet se Kosovën e çliroi Nato dhe jo UÇK-ja, çka nuk i shkon kohës dhe nevojave të shqiptarëve atje, bëhet më e qartë nevoja që një shoqëri të krijojë instrumentat për të vështruar në mënyrë kritike mitet e veta, në mënyrë që historitë e hidhura të mos përsëriten në forma të tjera.
Mitet, si formë e organizimit të një periudhe historike në mënyrë të tillë që ajo të ketë kuptim për një komunitet të caktuar si një aspekt i pashmangshëm i ekzistencës kolektive nuk janë një gjë e dhënë njëherë e përgjithmonë dhe e pandryshueshme. Ata janë pjesë e kulturës së një komuniteti dhe ndryshojnë sëbashku me kulturën e tij. Nevoja për të dekonstruktuar mitet, si dhe për të ndërtuar mite të reja, që të shprehin frymën e kohëve të reja, është pjesë e këtij procesi kulturor.
Le ta ilustrojmë këtë ide me nevojën që ndjehet sot për rishikimin e mitit të gjuhës shqipe, aq i rëndësishëm në romantikën nacionaliste për krijimin e identitetit shqiptar dhe po ashtu tejet i rëndësishëm në periudhën komuniste si instrument uniteti dhe pushteti. Përveç gjuhës, shqiptarët e patën vështirë të gjenin shenja të tjera të përbashkëta për identitetin e tyre kombëtar dhe historinë e tyre të përbashkët. Kjo e zhvilloi edhe më fort mitin e gjuhës, çka nuk është një fenomen i veçantë shqiptar në lëvizjet nacional - romantike të shekullit të kaluar. Ekzaltimi i këtij miti, që solli edhe një zhvillim të madh të shqipes në shekullin e XX, ka bërë që shqipja të shihet kryesisht si faktor identiteti dhe uniteti kombëtar. Në këtë frymë u krye nga Enver Hoxha edhe standartizimi i shqipes i cili e amputoi thuajse krejtësisht gegërishten nga jeta kulturore. Ndërkaq, fakti që shqiptarët njohin këtë gjuhë më mirë se çdo tjetër, ndjejnë muzikalitetin e kësaj gjuhe më mirë se çdo tjetër, shprehen më mirë se në çdo gjuhë tjetër, bashkuar me këtë mit të krijuar nga rilindasit dhe të rimarrë me forcë nga ideologjia nacional - komuniste, u ka ushqyer atyre perceptimin iracional të epërsisë së shqipes mbi gjuhët e tjera. Si pasojë edhe sot e kësaj dite shqiptarët besojnë se shqipja është një nga gjuhët më të vjetra në botë, madje ka nga ata që besojnë se është nëna e të gjitha gjuhëve, apo gjuha që shpjegon të gjitha gjuhët. Kjo ka bërë që ndër njerëzit e thjeshtë në thelb ajo të shihet si një entitet i dhënë njëherë e përgjithmonë, si një punë e mbaruar, kurse në mjaft rrethe gjuhëtarësh të konsiderohet e përfunduar dhe e kryer më së miri puna e standartizimit dhe si detyrë kryesore të konsiderohet ruajtja e atyre vlerave. Mirëpo, ndërkaq, shqipja, si pjesë tejet e qënësishme e kulturës shqiptare, në këtë periudhë postkomuniste po ballafaqohet të paktën me dy probleme të mëdha: njëri më ndërkombëtar dhe tjetri shumë më kombëtar: I pari ka të bëjë me ballafaqimin e kulturës shqiptare, pra dhe të shqipes, me hapjen ndaj kulturave të tjera me të cilat, për shkak të izolimit nacional - komunist, e ka pasur kontaktin mjaft të mangët, me ngritjen e nivelit të diskutimit në gjuhën shqipe në nivelin e këtyre kulturave për të arritur deri tek ballafaqimi me globalizimin, me erën e internetit. Më konkretisht, kjo do të thotë se shqipja ndodhet përballë nevojës së integrimit të një terminologjie që i ka munguar për shkak të izolimit nacional - komunist si dhe gjetjes së rrugëve se si të bëhet ky integrim. Me frymën puriste me të cilën kanë punuar në periudhën nacional-komuniste gjuhëtarët shqiptarë, që
arrritën të zëvëndësojnë fjalë të tilla si "fenomen"me "dukuri" duke harruar se shqiptarëve mund t u binte rradha të mësonin ndonjëherë edhe se ç'ishte fenomenologjia, kjo nuk mund të bëhet. Problemi i dytë ka të bëjë me rihapjen, pas rënies së komunizmit, të çështjes së raportit të shqipes standarte me gegërishten, çka, në thelb, shtron problemin nëse gegërishtja duhet të shuhet gradualisht në emër të unitetit kombëtar, duke i hapur rrugë forcimit të standartes, apo duhet të mësohet për shkak të asaj pjese të rëndësishme të trashëgimisë kulturore kombëtare që e kemi në gegërisht apo edhe të zhvillohet pasi është gjuha me të cilën
mund të shprehen më mirë, më natyrshëm dhe më bukur një pjesë jo e vogël e shqiptarve. Shqipja do të mund të ballafaqohet më me sukses me këto dy probleme të mëdha, që përmbajnë në vetvete edhe mjaft kontradikta të mprehta, nëse shqiptarët do të çlirohen nga vizioni mitologjik/ideologjik që kanë për gjuhën e tyre. Sfidat e lartpërmenduara mund të përballohen më me krijimtari vetëm nëse kalohet tek shikimi i shqipes si një organizëm i gjallë dhe i lëvizshëm, - sikurse është edhe kultura, - që është zhvilluar sëbashku me qytetërimin shqiptar, me kontaktet që ky ka pasur me qytetërimet e tjera, që madje ka pasqyruar këtë proces kulturor me ndikimet, hapjet, kufizimet, izolimet dhe ideologjizimet e veta. Një tjetër mit që i ka lënë shqiptarët pa e njohur historinë e tyre është ai i obskurantizmit turk, i cili, për nga natyra përgjithësisht manikeiste e miteve, ka përfaqësuar në mitologjinë nacional-romantike shqiptare forcat e të keqes - ndërkohë që realisht pasqyronte interesin e shkëputjes së shqiptarëve nga identiteti turk në periudhën kur ata luftonin për pavarësi dhe për mbrojtjen e territoreve të tyre nga synimet serbe dhe greke. Nevoja e ndërtimit të kësaj ane të kundërt të medaljes ka bërë që historia pesëqind vjeçare e bashkjetesës me turqit të lihet në errësirë. Në sfondin e errët të kujtesës kolektive të shqiptarve lidhur me këtë periudhë spikasin vetëm luftrat e Skënderbeut, kryengritjet e revoltat si dhe emrat e pashallarëve dhe vezirëve të shquar që ata i kanë dhënë perandorisë. Edhe kështjellat janë trajtuar si simbol i rezistencës shqiptare ndërkohë që dihet se shumica e tyre janë ngritur nga vetë turqit. Shqiptarët kanë pak ose shumë pak dije përsa i përket ndikimit pesëqind vjeçar të Turqisë në formësimin e shoqërisë, mendësisë dhe kulturës shqiptare, ndërkohë që pa këtë dije zor se do të mund të shpjegonin shumëçka nga ecuria e historisë së tyre dhe nga realiteti i tyre i sotëm shoqëror dhe kulturor.
Mbyllja mendore në mitet e vjetra në një kohë kur Shqipëria është hapur ndaj botës dhe ka nevojë të komunikojë krijon vështirësi të mëdha përsa i përket komunikimit të qënieve shqiptare me qëniet e tjera qoftë pranë kufijve qoftë larg tyre. Vështrimi kritik i miteve si dhe zbërthimi i tyre shkencor jo vetëm pasuron njohjen që një shoqëri ka për vetveten - me një fjalë kulturën e saj, - por bën më të mundur kuptimin e miteve të të tjerëve duke krijuar kështu hapërira më të mëdha komunikimi me të tjerët. Me mite me frymë anakronike shqiptarët nuk mund të komunikojnë me botën. Edhe kjo është një nga arsyet e shumta, sëbashku me mjaft të tjera, pse duhen dekonstruktuar mitet dhe pse ata duhen parë si pjesë e kulturës që ndryshon, zhvillohet dhe pasurohet me kohën.

Editorial: Dy fjalë ndjese lexuesit të Përpjekjes

Wednesday, 19 October 2011 19:04 Published in Nr. 13-14

Edhe këta dy numra që përmblidhen në këtë volum i kapërcyen kufijtë e kohës kur duhej të dilnin normalisht sikur të respektonim periodicitetin e revistës dmth. daljen e saj një herë në tre muaj. Është e hidhur të pohojmë se, ndërkohë që ambiciet e atij grupi intelektualësh që nisën Përpjekjen ishin që botimi i revistës të shpeshtohej, mundësisht ajo të bëhej e përmuajshme, si dhe tirazhi i saj të rritej, revista po del më rrallë dhe tirazhi i saj ka mbetur po aty ku ka qenë; ndërsa shitja është pakësuar. Përgjegjësia për këtë rënie bije kryesisht mbi drejtuesin e saj, autorin e këtyre radhëve, si dhe, pjesërisht, mbi atë grup intelektualësh të cilët, në krye të herës, e morën më me entuziazëm kontributin për revistën. Shkaqet e mpakjes së vullnetit dhe entuziazmit të tyre janë po ato që lidhen me zhgënjimin e tranzicionit të të gjithë shqiptarëve; me streset e panumërta që kemi kaluar këto dy vjetët e fundit, me vështirësit psikologjike dhe ekonomike që kanë krijuar ato dhe pjesërisht edhe me shkaqe personale të gjithsecilit.

 

Karakteri i revistës është i tillë që shkrimet që botohen aty vërtet ushqehen dhe inspirohen nga çka ndodh në Shqipëri, por një pjesë syresh janë krijime letrare, një pjesë tjetër studime dhe eseistikë, përgjithësisht shkrime që kërkojnë qetësi dhe kthjellësi mendimi. Kjo klimë ka munguar për drejtuesit e revistës, për autorët si dhe për lexuesin e saj. Ndërkaq pjesa më e mënçur e të rinjve po e lenë vazhdimisht vendin duke mos sjellë ndonjë kontribut të ndjeshëm intelektual për revistën.

Sot me trishtim vihet re se shqiptarët janë më pak të dhënë pas librit se ç'kanë qenë dje. Edhe dështimi i ambicies sonë për të shpeshtuar botimin e revistës dhe rritur tirazhin, është një nga treguesit e kësaj bjerrjeje. Në një nga numrat e ardhshëm do të përqëndrohemi në analizën dhe gjetjen e shkaqeve të kësaj bjerrjeje. Sodoqoftë Përpjekja do t'i vazhdojë përpjekjet e saj për të mbijetuar gjithnjë duke ruajtur frymën e saj e cila synon rritjen e frymës humaniste dhe kritike në kulturën shqiptare, përftimin e një kulturë që do t'i bënte shqiptarët më të aftë për të njohur vetveten dhe realitetin ku jetojnë dhe për të krijuar një kulturë që gjeneron kulturë.

Editorial: Dy fjalë lexuesit

Tuesday, 18 October 2011 16:43 Published in Nr. 11-12

I kërkojmë ndjesë lexuesit të Përpjekjes për vonesën e daljes së këtyre dy numrave të lidhura në një vëllim të vetëm. Ngjarjet e vitit të kaluar dëmtuan edhe ecurinë normale të botimit të revistës. Ato devijuan shumë emocione dhe shumë impenjim të bashkëpunëtorëve të revistës, madje detyruan disa prej tyre të largohen nga Shqipëria. Edhe botuesi i saj, Fatos Lubonja, u detyrua të merret gjatë gjysmës së parë të vitit me aktivitet të mirëfilltë politik, çka i mori shumë energji dhe kohë. Ky botim i  Përpjekjes përmbledh dokumente që dëshmojnë për ngjarjet e vitit që kaluam, i cili shpesh në shtyp dhe në fjalime politikanësh është quajtur një vit i mbrapshtë.

 

Është e vërtetë se viti 1997 ishte një vit tejet traumatik, i mbarsur me krime të tilla politike dhe ordinere që e tejkaluan edhe imagjinatën më të mbrapshtë të shqiptarëve. Megjithatë Përpjekja mendon se ay nuk ka qenë vetëm një vit i mbrapshtë. Ay ishte një vit që tregoi jo vetëm veset dhe mangësitë më të mëdha të shqiptarëve, por edhe cilësitë e tyre pozitive. Viti 1997 ishte viti i rrëzimit të një diktature të mbrapshtë, vit ku shqiptarët sfiduan dhunën shtetërore me një trimëri që s e kishin treguar kurrë më parë. Viti 1997 ishte viti kur për herë të parë parti të majta e të djathta u bashkuan mbi disa principe më të larta se interesat e ngushta partiake. Viti 1997 ishte vit në të cilin, megjithëse të armatosur gjer në dhëmbë, shqiptarët shkuan në votime në mënyrë të qytetëruar. Viti 1997 ishte viti në të cilin më në fund patëm televizione dhe radio private. Viti 1997 ishte viti i krijimit të një qeverie koalicioni që ndoshta është më e hapura që kemi pasur deri më sot. Viti 1997 ishte mbi të gjitha vit që tregoi dashurinë e shqiptarëve për jetën, forcën e tyre mbijetonjëse. Cilatdo qofshin vlerësimet për vitin 1997 një gjë është e pamohueshme: ai ishte një vit historik të cilit shqiptarët do t i kthehen dhe rikthehen për të njohur dhe kuptuar më mirë vetveten. Ky botim i Përpjekjes bëhet pikërisht duke patur parasysh këtë ide. Lexuesi që i ka të freskëta ngjarjet ndoshta nuk do ta gjejë shumë interesant. Por mendojmë se ky vëllim, ndonëse me mjaft mangësira, paraqet një panoramë të gjerë të asaj që ndodhi dhe, nga ana tjetër, me kalimin e kohës, do të bëhet shumë më i vlefshëm për ata që do të duan të studiojnë vitin 1997.

 

Editorial: Piramida prej balte

Monday, 17 October 2011 19:08 Published in Nr. 10

E gjithë bota i ktheu sytë me habi nga Shqipëria. Ç'është ky rast i veçantë? Si është e mundur që në kapërcyell të shekullit XX një shtet evropian të shkatërrohet deri në atë shkallë sa të hapen burgjet dhe depot e armatimeve, të armatoset e gjithë popullsia dhe vendi të mbesë në dorë të bandave kriminale? Si është e mundur që politikanët të cilët e shkaktuan këtë katastrofë, të mos ndjejnë asnjë lloj përgjegjësie, por, përkundrazi të përgatisin tragjedi të reja për popullin? Si është e mundur që vendet evropiane, ku politikanët detyrohen të japin dorëheqjen edhe për një skandal rryshfeti, të mbajnë qëndrime kaq të buta ndaj politikanësh të tillë?

 

 

Vakumet e historisë

E veçanta shqiptare nuk mund të kthjellohet pa e kthyer më parë vështrimin nga historia e këtij vendi. Në vitin 1912 njëri nga etërit e nacionalizmit shqiptar, Mithat Frashëri, shkruante se shqiptarët ndodheshin asokohe përpara detyrës që ta kthenin vendin e tyre nga një grumbull i shpërndarë fisesh në një komb. Shqipëria e vitit 1912 banohej nga fise të ndryshme në veri dhe në jug të lumit Shkumbin të cilët njihnin deri diku pushtetin qendror të Stambollit, apo përfaqësuesit e tij në vilajete, por që kishin fare pak lidhje ekonomike e shpirtërore me njëritjetrin. Të ndodhur në kufijtë ndarës të perandorive bizantine, otomane e austro-hungareze, shqiptarët, të cilët në Mesjetë kanë qenë kryesisht barinj shtegëtarë, të rekrutuar si mercenarë herë nga njëra perandori e herë nga tjetra, nuk arritën as të asimilohen, as të qytetërohen dhe as të marrin seriozisht ndonjërin prej tre besimeve të këtyre perandorive. Mund të thuhet pa frikë se në kapërcyell të shekulit XX shqiptarët ishin, ndër popujt ballkanikë, ata që kishin bërë më pak hapa se të tjerët për të dalë nga gjendja primitive. Lindja e shtetit të pavarur shqiptar më 1912 u bë i mundur më shumë nga frika e ndarjes së Shqipërisë nga Greqia e Serbia pas rënies së perandorisë otomane sesa nga nevoja e realizimit të aspiratave pozitive të shqiptarëve.

Kjo frikë, kryesisht e atyre shqiptarëve që ishin politikanë të Stambollit, dhe e një pjese intelektualësh romantikë që më vonë shqiptarët i quajtën Rilindasit e tyre, u bashkua me interesat e italianëve dhe të austrohungarezëve për Ballkanin. Këta të fundit ndikuan jo pak për të bindur Turqinë, armike e grekëve dhe e serbëve, të hiqte dorë nga sovraniteti mbi vendin e vogël buzë Adriatikut, me të cilin, pas luftrave ballkanike të 1912-tës, nuk kishte më vazhdimësi territoriale. Mithat Frashëri ve në dukje se më 1912 shteti i pavarur më shumë iu dhurua shqiptarëve nga konjukturat ndërkombëtare sesa u krijua dhe u organizua nga ata vetë. Nëse do t'i referohemi idesë se kombi nuk mund të konceptohet në mënyrë statike, pra, si bashkësi e njëkohshme e gjuhës, kulturës, racës, fesë, por në mënyrë dinamike, si proces i vazhdueshëm kombformimi, mund të themi se historia e shqiptarëve në shekullin XX tregon se sa e vështirë është rruga e ngjizjes së një kombi. Historia e Shqipërisë që nga 1912-ta e këtej, si histori e përpjekjes për të ndërtuar nga një grumbull fisesh dhe individësh një komb dhe një shoqëri, shpesh ka qenë histori e shpërdorimit të dhuratës që iu bë shqiptarëve më 1912. Dramat që përjetojnë shqiptarët në këtë shekull janë pasqyrë e vështirësisë për të kapërcyer vakumet e historisë, e pamjaftueshmërisë së atyre lëndëve lidhëse, siç janë feja e përbashkët, kultura e përbashkët apo ndërgjegja historike e përbashkët. Fati i Shqipërisë së shekullit XX më shumë se gjithçka mban vulën e dështimeve të klasës politike shqiptare dhe të elitës kulturore e klerikale shqiptare për ta përmbushur misionin e bashkimit të shqiptarëve rreth disa vlerave të pranuara nga të gjithë si themele të kombit. Në historinë 85-vjeçare të shtetit të pavarur shqiptar pa dyshim filloi të kultivohej e zhvillohet një frymë patriotike e mbështetur mbi simbolet e rilindasve, kryesisht mbi Skënderbeun, i cili, meqë kishte luftuar me turqit në shekulin XV, u shfrytëzua nga romantika e rilindasve shqiptarë për t'u ndarë nga identiteti turk. Kjo frymë filloi të përpunohej në shkallë të gjerë përgjithësisht në shkollat e kohës së mbretit Zog, por këto ishin shumë të pakta në një vend ku 90% e popullit qe analfabete. Nga ana tjetër, politika despotike e Zogut e persekutoi shumicën e trashëgimtarëve të ideve të rilindasve. Rezistenca antifashiste u mbështet kryesisht mbi këtë substrat patriotik dhe mbi idealet komuniste. Por edhe ky frymëzim u keqpërdor nga diktatura e egër që e pasoi atë. Fakti që më 1967 Hoxha shkatërroi edhe kishat e xhamijat, gjë që nuk ndodhi në asnjë vend tjetër të Lindjes, tregonte se sa e brishtë kishte qenë edhe ndjenja fetare në ndërgjegjen e shqiptarëve e, sëbashku me to, edhe vlerat morale që përçon ajo. Mungesa e themeleve të tilla ka bërë, në më të shpeshtën e herëve, që marrëveshjet e arritura mes grupeve, fiseve apo partive shqiptare të degjenerojnë në grindje, urrejtje e luftë ndaj njëri-tjetrit dhe, më në fund, në ushtrim të diktatit dhe dhunës nga pala më e fortë mbi palët më të dobëta; në kthimin te arketipi i vjetër i qeverisjes i cili buron nga karakteri dominant psikologjik i këtij kombi, që është karakteri i psikologjisë patriarkale: sundimi i më të madhit dhe i më të fortit mbi më të dobëtin. Metodat e këtij sundimi janë metodat e nënshtrimit dhe shkatërrimit të rivalëve, kallja e frikës nëpërmjet ushtrimit të dhunës, kokat e turkut, intrigat dhe prapaskenat.

Rëndom atë e quajnë mendësi orientale qeverisjeje. Ndryshe, duke përdorurnjë gjuhë të huazuar nga traktatet evropiano-perëndimore mbi shtetin, do ta quanim shtet i personave dhe jo i ligjit , shtet i dhunës dhe jo i detyrës. Një karakteristikë tjetër e veçantë e mëndësisë lindore të despotëve shqiptarë buron nga fakti se Shqipëria është një vend i vogël. Nëse despotizmi rus, p.sh., është karakterizuar nga ideja e kombit të madh që ka vendosur fatet e botës, despotët shqiptarë janë karakterizuar nga nevoja e një babai apo vëllai të madh. Gjatë historisë ata gjithmonë e kanë kërkuar dhe gjetur atë, por shpesh edhe e kanë tradhëtuar për të gjetur një tjetër, kur i pari nuk u ka ardhur për shtat interesave të tyre. Kjo ka bërë që në Shqipëri të sundojë ai lloj despoti që rëndom shqiptarët e quajnë  bajraktar, i cili, për të shtypur dhe sunduar ata që ka brënda, kërkon një mbështetje të fuqishme jashtë, dhe që është aq i egër brënda sa ç'është servil e i nënshtruar ndaj të madhit jashtë. Kjo i ka bërë shqiptarë që në sistemet e tyre despotike të ndjehen dy herë skllevër, ndaj despotit shqiptar dhe ndaj padronit të huaj.

Despotët evropianë kanë luajtur jo rrallë një rol të rëndësishëm në ngjizjen e kombeve. Edhe në Shqipëri nuk mund të mohohet se mbreti Zog krijoi i pari një administratë shtetërore shqiptare dhe se Enver Hoxha krijoi një gjuhë standarte dhe zhduku mjaft dallime midis Jugut dhe Veriut. Gjithashtu nuk mund të mohohet se shqiptarët kanë arritur diçka në rrugën e tyre të ngjizjes së kombit. Por, megjithatë, ngrehina që kanë ndërtuar despotët shqiptarë nuk ka qenë e qëndrueshme; ajo është shkërmoqur apo dëmtuar rëndë sa herë kanë rënë tërmete. Shkaku i kësaj dobësie është se despotët shqiptarë, pjellë e një populli me botë të varfër ideale, që ka jetuar në zgrip të mbijetesës biologjike, janë dominuar thjeshtë dhe vetëm nga etja për sundim. Dhe për të kënaqur këtë etje nuk janë ndalur përpara asnjë lloj intrige dhe manovre politike, përpara asnjë lloj aleance, edhe sikur kjo të ketë vënë në rrezik vetë ekzistencën e kombit. Pranimi, nga ana e komunistëve, i diktatit sërb gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe bashkëpunimi i nacionalistëve me gjermanët për t'iu kundërvënë komunistëve, janë vetëmdy shëmbuj ndër shëmbujt e shumtë që gjejmë në historinë shqiptare kur politika shkon ndesh me interesat e kombit. Enver Hoxha u prish me Jugosllavinë, pastaj me BSnë dhe pastaj me Kinën pikërisht në ato momente historike kur këto hodhën hapa politike pozitive vetëm pse i kërcënohej pushteti i tij dhe i klanit politik që e rrethonte. Më 1978 Shqipëria mbeti e izoluar nga e gjithë bota pikërisht sepse vetëm kështu Enver Hoxha mund të vazhdonte të sundonte. Dhe gjatë atyre viteve Shqipëria njohu rrënimin e plotë ekonomik. Ky arketip qeverisjeje ka triumfuar sa herë që shqiptarëvë u ka ardhur rasti të formojnë një shtet demokratik. Kongresi i Lushnjes i vitit 1920, i dalë nga një përfaqësi e gjerë e popullit shqiptar pas trazirave të Luftës së Parë Botërore, shpejt degjeneroi në sundimin despotik të Ahmet Zogut, kurse marrëveshja e Mukjes midis komunistëve dhe nacionalistëve më 1943 në sundimin diktatorial të Enver Hoxhës. Pra, sa herë që shqiptarëve u është dhënë mundësia të dalin nga një sistem despotik, forcat e reja politike që ka nxjerrë momenti historik janë prirur instiktivisht të rivendosin mënyrën e vjetër të sundimit, me të cilën populli është mësuar, duke krijuar një klan politik që ka eliminuar apo sunduar të tjerët. Sigurisht kjo çështje nuk lidhet vetëm me karakterin e një njeriu, por me krejt klasën politike dhe, më gjërë, me krejt edukimin e shoqërisë që i nxjerr ata në krye. Vetëm kjo shpjegon përsëritjen e të njëjtit fenomen me Sali Berishën, i cili sot pranoi më mirë ta çojë vendin në anarki të plotë, duke hapur depot e armatimeve dhe burgjet, sesa të hiqte dorë nga pushteti.

Arketipi i vjetër dhe konteksti i ri

Me rënien e komunizmit Shqipëria i humbi ato simbole apo shtylla identifikimi dhe organizimi, mbi të cilat ishte ndërtuar shteti diktatorial i Enver Hoxhës. Rënia e tyre e gjeti Shqipërinë tejet të varfër jo vetëm ekonomikisht, por edhe shpirtërisht. Asaj i mungonte një kujtesë e fortë historike dhe një ideologji nacionaliste, për të ndërtuar një diktaturë si ajo e Millosheviçit; i mungonin, gjithashtu, ato fidane të institucioneve demokratike - siç kishin vende si Polonia, Çekia apo Hungaria - për të zhvilluar një shtet demokratik. Revolucioni i ashtuquajtur demokratik erdhi në Shqipëri kryesisht në sens negativ, pra, si nevojë e shkatërrimit të prangave, ndërkohë që s'ishin përgatitur strukturat e ardhshme ndërtuese. Ai erdhi edhe si një shpresë e një ëndërr, por, ashtu si shteti i 1912-s, më shumë iu dhurua shqiptarëve nga konjukturat ndërkombëtare sesa u fitua nga puna e inteligjencës shqiptare.

I ashtuquajturi revolucion demokratik i vitit 1991 nuk kishte kuptimin e atyre revolucioneve ku një klasë e caktuar shoqërore, pasi është fuqizuar ekonomikisht, kërkon edhe pushtetin politik. Komunizmi nuk vdiq në Shqipëri nga suksesi i vet sikurse thuhet për feudalizmin në Evropë, por nga dështimi i vet. Ata që erdhën në pushtet nuk kishin asnjë pronë, dhe asnjë pasuri përveç pushtetit politik, përveç Partisë së tyre Demokratike. Në këto rrethana mbeti si gjasa më e mundshme ndërtimi i një shteti, ku metodat e vjetra autoritariste të kombinoheshin thjesht me lakminë e klasës së re politike për të nxjerë përfitime vetiake, dmth. ndërtimi i një shteti mafioz. Cilat qenë hapat që përshkoi ky shtet mafioz? Nëse do të lëmë jashtë faktorin e jashtëm, pra ngjarjet në Lindje dhe mbështetjen ndërkombëtare, mund të themi se brënda vëndit shtyllat kryesore që e sollën në pushtet Partinë Demokratike me në krye Sali Berishën përfaqësonin aspiratat e disa shtresave shoqërore. Po t'i paraqitnim ato sipas radhës së ndikimit në kohë mbi lëvizjen demokratike, do të përmendnim: pjesën më të ndriçuar të komunistëve, që ishte lodhur nga liderët dogmatikë dhe injorantë, intelektualët pa parti dhe rininë studentore me aspirata për hapjen e Shqipërisë drejt Perëndimit; të gjithë të persekutuarit politikë; diasporën, veçanërisht shqiptarët e SHBA; rrugën, në kuptimin e lumpenit, pra, të atyre forcave që ndjehen më mirë në shkatërrim dhe anarki sesa në ndërtim dhe shtet. Të gjitha këto tërhoqën në favorin e Partisë Demokratike masën e gjërë të popullit të pakënaqur dhe sollën marrjen e pushtetit më 22 mars 1992 nga Sali Berisha.

Mirëpo, për shkaqet e përmendura më sipër, veçanërisht nga mungesa e themeleve të forta morale dhe kulturore, jetën politike të Shqipërisë filluan ta dominojnë gjithnjë e më shumë forca, të cilat ishin vetëm njëra pjesë e revolucionit dhe, për fat të keq, ajo më e pamoralshmja e më agresivja. Ishin ata që filluan abuzimin me pushtetin që fituan. Shënjat e këtij abuzimi u shfaqën shumë herët. Partia Demokratike shumë shpejt u shndërrua në një klikë mafioze, ku u bënë së bashku ish-komunistë të vjetër fanatikë, të konvertuar në antikomunistë fanatikë, disa ish-të përndjekur në shërbim të tyre dhe gjithëfarë konformistësh të tjerë të seliitur në diktaturën enveriste. Me këtë strukturë intelektuale dhe shpirtërore kjo forcë politike nuk qe në gjendje të ndërtonte një shtet që t i udhëhiqte shqiptarët në rrugën e gjatë dhe të vështirë të lirisë. Ajo shumë shpejt mori kthesën për në qorrsokakun e vjetër të manipulimit të paditurisë së popullit dhe nënshtrimit tradicional ndaj sundimit autoritar. Për këtë një rol të rëndësishëm luajti Sali Berisha, njeri me një ambicje të pakufishme për pushtet, me komplekse inferioriteti ndaj intelektualëve qytetarë si dhe me një kompleks faji, që i buronte nga e kaluara e tij komuniste. Në ndjekje të arketipit të vjetër ky filloi luftën për eliminimin e rivalëve si jashtë partisë së tij, ashtu edhe brenda saj. Kësisoj, pas 22 marsit, shumë nga shtyllat që e sollën atë në pushtet filluan të bien njëra pas tjetrës: ra, më së pari, pjesa e intelektualëve ish-komunistë, pastaj një pjesë e mirë e intelektualëve të pavarur, pastaj intelektualët e moderuar, që bënin pjesë në partinë e tij, dhe po ashtu një pjesë e mirë e ish-të burgosurve politikë. Largimi i gjithë këtyre elementëve nga PD-ja afërmëndsh mori me vete një pjesë të mirë të masës së gjërë të popullit. Rënien e kësaj mbështetjeje

Berisha filloi ta kompensojë gjithnjë e më tepër me forcimin e mjeteve shtypëse. Kështu rifilloi, në kurriz të popullit të varfër shqiptar, ende të pamësuar me shijen e lirisë, politika krimi ndjell krimin. Hap pas hapi pushteti i Berishës u hoqi shqiptarëve të drejtën e porsafituar të demonstrimit; u ngushtoi në minimum hapësirën e porsafituar të informacionit; u hoqi pavarësinë e porsafituar të gjykatave; ua ktheu televizionin e porsaçliruar në mjet presioni dhe dizinformimi; filloi një privatizim të padrejtë të mbështetur në korrupsionin dhe në pasurimin e mbështetësve të klanit të tyre politik; i përçau sipas logjikës leniniste ome ne, o kundra nesh!; i rrahu dhe i burgosi padrejtësisht; u shkatërroi opozitën; dhe më në fund, më 26 Maj 1996, u vodhi mundësinë e vetme për të shpëtuar nga kjo klikë, votën e lirë... E megjithatë, shqiptarët, të mësuar me nënshtrimin ndaj shtetit, i duruan të gjitha këto. Protestat e opozitës pas 26 majit u shtypën shpejt. Dukej se regjimi i Berishës do të vazhdonte të sundonte i patrazuar, veçanërisht sa kohë që për të punonin shumë shoqëri financiare piramidale, të cilat njerëzit që merrnin përqindjet, i dinin se ishin të lidhura me shtetin mafioz. Lejimi, madje ndërtimi nga shteti i këtyre piramidave, të cilat merreshin edhe me qarkullim parashë të pista e me kontrabanda gjithfarëshe, shkelja e embargos së naftës në favor të Serbisë e organizuar në një kohë që televizioni shtetëror fliste vazhdimisht për shtypjen nga serbët të vëllezërve në Kosovë, organizimi nga policia shqiptare e trafikut të drogës dhe refugjatëve, ishin shenja të qarta të shtetit mafioz, i cili, pa dyshim, nuk mund të qëndronte në këmbë pa komplicitetin e një populli të mësuar të jetonte vetëm për bukë dhe cirk.

Zhvillimet e ngjarjeve të fundit?

U desh falimentimi i piramidave, çka shqiptarët e ndjenë si një mashtrim dhe grabitje financiare nga ana e shtetit, që shumica, deri atëhere e pandjeshme ndaj shtypjes së lirive dhe të të drejtave të njeriut, ta humbiste më në fund durimin me shtetin mafioz. Njerëzit filluan të protestojnë, veçanërisht në Vlorë, qytet ndër më të goditurit nga mashtrimi financiar. Opozita shqiptare e topitur filloi të ngjallej. E bashkuar në  Forumin për Demokraci ajo filloi të organizojë mitingjet e para shumica e të cilave u shtypën nga policia, veçanërisht në Tiranë, por ata treguan qartë se populli tashmë kërkonte t i lante hesapet me klasën politike që e kishte mashtruar.

Duke ndjerë se këto demonstrime paqësore do të merrnin përmasa si ato të Beogradit apo Sofjes, Berisha bëri çmos t i shypte. Dërgoi në Vlorë trupa speciale të cilët ditën e parë i vunë demostruesit përpara, i rrahën dhe i poshtëruan. Por, të nesërmen, vlonjatët u organizuan dhe, të armatosur me gurë, i sulmuan dhe i nxorrën jashtë qytetit pasi i rrahën, i zhveshën e u dogjën rrobat e mburojat plastike. Skenat e dhunshme kundër policisë, që e gjithë bota i pa në televizor, nuk ishin thjesht revoltë për humbje të hollash, por rrjedhojë e pritshme e dhunës së atyre ditëve dhe, më gjerë, e një jete me liri të dhunuar, rrjedhojë e një abuzimi të paskrupullt me durimin e njerëzve. Ishte e pritshme që një popull, i cili nuk u la të demonstronte as me lule, të demonstronteme gurë. Ishte e pritshme që një popull, i cili nuk u la t'i korrigjonte institucionet e pushtetitme votën dhe opozitën e tij, t'i korrigjonte ato
me flakë. Vlora triumfoi mbi ligjin e Berishës, që ndalonte demonstrimet pa leje, pasi la në sheshin e protestave tre të vdekur. Pas disa ditësh studentët e Universitetit të Vlorës hynë në një grevë urie me kërkesë kryesore dorëheqjen e qeverisë. Edhe studentët e Tiranës u solidarizuan me ta në protesta dhe kërkuan të hyjnë në grevë. Filluan të shpeshtohen demostrimet edhe në Tiranë. Disa ditë pas studentëve të Vlorës, hynë në grevë edhe studentët e Gjirokastrës të mbështetur nga populli i qytetit. Opozita e grupuar në  Forumin për Demokraci i bëri thirrje Berishës të fillonte samë parë dialogun. Ajo e paralajmëroi se duhej të fillonte uljen e butë të avionit, pasi motorri ishte prishur ashtu dhe aq keq sa nga çasti në çast do të sillte shkatërrimin e tij të plotë. Por ky kishte vendosur ta vazhdonte sa të mundte këtë fluturim tragjik. Vazhdoi të provokojë me dhunë popullin e Vlorës derisa e detyroi t i kundërpërgjigjej me vrasje vrasjeve të policisë së fshehtë. Numri i të vdekurve nga të dyja palët e kaloi dhjetën. Ndërkaq rebelimi përfshiu edhe qytetet e tjera të Jugut. Berisha shpalli dorëheqjen e qeverisë Meksi, por të nesërmen tha se do të krijonte një qeveri tjetër, po të Partisë Demokratike. Kjo bëri që studentët në Vlorë të deklaronin se do të vazhdonin grevën e urisë. Në Vlorë u ngritën zëra se duhet të marshonin drejt Tiranës. Berisha, në vend që të ulej në tryezë me opozitën, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, mobilizoi ushtrinë, të cilën e vuri nën komandën e shefit famëkeq të SHIK-ut, Gazidede, dhe i bëri popullit të Jugut ultimatumin për dorëzimin brenda 48 orëve. Këtë e shoqëroi edhe me ndalimin e shtypit, madje ndërpreu edhe valët e transmetimeve televizive ndërkombëtare. Po atë natë iu vu zjarri selisë së gazetës më të madhe të pavarur, Koha Jonë. Në këtë terr total informacioni pritej të bëhej masakra. Shqiptarët mbetën me frymën pezull. Ishte e pabesueshme që një udhëheqës të arrinte deri këtu. A do ta kishte bërë këtë Enver Hoxha? Çfarë do të bënin njerëzit në Jug: do të dorëzoheshin apo do të rezistonin?

Populli i Jugut nuk u dorëzua dhe ushtria në pjesën më të madhe nuk qëlloi. Pati sulme sporadike dhe të vrarë në disa qytete, por plani i një sulmi total ushtarak mbi Jugun, i hartuar në zyrat e Berishës, nuk u realizua. Shumëoficerë dhe ushtarë dezertuan. Shqiptarët treguan se, gjithësesi, e kishin një identitet të tyrin, se nuk ishin tre etni si në Bosnje, por një e vetme. Ndërkaq Jugu shpërtheu depot dhe u armatos i tëri me qëllim vetëmbrojtjeje duke kaluar përfundimisht nga protestat paqësore në kryengritje të armatosur. I mbetur më keq se kurrë, Berisha kërkoi rrugëdalje nëpërmejt kompromisit me partitë politike të opozitës. Opozita, me qendër në Tiranë, i kishte përkrahur, madje edhe nxitur, protestat paqësore të Vlorës. Mirëpo në momentin kur këto u shndërruan në kryengritje të armatosur, ajo u ndje e izoluar prej tyre, gati si e mbajtur peng nga Berisha në Tiranë, ku ky kishte ende shumë struktura që e mbështesnin. Veç këtyre ai kishte edhe rrethinat me banorë të ardhur nga krahina e tij, shumicën e të cilëve i kishte mobilizuar në policinë e rregullt apo të fshehtë. Gjithashtu, sipas të dhënash të sigurta, në Tiranë dhe qytete të tjera të Veriut kishte kohë që kishte filluar armatosja e anëtarëve dhe e simpatizantëve të PD-së. Politikanët e opozitës në Tiranë ndjenin të rrezikuar edhe jetën personale.

Në këto kushte, pas disa bisedash paraprake me Berishën, të përgatitura edhe me ndërmjetësinë e mbështetësit kryesor të Berishës në qarqet diplomatike, ambasadorit italian, më 9 mars liderët e tre prej partive të Forumit për Demokraci, partisë Socialiste, Social Demokrate dhe partisë Aleanca Demokratike, u ulën në tryezën e bisedimeve. Në krye kishin presidentin kurse përballë kishin Partinë Demkratike dhe gjashtë parti të vogla satelite të saj. Berisha u serviri një akt të pajtimit kombëtar ku parashikohej krijimi i një qeverie koalicioni me të njëjtin emër, e cila do të bënte çarmatosjen e Jugut për dy javë, dhe do të përgatiste zgjedhjet e reja sa më parë. Liderët e partive të opozitës e firmosën atë brenda ditës. Firmosja e marrëveshjes së 9 marsit ishte një akt dobësie i opozitës në momentin kur Berisha kishte dështuar në tentativën e dorës ushtarake kundër Jugut dhe kur gjendej më i dobët se kurrë si brenda edhe jashtë vendit. Kishte ardhur koha të kërkohej dorëheqja dhe dënimi i tij e jo të bëhej pajtimi me të. Poende, nuk mund të quhej pajtim kombëtar ai mes popullit dhe një qeverie të korruptuar; gjithashtu, nuk kishte tagër asnjë parti e opozitës ta kryente këtë akt pa thirrur në tryezë përfaqësuesit e popullit të vrarë në Jug, të cilët tashmë ishin duke krijuar Komitetet e Shpëtimit. Të nesërmen, si për të provuar plotësisht karakterin bizantin të këtij pajtimi, me urdhër nga lart u hapën depot e armatimeve në Veri dhe në Tiranë, ku s kishte pasur trazira. Një ekip televiziv s dihet se si u gjend në një fshat të Tropojës, krahinë e Sali Berishës, ku filmoi grabitjen e një depoje armatimi dhe njerëzit që tundnin armët kundër Jugut. Mediat e huaja, veçanërisht ato italiane, filluan të flasin për luftë civile Veri - Jug. Dukej sikur gazetarët mezi e prisnin gjakun për të pasur ngjarje televizive. Mirëpo shpejt u kuptua se lufta civile Veri - Jug ishte një bllof apo një tentativë e dështuar. Në vend të luftës civile vendin e pushtoi anarkia. Shqiptarët, kush i udhëzuar, kush me ëndrrën e vjetër për të pasur një pushkë, kush i trembur, kush me ankthin e të nesërmes, kush duke imituar tjetrin, u vërsulën drejt depove të armatimeve dhe filluan tëmerrnin aty ç tëmundin, deri tekmortajat edhe lëndët radioaktive. Më pas, veçanërisht në të ngrysur, filluan të shtijnë në ajër, për të mbajtur gjallë frikën, nga qejfi apo nga frika, apo për të provuar armën që kishin në dorë. Njerëz të armatosur iu drejtuan edhe burgjeve dhe liruan të burgosurit ku 700 nga 1500 ishin të dënuar për vrasje. Numri i të vrarëve ato ditë, kryesisht nga plumbat e shtirë në ajër, e kaloi dyqindën, të plagosurit qenë me mijëra. Filluan plaçkitejt nga banda, të cilat nuk merrej më vesh nëse ishin të Berishës apo banda thjeshtë ordinere. U arrit të shkuleshin edhe shinat e trenit për t i tregëtuar copa-copa, si hekur, në Malin e Zi. Kësisoj, kryengritja e Jugut mund të thuhet se u përthith nga kaosi i përgjithshëm që u krijua në vend. Njerëzit u vërsulën drejt porteve për të nisur një eksod të ri drejt Italisë. Sot shtrohet në mënyrë enigmatike pyetja: pse e bëri Berisha hapjen e depove në të gjithë vendin? Ideja më e besueshme është se e bëri me qëllim që të balancojë Jugun duke menduar se Veriun e kishte me vete.

Megjithatë ka edhe hipoteza të tjera. Disa thonë se e bëri për të fshehur gjurmët e krimit me idenë se në terr të gjitha delet janë të zeza. Të tjerë mbrojnë idenë se e bëri nga një ndjenjë paranojake që bashkë me shkatërrimin e tij të shkatërronte edhe gjithë vendin. Ka që thonë se e bëri për t i krijuar vështirësi qeverisë që sapo kishte krijuar në mënyrë që ta mbante atë nën kontroll. Por mund ta ketë bërë edhe për të krijuar një tërmet, pas të cilit konfliktet politike do ta humbisnin kuptimin. Apo e bëri për t i thënë Evropës se shqiptarët janë qënie të egra, prandaj duhej të ndërhynin me ushtritë e tyre për ta mbajtur atë në pushtet? E çuditshmja është se të gjitha ambasadat e huaja e dinin se do të ndodhte një gjë e tillë dhe dy ditë përpara se të ndodhte shpërthimi i depove, urdhëruan qytetarët e tyre të evakuoheshin nga Shqipëria. Në fakt ato ditë Berisha mblodhi të njëjtat parti me të cilat kishte firmosur pajtimin kombëtar dhe kërkoi të firmosnin kërkesën për ndërhyrjen e forcave të huaja. Partitë e firmosën. Shpejt kërkesa u zyrtarizua nga ana e qeverisë së pajtimit kombëtar dhe u miratua nga parlamenti. Italianët, të cilët, për shkak të eksodit shqiptar ranë në krizë qeveritare, ndërhynë që kjo kërkesë të aprovohej urgjentisht nga OKB-ja.

Qëndrimi i Perëndimit

Në kohën kur vendet Perëndimore, me kërkesën këmbëngulëse të Italisë, vendosën të sjellin trupat ushtarake, ai që quhej kaos apo rend i shkatërruar në Shqipëri shkaktohej nga një popull i armatosur në Jug me qëllim vetëmbrojtjeje, nga banda të Berishës që silleshin si në Veri edhe në Jug, por kryesisht në Tiranë, nga banda kriminelësh plaçkitës dhe nga një polici e paralizuar për shkak të luftës politike. Për daljen nga kjo situatë shumëkush mendonte se ishte i domosdoshëm largimi nga skena politike i Berishës. Kjo do të sillte disa të mira të menjëhershme. Më së pari do të ndikonte në demotivimin dhe shpërndarjen e bandave të tij, pastaj në çarmatosjen e njerëzve në Jug, sepse ata e kishin deklaruar hapur se do t'i linin armët kur të ikte Berisha, si dhe në depolitizimin e policisë. Kjo gjë do ta bënte shumë më të lehtë, pastaj, izolimin dhe eliminimin e bandave të kriminelëve dhe rivendosjen e rendit. Në të kundërt, me një njeri të inkriminuar në postin e presidentit, qeveria e pajtimit do të mbetej qeveri e armëpushimit. Më pranë kësaj ideje në Perëndim dukej se ishin SHBA, të cilët deklaruan disa herë se faktor kryesor i destabilitetit mbetej Berisha. Mirëpo, pas shumë gjasash, një zgjidhje e tillë nuk do të garantonte ndërprerjen e menjëherëshme të eksodit të shqiptarëve drejt Italisë, gjë që e kishte vënë në krizë politikën italiane. Për këtë duhej misioni ushtarak. Duhej këmbëngulur, prandaj, që shqiptarët nuk mund ta bënin dot vetë, se ata po vdisnin nga uria , siç këmbënguliministri i jashtëmitalian Lamberto Dini. Shkaqet e analizuara në nëntitujt e mësipërm tregojnë përgjegjësinë e rëndë të shqiptarëve për atë që u përgatit e ndodhi në Shqipëri. Por a ka përgjegjësi Perëndimi, i cili kësaj here zuri vendin e vëllait të madh të shqiptarëve?
Kur Perëndimi erdhi në botën politike shqiptare për të dhënë mësimet e demokracisë, gjërat e para që lektorët perëndimorë u thanë shqiptarëve ishin ato që kishin të bënin me kuptimin dhe avantazhet e demokracisë. Demokraci do të thotë të jesh i hapur ndaj rrezikut; demokracia pranon gabimim si bashkudhëtar të njeriut dhe të jep mundësinë të korrigjosh atë nëpërmjet votës së lirë. Nëse në diktaturë njeriu është si në burg, ku ka të siguruar mëngjesin, drekën dhe darkën e varfër, në demokraci ai nuk e ka sigurinë, përkundrazi, duhet të luftojë për t i siguruar ato përditë, por kjo luftë e bën të ndjehet zot i fateve të veta dhe të shijojë lirinë. Një mësim tjetër ishte ai që përmblidhej me termin the rule of law. Edhe shqiptarët ishin të lodhur me sundimin arbitrar të personave. Ndonëse nuk e dinin mirë se çfarë donin, ata e dinin mjaft mirë se çfarë nuk donin. Ata e përshëndetën importimin dhe implementimin në Shqipëri të principeve dhe institucioneve perëndimore. Mirëpo historia e marrëdhënieve me shtetet perëndimore gjatë këtyer pesë vjetëve është e mbushur me zhgënjime përsa i përket respektimit dhe mbrojtjes në Shqipëri, nga ana e Perëndimit, të këtyre principeve dhe institucioneve. Në politikën pragmatiste perëndimore konteksti në të cilin u pa Shqipëria post-komuniste kishte të bënte kryesisht me shqetësime gjeopolitike, stabiliteti në Ballkan. Perëndimi dukej se e kishte siguruar këtë stabilitet nëpërmjet interlokutorit tashmë të gjetur, Sali Berishës, i cili e kishte bindur atë se vendi i tij nuk kishte pretendime territoriale përsa i përket Kosovës. Mendohet se komoditeti i pasjes së një interlokutori që garantonte stabilitet është një nga arësyet kryesore pse shtetet perëndimore e përkrahën pa rezerva Berishën dhe mbyllën njërin sy ndaj ndërtimit në Shqipëri nga ana e tij të një autoritarizmi mafioz. Përsa i përket syrit tjetër, që duhej të ndiqte fatin e institucioneve demokratike të porsaimplementuara apo fatin e ndihmave ekonomike që iu dhanë Shqipërisë, duket se Perëndimi e la në dorën e capak burokratëve, një pjesë të paaftë dhe një pjesë indiferentë, për të cilët puna në këtë vend të humbur do të thoshte vetëm një rrogë e mirë. Lidhur me një pjesë të këtyre diplomatëve nuk duhet lënë në heshtje edhe fenomeni korrupsion. Gjithashtu, nuk duhet neglizhuar fakti që Shqipëria pati fatin e keq të lihet kryesisht nën kujdesin e Italisë, një vend me destabilitet të madh politik, i dominuar nga politikat imediate dhe me hije mafioze. Edhe pas ardhjes së forcave ushtarake shumëkombëshe Shqipëria vazhdoi të mbetej me bandat e Berishës dhe bandat e kriminelëve, me një popull të armatosur që vazhdonte të kërkonte dorëheqjen e një presidentit paranojak e të inkriminuar dhe me policinë të paralizuar. Këtyre forcave të armatosura iu shtua edhe prania e tetë ushtrive të huaja.

Shqiptarët e krahasojnë këtë kohë me atë të Luftës së Parë, kur shteti i tyre i posakrijuar u shndërrua në një udhëkalim ushtrish gjithfarëshe. Më shumë se tre prej këtyre ushtrive, ajo turke, italiane dhe greke u kujtuan atyre kohë pushtimesh. Shumëkush thotë se kjo është fyerja më të madhe që i është bërë dinjitetit kombëtar. Kjo bëhet edhe më dëshpëruese kur mendon se protestat e janar-shkurtit 1996 qenë shumë pranë kurorëzimit me sukses të një lëvizjeje për përmbysjen e një regjimi diktatorial. Sikur të ishte realizuar kjo, shqiptarët do të ndjeheshin krenarë se kësaj here do të kishin kryer vetë një hap të madh drejt lirisë dhe Evropës. Pa dyshim shtrirja e një dore më të mençur dhe më të ndershme evropiane do t i kishte ndihmuar shumë më tepër për ta hedhur këtë hap sesa prania e një ushtrie të armatosur.

Pas zgjedhjeve - Shqipëria përsëri në udhëkryq

Pakkush besonte në Shqipëri se zgjedhjet e 29 qershorit do të ofronin një zgjidhje për dalje nga anarkia e muajve të fundit. Mendohej se drama e lindur në fillim të këtij viti, me akt të parë revoltën në Jug dhe akt të dytë anarkinë vrastare të krijuar nga hapja prej Berishës të depove të armëve dhe burgjeve në të gjithë vendin, do të pasohej nga një akt i tretë apo dhe i katërt përpara se konflikti të mbaronte. Ndodhi e vetmja gjë që jep shpresë se zgjedhjet do të ofrojnë mundësinë e një zgjidhjeje paqësore: fitorja bindëse e opozitës. Përpara këtij rezultati, që shprehu gjykimin dhe verdiktin e popullit ndaj shkaktarëve të tragjedisë, Berisha u detyrua të pranonte humbjen.

Shqipërisë i është dhënë sot mundësia e krijimit të një qeverie me mbështetje të gjërë si brenda vendit edhe jashtë. Skenari më i dëshiruar nga shumica e shqiptarëve është që ajo të neutralizojë destabilizimin e shkaktuar nga banditizmi politik, pastaj të fillojë punën e vështirë të eliminimit të bandave kriminale, të cilën ta shoqërojë me përpjekjet e rimëkëmbjes të institucioneve dhe të ekonomisë së vendit. Por, ndërkaq, çdo ditë që kalon hedh më shumë dritë mbi shtrirjen e dramës së krijuar nga keqqeverisja e këtyre pesë vjetëve dhe tregon se sa e mundëshme është shfaqja e skenarëve të tjerë të papritur dhe të rrezikshëm. Vështirësia e parë që del është nëse do të mundet qeveria e posakrijuar t'i përgjigjet për nga autoriteti përqindjes së lartë të votave që i dha populli. Vështirësia e dytë, e lidhur me të parën, është nëse do të mund të fillojë në Shqipëri një politikë e mbështetur mbi dialogun apo do të vazhdojë politika e konfliktit. Ka shenja të qarta se Berisha do të bëjë ç'është e mundur që ta mbajë përsëri të ndezur konfliktin. Me këtë kundërshtar të betuar, që ka filluar edhe manipulimin e ndasive Veri Jug, me gjendjen katastrofike ekonomike dhe me bandat e kriminelëve që janë thuajse një fuqi e tretë në vend, koalicioni i qendrës së majtë do ta ketë të vështirë punën e stabilizimit të vendit. Akoma më i vështirë bëhet problemi kur mendon se gjatë këtyre tre muajve ka patur mbi 2000 të vrarë. A do të ketë në Shqipëri drejtësi apo krimi politik do të vazhdojë, si në të kaluarën, të kalojë pa u ndëshkuar?
Nga ana tjetër, a mund të arrihet një drejtësi që të sigurojë paqen apo kërkesa e drejtësisë do ta rrezikojë paqen edhe më keq? Po kthimi i parave a do të mund të kryhet? Komitetet në Jug deklarojnë se po nuk u kthyen paratë do të vazhdojnë turbullirat. Kjo situatë destabilizimi vazhdon të mbetet klima më e mirë për shtimin dhe lulëzimin e krimit të bandave. Në mjaft qytete jashtë Tiranës njerëzit jetojnë gjysmën e ditës të mbyllur në shtëpi, gjë që s ka ndodhur as në kohë lufte. Po lulëzon edhe krimi ndaj komunitetit. Vazhdon shkatërrimi i infrastrukturave i ekologjisë i urbanistikës. Njerëz të çliruar nga shteti po çajnë tubacionet e ujit të pijshëm, po presin pemë dhe ndërtojnë garazhe në parqet ku duhet të luajnë fëmijët, po vazhdojnë të rrënojnë e grabisin edhe më tej institucionet të cilave u vunë flakën gjatë këtyre muajve.

Ç'të bëjmë?

Ajo çka ra në sy në Shqipërinë e muajve të fundit është një papërgjegjshmëri e skajshme shoqërore e cila u shfaq në dy forma njëra më dramatike se tjetra: më një anë papërgjegjshmëria e politikanëve, gatishmëria e tyre për ta shkatërruar vendin për hir të ruajtjes së pushtetit dhe, më anën tjetër, papërgjegjshmëria e popullit ndaj vlerave të përbashkëta, paaftësia e tij për t'u organizuar, në mbrojtje të shkollave, bankave, spitaleve, urave, muzeve pra jo vetëm të gardheve të shtëpive, por edhe të atyre gjërave të cilat bëjnë që një turmë individësh apo familjesh të quhet komunitet. Brenda tre muajsh në Shqipëri u vranë rreth 2000 vetë dhe për thuajse asnjërin prej tyre nuk mund të thuhet se është vrarë për një ideal shoqëror. Shqipëria është sot një shembull  par exellence që të bën të kuptosh se pse historikisht anarkia ka qenë djepi i tiranisë. Shumëkushi sot ndjen nevojën e një shteti të fortë që të eliminojë krimin politik dhe ordiner me çfarëdolloj mjeti dhe çmimi. Kjo ngre edhe një problem tjetër: a do të mund të ndërtojnë shqiptarët një shtet që të gëzojë autoritet dhe njëkohësisht të mos jetë autoritar? A do të dalin ata kësaj here nga rrethi vicioz diktaturë - rebelim - shkatërrim - diktaturë?
Për këtë Shqipëria ka sot nevojë për një frymë ripërtëritëse, për një mit të ri politik, rreth të cilit të hidhen themelet e një organizimi të ri shoqëror. Struktura e shoqërisë shqiptare në thelb ka mbetur në një stad primitiv, ku përtej detyrimeve ndaj familjes apo gjakut ekzistojnë të tjerët ndaj të cilëve shqiptarët nuk para ndjejnë detyrime. Një shoqëri e mbetur në këtë stad është një shoqëri ku krimi ndaj tjetrit është shumë i mundshëm dhe gati i pranueshëm.Kumunizmi imponoi një bashkësi ku lidhjame tjetrin u kthye, jo rrallë, në një torturë. Rënia e komunizmit thuajse na ktheu në primitivizmin e të parëve. Ishin dy faqe të së njëjtës medalje. Ndërkaq në epokën e demokracisë, pluralizmit dhe multikulturalizmit një frymë e re organizuese nuk mund të ngrihet rreth një ideologjie, një feje apo rreth një individi. Problemi shqiptar, në ndryshim nga vende të tjera ballkanike nuk është dhe aq se si të kalohet nga kolektivizmi nacionalist në një shoqëri civile, por se si, duke mos ndalur në një organizim kolektiv të bazuar mbi nacionalizmin, të kalohet nga lidhja e gjakut tek lidhja e madhe e shoqërisë civile. Është shumë e vështirë të kryesh në një kohë të shkurtër diçka të ndjeshme për ndërtimin e një shteti të drejtë ligjesh dhe institucionesh, por është edhe më e vështirë puna për ndërtimin e një shoqërie civile, ku njerëzit të jenë njëkohësisht të lirë e të pavarur, por edhe solidarë. Shqipëria ndodhet në udhëkryq: ta përballojë këtë sfidë dhe të krijojë kushtet për integrimin në rrugën e madhe e të gjerë evropiane, ose të margjinalizohet apo, ndoshta, edhe të rrezikojë ekzistencën e saj. Sot, që të kalojmë nga lidhja e gjakut tek lidhja e madhe e shoqërisë civile, duhet puna e koordinuar e politikanëve, intelektualëve, klerikëve, puna e shkrimtarëve, e artistëve, e elitës ekonomike të vendit që më në fund ndërgjegjësohet se interesat e biznesit nuk mund të mbrohen e të zhvillohen nëse nuk e kapërcejnë gardhin e pronës private. Njerëzit lidhen duke shkuar sëbashku në kopështe dhe shkolla të mirëmbajtura ku mësojnë jo vetëm të shkruajnë e të lexojnë, por edhe të arësyetojnë e të dëgjojnë njëri-tjetrin. Njerëzit lidhen duke punuar së bashku, ku jo vetëm fitojnë, por edhe mësojnë të respektojnë djersën e njëri-tjetrit. Njerëzit lidhen duke shkuar së bashku në kinema dhe teatro ku shohin një film që u prek shpirtin. Njerëzit lidhen duke shkuar së bashku në kishë ku dëgjojnë një predikim që u bën jehonë dramave të jetës së tyre. Njerëzit lidhen duke u grupuar në shoqata ku ndajnë hallet dhe pasionet e përbashkëta. Njerëzit lidhen duke shkuar së bashku në stadiume në koncerte ku ndajnë së bashku gëzime e emocione... Bandat kriminale me të rinj që po lindin sot si kërpudhat, janë produkt i varfërisë ekstreme të gjithë këtyre elementeve të shoqërisë. Ne jemi aq të egërsuar ndaj këtyre banditëve të rinj sa duam t'i shohin sa më parë të varur në litar në mes të shesheve. Por ne harrojmë se kemi bërë aq pak pak për t'u krijuar këtyre të rinjve, që para disa vjetësh ishin krej fëmijë, kushte që të mos i derdhin energjitë në krime, por në krijimtari dhe dashuri. Ne presin të vijë shteti me policë dhe autoblinda të na shpëtojë nga këta kriminelë. Por asnjë shtet, sado i fuqishëm qoftë, nuk mund të jetë më i fuqishëm se një komunitet i organizuar mirë, që i neutralizon banditët me mjete shumë më paqësore se litarët dhe burgjet.
Sot, kur udhëton nëpër Shqipëri, të krijohet pështypja se kombi ynë është në lëngatë të rëndë, se ai, i pafuqishëm për të dalë nga hendeku ku ka rënë, sikur ia ka lëshuar veten vdekjes. Në të vërtetë shqiptarët e njohin shumë pak fenomenin e vetëvrasjes dhe të eutanazisë. Ata janë njerëz me moshë të re dhe me një instikt të fortë jetësor. Rreziqet që ndërmarrin për të kapërcyer Adriatikun janë provë e këtij vitaliteti. Malli që ndjejnë për Shqipërinë kur ndodhen jashtë shtetit, tregon ndjeshmërinë e tyre ndaj tokës ku kanë lindur dhe njerëzve pranë të cilëve kanë vuajtur.
Ne të Përpjekjes ende besojmë se herët ose vonë do të dalim nga hendeku ku kemi rënë dhe, pas kësaj përvoje të hidhur, duke mbajtur përsëri në dorë flamurin e zhgyer e të zhyer të identiteti tonë, do ta vazhdojmë më me mënçuri rrugën e gjatë e të mundimshme drejt lirisë dhe qytetërimit.

Editorial: Feja dhe shqiptarët

Monday, 17 October 2011 10:50 Published in Nr. 20

Kur pyetet për pejsazhin fetar të vendit të tij përgjigja e parë që jep çdo shqiptar i Shqipërisë, sadopak i mësuar, është se në vendin e tij ka 70% myslimanë, 20% të krishterë ortodoksë dhe 10 % të krishterë myslimanë. Mirëpo fill pas kësaj atij i vjen nëpërmend ideja se kjo është shifra e pejsazhit fetar të Shqipërisë në kohën e mbretit Zog ose edhe në mbarim të Luftës së Dytë. Një ide tjetër që do të shtonte ai duke folur për fetë në Shqipëri është se shqiptarët nuk njihen për ndjenja të forta fetare, dhe do të përmendte faktin se regjimi komunist i Enver Hoxhës arriti në vitin 1967 t i eliminonte krejtësisht institucionet fetare dhe ta shpallte Shqipërinë të parin apo të vetmin vend ateist në botë. Duke folur për paskomunizmin ai do të thotë se feja u lejua përsëri, se në vendin e tij u rihapën kishat dhe xhamijat, u ngritën të reja si dhe u futën edhe shumë fe të tjera të çuditshme (rreth 60) që shqiptarët nuk ua kishin dëgjuar emrin më parë, si mormonët, bahait, deshmitarët e Jehovait, scientologët, etj. por shqiptarët mbetën larg së frekuentuari masivisht faltoret e tyre pasi imagjinatën kolektive e kanë të drejtuar për kah simbolet e botës perëndimore e perceptuar kjo kryesisht si botë e konsumit, luksit dhe e qejfeve të tilla nga ato që fetë nuk para i pëlqejnë.

 

Feja dhe nacionalizmi në Shqipëri; mitet fetare dhe nacionale

Duke dashur t'i japim një shpjegim konstatimeve sipërfaqësore, por përgjithësisht të sakta, të përmendura më sipër duhet të kthehemi më së pari të shpjegojmë raportin e fesë me nacionalizmin në Shqipëri. Përgjigja e pyetjeve pse shqiptarët kanë ndjenja të dobëta fetare lidhet fort me karakterin e lëvizjes nacionaliste shqiptare. Në ndryshim nga vendet fqinje si Serbia dhe Greqia, ku nacionalizmit lindi si një lëvizje antiturke duke thirrur në ndihmë fenë deri në atë pikë sa nacionalizmat serb dhe grek dhe kishat ortodokse serbe dhe greke vështirë se do të mund të ndaheshin asokohe nga njëra-tjetra, nacionalizmi shqiptar lindi në një kontekst tjetër historik dhe fetar. Nacionalizmi shqiptar, si lëvizje politike, nisi pas Luftës Ruso-Turke me Lidhjen e Prizerenit (1878) para së gjithash si nevojë e bashkimit të shqiptarëve në mbrojtje nga rreziku i ndarjes së tokave të tyre mes Serbisë dhe Greqisë. Në këto toka banonin shqiptarë të tre besimeve të përmendura në krye të këtij shkrimi, (madje për saktësi duhet thënë katër pasi pjesa e muslimanëve ndahej midis sunitëve dhe bektashinjve). Në këtë kontekst lëvizja nacionaliste shqiptare e pa veten përballë disa problemesh jo fort të lehta për t'u zgjidhur, madje edhe të mbarsura me kontradikta të mprehta: nevoja e krijimit të një identiteti kombëtar që t'i bashkonte të gjithë shqiptarët ndeshej me katër identitete fetare; nevoja që ky identitet të ishte i ndryshëm nga identiteti serb apo grek përsa i përket fesë i çonte më shumë nga muslimanizmi, por, nga ana tjetër, nevoja që ky identitet t'i ndante ata nga identiteti turko-mysliman pasi tashmë ishte bërë e qartë se perandoria otomane qe në shpërbërje dhe shqiptarët rrezikonin të zhdukeshin sëbashku me të sikur të mos forconin identitetin e tyre të ndryshëm nga ai i turqve - i shtynte larg muslimanizmit. I largonte nga muslimanizmi edhe nevoja për t'iu afruar Perëndimit i cili, siç e tregoi Traktati i Berlinit, ishte shumë i rëndësishëm për vendosjen e fatit të tyre; por, nga ana tjetër, afrimi me fenë e Perëndimit ndeshej me vështirësinë e të qënit të pjesës më të madhe të popullsisë me fe muslimane. Nuk duhet të harrojmë se asokohe shqiptarët që banonin në Kosovë dhe Maqedoninë perëndimore, shumica e të cilëve ishin muslimanë sunitë, e ngrinin në shifra edhe më të larta se 70% botën muslimane shqiptare. Kësisoj përpjekja për farkimin e identitetit shqiptar përtej identitetit etnogjuhësor, pra përsa i përket identitetit fetar, ishte një proces që ndoqi rrugë të ndryshme nga ai i vendeve të tjera ballkanike.

Përpjekja bektashiane e Naim Frashërit

Kur flitet për përpjekjet për të shenjtëruar nacionalizmin shqiptar nuk mund të mos përmenden figurat që kanë dhënë ndihmesën më të madhe, të cilët kanë marrë emrin rilindas. Më i shquari ndër ta është Naim Frashëri i cili sot konsiderohet poeti kombëtar shqiptar. Ai ka shkruar dy poema epike që synonin të krijonin mitet përbashkuese të shqiptarëve. Poemën Qerbelaja si dhe poemën Historia e Skënderbeut - të dyja të botuarar më 1898. Me poemën Qerbelaja që i këndon një beteje të humbur në shekullin e parë të historisë muslimane, betejë që u bë miti themelues i shiizmit, ai tentoi të krijojë betejën e humbur të shqiptarëve ashtu siç kishin serbët betejën e humbur të Kosovës në qendër të mitologjisë së tyre nacionaliste. Në fakt që të dy mitet, ai serbo-ortodoks rreth Betejës së Kosovës dhe miti shiit rreth Betejës së Qerbelasë janë shumë të ngjashëm në përmbajtje dhe në stil. Në të dy rastet skenari i ngjarjes është përqëndruar rreth një beteje të humbur padrejtësisht, çka i bën ato shembuj të asaj që Elias Canetti e ka quajtur fe të ankimit (Ger Dujzing, Perpjekja 15-16, f.46). Synimi i Naim Frashërit, i cili i përkiste edhe vetë fesë bektashiane ishte që, meqënëse të gjitha nacionalizmat e ballkanit kishin një lidhje të fortë me fenë, aq sa parrulla nacionaliste e asaj kohe e theksuar edhe nga Naim Frashëri ishte nuk ka komb pa fe, feja përbashkuese e shqiptarëve duhej të bëhej bektashizmi. Naimi u përpoq të mobilizonte orientimin shiit dhe antisunit të bektashinjve për të shprehur kundërshtimin e tij ndaj sundimit otoman dhe për të artikuluar një identitet (musliman) të veçantë për shqiptarët. Ai shpresonte që bektashinjtë, duke qenë heterodoksë dhe sinkretistë do të mund t'i kapërcenin ndarjet fetare në Shqipëri dhe të vendosnin një urë ndërmjet diferencave të Islamit dhe Krishtërimit. Ai me shkrimet e tij u përpoq të përgjithësonte natyrën josektare dhe ndërfetare të Urdhërit të Bektashinjve ku, përveç theksimit të tolerancës fetare, ai gjithashtu nënvizonte orientimin kombëtar si një nga aspektet kryesore të doktrinës bektashiane: jo vetëm ndërmjet tyre, por dhe me të gjithë njerëzit e tjerë bektashinjtë janë vëllezër shpirtërorë. Ata e duan fqinjin si veten, qoftë musliman apo i krishterë dhe sillen njësoj, duke e paraqitur veten të shënjtëruar me të gjithë njerëzit. Por mbi të gjitha ata duan vendin e tyre dhe bashkëkombësit, sepse ky është virtyti më i lartë. (Hasluck 1929-II: 556). Kjo shpjegon edhe rolin e rëndësishëm që kanë luajtur bektashinjtë shqiptarë në kapërcyell të shekullit 19 në lëvizjen nacionaliste shqiptare. Faltoret bektashiane shqiptare (teqetë) - shpesh vende lutjesh edhe për muslimanët, edhe për të krishterët - në përgjithësi njiheshin si qendra të veprimtarisë nacionaliste shqiptare. Veç kësaj Urdhëri luajti një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e shkollave ilegale dhe përhapjen e librave shqip duke u dhënë njëkohësisht mbështetje aktive grupeve të armatosura nacionaliste. Është e njohur tashmë që bektashinjtë, kur diskutohej çështja e alfabetit shqiptar, mbështetën përdorimin e shkrimit latin, ndryshe nga muslimanët e tjerë, të cilët mbështetnin përdorimin e shkrimit arab.

Skënderbeu dhe feja e shyptarit asht shqyptaria

Ndërkaq kjo përpjekje e Naimit dhe e bektashinjve duket se nuk zuri rrënjë për disa arsye, së pari sepse feja bektashiane ishte në minorancë edhe përsa i përket pjesës islame të popullsisë: 55% sunitë dhe 15% bektashinj (pa llogaritur Kosovën); së dyti sepse shqiptarët duhet të kishin një faktor më të fortë përbashkues që t'i afronte nga Evropa e krishterë që do të vendoste për fatin e tyre. Së treti edhe për shkak të lidhjeve të forta që një pjesë e shqiptarëve kishin me Turqinë e cila, nga një pjesë e rëndësishme e atyre që nisën lëvizjen nacionaliste shqiptare me Lidhjen e Prizerenit, ende konsiderohej si mbrojtëse e interesave të shqiptarëve nga synimet serbe dhe greke. Megjithatë si frymë e nevojës për tolerancë fetare dhe bashkëpunim të të gjithë shqiptarëve në emër të kombit përpjekja e Naimit duket se triumfoi, ndonëse nën të tjera simbole dhe heronj. Konteksti i përmendur më sipër bëri që në procesin e ndërtimit të identiteti nacional shqiptar të marrë përparësi një tjetër mit i ekzaltuar nga poema tjetër e Naim Frashërit Historia e Skënderbeut kombinuar me thirrjen e një tjetër rilindasi, katolik ky që i shërbente perandorisë otomane në atë kohë, Vaso Pasha: ai në thirrjen tij nacionaliste iu drejtua shqiptarëveme poemën Omoj Shqypni (botuar më 1878-1880) që shërbeu pastaj për të ngritur fenë shekullare të nacionalizmit shqiptar: Mos shikjoni kish a xhamija, / feja e shqyptarit asht shqyptaria. Ky mit apo konstrukt historik u bashkua me mitin e Skënderbeut i cili kishte luftuar në shekullin e 15 kundër turqve. Ky hero i krishterimit u rimorr nga nacionalistët shqiptarë, por duke iu zhveshur pak nga pak përmbajtja fetare dhe duke u kthyer në një hero shekullar të nacionalizmit shqiptar, si një luftëtar që kishte luftuar për çlirimin e mëmëdheut. Në këtë frymë është trajtuar ai edhe nga Naim Frashëri në poemën e tij Historia e Skënderbeut. Krujë o qytet i bekuar / prite prite Skënderbenë / po vjen si pëllumb i shkruar / të shpëtojë mëmëdhenë. Kur trajtohet miti i Skënderbeut si mit përbashkues i shqiptarëve nuk duhet injoruar edhe argumenti sipas të cilit fakti që Skënderbeu kishte pasur edhe fe të krishterë edhe muslimane i jepte figurës së këtij heroi një ambiguitet që e bënte më të pranueshëm për të gjithë shqiptarët edhe nga pikpamja fetare.

Shqipëria e pavarur

Shqiptarët e fillimshekullit, shkruanAbaz Ermenji në librin Vendi që ze Skënderbeu në historinë e Shqipërisë, ishin të grupuar rreth ndjenjës fetare ose krahinore, e njihnin vehten të Krishterë ose Myslimanë, Gegë ose Toskë, Dukagjinas a Kurveleshas dhe jo bij të nje kombi në kuptimin e sotshëm të fjalës. Shekulli i XX, veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë më 1912, është shekulli i procesit të ngjizjes nacionale të shqiptarëve në frymën e Naim Frashërit, Vaso Pashës dhe rilindasve të tjerë përkrah tyre. Përsa i përket raportit të fesë me nacionalizmin, ky proces karakterizohet nga dobësimi i ndjenjave të identitetit fetar e krahinor në favor të identitetit nacional. Ky proces u krye qoftë nëpërmjet dobësimit të ndjenjave fetare në favor të fesë shekullare të nacionalizmit qoftë nëpërmjet vënies së klerikëve më të rëndësishëm në shërbim të çështjes kombëtare. Ortodoksët shqiptarë panë në krye të tyre Fan Nolin i cili ishte njëherësh njeri politik dhe njeri i penës dhe konsiderohet si figura që luftoi më shumë se kushdo tjetër për krijimin e kishës autoqefale ortodokse shqiptare. Pasi Shqipëria u bë e pavarur, mbreti Zog mbështeti krijimin e kishave autoqefale kombëtare, me qëllim që të dobësonte ndikimin e huaj (veçanërisht grek). Po ashtu katolikët shqiptarë, kampioni i të cilëve mund të konsiderohet Gjergj Fishta, nuk e ndanë asnjë çast veprimtarinë e tyre fetare nga ajo politike në favor të çështjes kombëtare. Poema epike e Fishtës Lahuta e Malësisë i ngre hymn luftrave të shqiptarëve kundër shkjahut, armikut serbomalazes në Veri, aq sa deri në periudhën komuniste Fishta konsiderohej si poeti kombëtar ndër shqiptarët e Veriut. Edhe në Kosovë, ku mbi 90% e shqiptarëve janë myslimanë dhe ku përkatësia fetare muslimane ka luajtur një rol më të rëndësishëm sesa në Shqipëri për t'i dalluar shqiptarët nga serbët e krishterë, ka mbizotëruar kjo frymë. Edhe atje pakica katolike e shqiptarëve gjatë gjithë historisë së shekullit XX që konsiderohet ende i pambyllur në Ballkan përsa i përket çështjeve kombëtare, e
ka ndjerë veten pjesë e përpjekjeve të shqiptarëve muslimanë të Kosovës që luftonin për pavarësi ndaj sllavëve të krishterë.

Feja dhe komunizmi

Ai që e çoi në ekstremfrymën e mitit Feja e shqiptarit është shqiptaria ishte bash Enver Hoxha. Në ethen e tij për pushtet absolut ky diktator u udhëhoq nga dy ideologji. Ajo nacionaliste dhe ajo komuniste. Madje dora dorës që komunizmi si fe përbashkuese dhe frymëzuese e humbi fuqinë e vet, Hoxha i mëshonte gjithnjë e më shumë elementit kombëtar në propagandën e tij. Sipas historianit Bernd Fisher, me gjithë pikpamjet radikale staliniste të Enver Hoxhës, thelbi i politikave të tij ishte nacionalizmi: trajtimi i tij i ashpër ndaj komuniteteve fetare duhet parë së pari në këtë drejtim. Në fakt, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, ai e hoqi monumentin e Stalinit nga sheshi qendror i Tiranës dhe vendosi aty monumentin e Skënderbeut. Në luftën e tij propagandistike gjithnjë e më shumë i mëshonte idesë së rezistencëns së popullit shqiptar ndaj perandorive të mëdha historike. Në vitet '60 Hoxha kreu përpjekjen më radikale për çrrënjosjen e fesë nga skena politike. Moton e Vaso Pashës ai e aplikoi ad literam dhe e bëri Shqipërinë të parin shtet ateist në botë. Nën regjimin e tij lufta ndërmjet dasive fetare, siç quhej në propagandën e kohës, u kthye në një luftë kundër fesë në tërësi, luftë në të cilën integroi edhe elementin ideologjik marksist me vizionin ateist të botës dhe thënien e famshme tëMarksit feja është opiumpër popullin.
Duke patur për qëllim zëvendësimin e përkatësive të ndryshme fetare me një besnikëri të plotë ndaj Partisë dhe ideologjisë së saj nacional komuniste Hoxha predikonte vazhdimisht se katolicizmi, islamizmi dhe ortodoksia ishin filozofi të huaja të futura në Shqipëri nga elementë të huaj, të cilat në thelb të tyre kërcënonin integritetin e kombit. Priftërinjtë dhe hoxhallarët u përqeshën si relike prapanike të së kaluarës të rekrutuar si agjentë të fuqive të huaja për të minuar nacionalizmin shqiptar. Më 1967 komunistët shqiptarë ndaluan të gjitha praktikat fetare, duke mbyllur kisha dhe xhami të shumta dhe duke i kthyer ato në kinema, salla sportive, bar-restorante dhe magazina. Duhet vënë në dukje se jo të gjitha komunitetet fetare u trajtuan në të njëjtën mënyrë: në mënyrë të veçantë kisha katolike u përndoq më rreptësisht, ndërsa sulmi mbi islamin dhe kishën ortodokse ishte shumë më i frenuar. Kjo jo aq për arësye të përkatësisë fetare myslimane të origjinës së Hoxhës dhe shumicës së shqiptarëve (në fakt Hoxha në qëndrimet ndaj klerit katolik në një farë mënyre radikalizoi një qëndrim që e kishte mbajtur edhe Mbreti Zog ndaj kishës katolike) sesa për shkak se kleri katolik kishte mbajtur qëndrime të forta antikomuniste gjatë Luftës së Dytë si dhe pasi ishte më i mirëorganizuari dhe më i lidhuri me botën perëndimore që konsiderohej si armik kryesor i komunizmit, ndërkohë që kleri musliman dhe ai ortodoks qëndroi
më pranë komunistëve gjatë Luftës së Dytë dhe nuk kishte lidhje jashtëshqiptare, madje thuajse nuk kishte asfare personalitete me rëndësi dhe karizëm.

Periudha post - komuniste

Është vështirë të përcaktohet qartë se si i gjeti shqiptarët rënia e komunizmit nga pikpamja se si e perceptonin ata veten përsa i përket besimit. Gjatë kohë së Enver Hoxhës kishte pasur shumë martesa të përzjera të të tre feve si dhe shumica, veçanërisht ata të lindur dhe edukuar në regjimin komunist, kishin një vizion shekullar dhe materialisto ateist për botën. Gjithsesi, pas përmbysjes së komunizmit, besimi fetar rifitoi pjesërisht rëndësinë e tij në jetën e shqiptarëve të zakonshëm, në ndonjë drejtim duke ringjallur edhe ndarjet e vjetra fetare. Megjithatë miti i ri që zuri vend në imagjinatën kolektive të shqiptarëve ishte ai E duam Shqipërinë si gjithë Evropa! parrullë kjo që u hodh në kohën e lëvizjes studentore të vitit 1990. Intelektualët dhe politikanët në Shqipëri patën një orientim të përgjithshëm se aleati kryesor i Shqipërsië duhej të ishte Perëndimi veçse jo i perceptuar nga pikpamja e identitetit të tij fetar të krishterë, por si një sistem politiko shoqëror i demokracisë dhe lirisë së besimeve dhe ideve. Kjo nuk pengoi edhe njëfarë debati lidhur me raportin - përsa i përket fesë - që duhet të mbante Shqipëria me Perëndimin e krishterë apo me Turqinë dhe Lindjen e Mesme muslimane. Në këtë drejtim ranë në sy edhe dy qëndrime radikale të përkundërta: Pati grupime që e trajtuan ndalimin e fesë nga Hoxha edhe si një të keqe që kishte pasur një të mirë të madhe sepse tani të gjithë shqiptarët do të mund dhe duhej të ktheheshin në fenë e të parëve, krishtërimin, duke i dhënë kështu një theks fetar frymës orientaliste të filluar me Rilindjen: atë të farkimit të një identiteti evropian duke flakur atë turko musliman ndërkohë që identiteti evropian në kohë të Rilindjes kërkohej të ndërtohej kryesisht bazuar në Iluminizmin. Por pati edhe qëndrime, të ndezura mjaft nga konflikti në Kosovë, që mbrojtën tezën e kundërt se identiteti fetare musliman i shqiptarëve kishte qenë një faktor i rëndësishëm për ruajtjen e tyre nga asimilimi sllavoortodos, se prandaj shqiptarët muslimanë ishin më shqiptarë sesa ata të krishterë. Edhe lëvizja e ish-presidentit Berisha, që e bëri Shqipërinë anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike në dhjetor 1992, ndezi shkëndijën e këtyre kundërvënieve. Opozita e atëhershme dhe pjesa më e madhe e elitës intelektuale shqiptare e dënoi këtë pjesëmarrje. Një faktor i rëndësishëm që ndikoi në këtë dënim ishte se shqiptarët e quanin ende të pambaruar procesin e tyre të rifitimit të identitetit evropian si dhe fakti që fqinjët aspak dashamirës (ortodoksë) të Shqipërisë janë përpjekur ta perceptojnë identitetin e shqiptarit jo vetëm në kuadrin etno-gjuhësor, por gjithashtu edhe në kuadrin fetar, duke i etiketuar shqiptarët si një komb musliman ose si fondametalistë muslimanë, një proçes ky i cili e vuri nën presion karakterin shekullar të identitetit shqiptar e që, nga ana tjetër, rrezikonte të komprometonte përpjekjet e shqiptarëve në Kosovë për pavarësimin e tyre nga serbët. Kjo ide dominoi më fort se ideja se Shqipëria duke qenë një vend laik me pjesëm më të madhe të popullsisë muslimane mund të luante, sëbashku me Turqinë, një rol ure afrimi e bashkëpunimi me botën muslimane.
Përgjithësisht elita kulturore shqiptare si ajo në Shqipëri ashtu edhe ajo në Kosovë dhe Maqedoni ka vazhduar traditën e kundërvënies ndaj tentativave qoftë nga brenda qoftë nga jashtë për të njesuar fenë me kombësinë tek shqiptarët, duke propaganduar shekullarizmin dhe ekumenizmin shqiptar si të vetmen rrugë shpëtimi ndaj ndarjeve të brendshme fetare. Në se zbrazëtia që la pas komunizmi mund të mbushet me diçka, nga ndonjë lloj bindjeje ose besimi kombëtar, ky duhet të jetë besimi që shqiptarët janë një komb i ekumenizmit, që çojnë përpara traditën e njerëzve si Naim Frashëri, Fan Noli dhe Gjergj Fishta, shkruan Shkëlzen Maliqi më 1997, duke përmendur jo rastësisht këto tre figuara që veç tjerash janë të tre feve kryesore në Shqipëri. Edhe elitat politike shqiptare, të orientuara kah një pragmatizëm politik në funksion të rikmëkëmbjes së vendit (ajo në Shqipëri) dhe kah çështja kombëtare (ajo në Kosovë dhe Maqedoni), i kanë mëshuar këtij drejtimi shekullar proevropian të shqiptarëve. Pas gjithë gjasave kjo prirje shekullare, ekumenike me vështrim nga Perëndimi, do të mbetet prirja dominuese edhe në kohët e pritme në botën shqiptare.
Ndërkaq, nuk duhet injoruar fakti se rigjallërimi i feve në botë në këtë periudhë pas moderne dhe pas 11 shtatorit, që ka shtuar ndjeshëm fenomenin e instrumentalizimit të feve, që ka nxjerrë në pah shqetësueshëm rrezikun e kundërvënies botë e krishterë - botë muslimane, shoqëruar këto, në nivel kombëtar, me riformimin e komuniteteve fetare në Shqipëri, po ashtu edhe me krizat morale dhe të identitetit që ka krijuar tranzicioni tejet i vështirë, nuk mund ta lenë pa ndikim ndryshues edhe kontekstin shqiptar. Prandaj ruajtja e frymës shekullare dhe ekumenike duhet parë si një sfidë e vazhdueshme që duhet t'i përgjigjet konteksteve të reja të krijuara si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel global. Kjo midis të tjerash nënkupton se komunitetet fetare në riformim nuk mund të trajtohen sipas traditës së shek. XX, duke u shtypur, diferencuar, apo margjinalizuar, përkundrazi roli i tyre në rimëkëmbjen morale dhe shpirtërore të vendit duhet të trajtohet si pjesë integrale e rimëkëmbjes së tërë shoqërisë.
Ky numër i revistës Përpjekja tenton të hedhë dritë në disa aspekte të këtyre konteksteve.

Editorial: Shteti shqiptar armik i kombit shqiptar

Thursday, 13 October 2011 06:58 Published in Nr. 9

Ndërkohë që përgatisnim numrin nëntë të revistës, të cilin e kemi fokusuar tek gjendja dhe problemet e shqiptarëve jashtë atdheut, në Shqipëri filloi kolapsi i të ashtuquajturave skema piramidale mbi të cilat ishte bazuar thuajse krejt sistemi ekonomik postkomunist i vendit. Promemoria e intelektualëve në krye të revistës, e botuar për herë të parë në gazetën Koha Jonë më 28 janar, flet për shkaqet dhe pasojat e kësaj krize si dhe për rreziqet që i kanosen vendit. Por ngjarjet që e pasuan atë i kapërcyen parashikimet. Ende teksa po mbyllim këtë numër situata vazhdon të përkeqësohet. Hendeku midis popullit dhe pushtetit po bëhet gjithnjë e më i thellë, situata gjithnjë e më e pakontrollueshme. Qyteti i Vlorës ka hyrë në përleshje të hapura me policinë dhe trupat speciale të dërguara atje. Nëse rradhët e këtij editoriali do t'i mbarojmë nesër ka gjasë që do të na duhet të ndryshojmë numrin e të vdekurve (deri tani 3) dhe atë të të plagosurve që ka qenë mbi njëqind. Dhe nuk dihet se ku do të ketë shkuar Shqipëria kur numri të mbarojë së shtypuri.

 

Shqipëria po dridhet nën pushtetin e dy demonëve, atyre të kaosit dhe atyre të diktaturës. Demonët e diktaturës, që sundojnë kokat e politikanëve kryesorë në pushtet, vazhdojnë të jenë më të fortë në kryeqytet. Tirana është në një gjendje shtetrrethimi të pashpallur. Grupe bazhibozukësh të Partisë në pushtet të rekrutuar kohët e fundit nga të mundin, deri, sipas disa fjalëve, nga arsenali i burgjeve, të veshur me uniformat e trupave të ndërhyrjes së shpejtë, me pendrekë policie ndër duar, shëtisin të lirë, godasin egërsisht njerëzit deri edhe liderët e opozitës. Policia arreston në Tiranë të gjithë liderët e opozitës sapo ata kërkojnë të organizojnë ndonjë miting paqësor. Në një nga kafenetë e kryeqytetit Neritan Ceka, President i partisë Aleanca Demokratike u godit nga dhjetë bazhibozukë të partisë në pushtet me një egërsi të paparë ndërkohë që klientët përreth u kërcënuan se kush do të ndërhynte në mbrojtje të tij do të vritej. Demonët e kaosit, ndërkaq, kanë pushtuar qytetin e Vlorës i cili pas përleshjeve me policinë dhe trupat e dërguar aty i ka mundur ata dhe e ka zhveshur qytetin nga administrata shtetërore. Porti është i lirë. Skafet e bllokuar nga policia ndezën motorrat dhe u nisën përplot për në Itali. Ndërkaq të gjitha anijet dhe tragetet u janë larguar porteve nga frika se shqiptarët, të dëshpëruar, të frikësuar apo të mbetur pa bukë, do t'i sulmojnë përsëri, si në vitin 91, për të shpëtuar nga vendi i tyre i mallkuar.
Po jetojmë një situatë që e bën shumë të qartë shkakun pse shqiptarët tradicionalisht e kanë braktisin vendin e tyre. Edhe një herë mund të përdorim konstatimin e frëngut Dyselie kur flet për migrimin e shqiptarëve në shek XV e më parë: origjina e emigrimeve duhet kërkuar në tensionet e një shoqërie të varfëruar nga pikpamja shoqërore dhe kulturalisht e çorientuar në të cilën aksidenti më i vogël mund të provokonte eksodin. Pas pesë vjetësh postkomunizëm Shqipëria ndodhet përsëri tejet etensionuar, e varfruar dhe e çorientuar.
Pse shqiptarët nuk po arrijnë ta kthejnë vendin e tyre në një shtëpi të përbashkët? Pse ai gjatë kohës së Enver Hoxhës i shëmbëllente më shumë një burgu sesa një shtëpie, kurse tani, në kohën e Sali Berishës, i përngjet më shumë një vendkalimi sesa një shtëpie? Shkaqet janë të shumta dhe duhen kërkuar thellë në histori. Ajo çka bije në sy menjëherë, gjatë këtij shekulli është se shteti shqiptar ka qenë vazhdimisht armik i kombi shqiptar. Përgjithësisht kombi (si kulturë, fe, gjuhë dhe territor i përbashkët) i ka paraprirë shtetit. Por gjithashtu historia ka treguar se sapo që këto dy realitete janë bashkuar dhe kanë hyrë në harmoni me njëri tjetrin kjo lidhje është bërë faktikisht dhe në ide e pandashme. Kjo, pa dyshim, ka ndihmuar për të zhvilluar atë ndjenjë përgjegjësie kombëtare dhe shoqërore pa të cilën një shoqëri dhe vend nuk është tjetër veçse një grumbull individësh. Në Shqipëri shteti u formua shumë vonë, dhe, për fat të keq, qyshse është formuar, nuk ka mundur të identifikohet me kombin, përkundrazi është identifikuar me zgjedhën e kombit. Individët që e kanë krijuar atë nuk kanë qenë të dominuar nga ndjenja e përgjegjësisë kombëtare, por nga ajo e luftës klanore për të eliminuar kundërshtarët dhe për të sunduar e përfituar. E njëjta histori u përsërit edhe me klasën e fundit që mori pushtetin.
Nëse shqiptarët e kanë braktisur kombin - dhe shpesh ata më të mënçurit dhe më të mirët - pa dyshim një nga shkaqet kryesore ka qenë ai që shteti shqiptar ka qenë armik i kombit shqiptar? Ç'duhet bërë që shteti shqiptar të mos jetë më i tillë? Kjo është një nga çështjet e mëdha që shtrohen përpara kulturës politike shqiptare.

Page 2 of 3