Revista PERPJEKJA
Fatos Lubonja
Editorial: Historiografia shqiptare - Nevoja për ndryshim paradigmash
Monday, 24 May 2021 17:16 Published in Nr. 36-37Si kronologji e historisë ky dynumërsh i Përpjekjes duhet të vendoset midis dynumërshit 28-29 të titulluar Skënderbeu i kërkimit shkencor (pranverë-vjeshtë 2012), që merret me periudhën e Skënderbeut, dhe dynumërshit 30-31 të titulluar Pavarësia (pranverë-vjeshtë 2013) që merret me periudhën e Pavarësisë. Synimi i tij është që, si edhe në ata numra, të sjellë dy lloj kontributesh: së pari rishkrimin e historisë nëpërmjet botimit të studiuesve që kanë përdorur metoda studimore të kohës, larg atyre ideologjizuese të nacional-romanticizmit të Rilindjes dhe nacional-komunizmit të regjimit totalitar, ende dominuese nëpër qarqet tona akademike, universitare dhe në masën e shqiptarëve; së dyti, të botojë shkrime kritike studiuesish që janë marrë me dekonstruktimin e miteve (konstrukteve historike) të ndërtuar nëpërmjet asaj historiografie. Kuptohet se një pjesë e këtyre studiuesve, veçanërisht ata që e njohin mirë historiografinë shqiptare, i kanë bërë të dyja këto punë, që i konsiderojmë fondamentale për t’i çliruar shqiptarët nga zgjedha e paradigmave të vjetra të cilat i kanë penguar ata ta njohin e interpretojnë historinë e tyre në kompleksitetin e vet, e për pasojë, ta kuptojnë më mirë vetveten dhe realitetet që kanë ndërtuar përgjatë shekullit të XX deri në të sotmen.
* * *
Ndërsa dy periudhat e trajtuara në numrat 28-29 dhe 30-31 janë lëvruar shumë nga historiografia shqiptare, mbi periudhën që po trajtojmë në këtë numër është hedhur shumë më pak dritë. Në fakt, nëse shqiptarët e shkolluar pyeten sot se çfarë dinë për historinë e tyre përgjatë Perandorisë Osmane vihet re se ata dinë të flasin gjatë për dy periudha relativisht shumë më të shkurtra: atë të Skënderbeut (rreth 25 vjet në shek. XV); dhe atë të Rilindjes e Pavarësisë (rreth 50 vjet në shek. XIX-XX), kurse periudhën katërqindecavjeçare mes tyre do ta kalonin me thënien “shekuj errësire”. Origjinën e këtij boshllëku do ta gjejmë në punën mitndërtuese të rilindësve që kanë seleksionuar te historia ngjarjet që i shërbenin ndërtimit të identitetit dhe krenarisë kombëtare, duke i ekzaltuar e shpesh deformuar ato, e duke lënë në hije shumë aspekte të tjera të rëndësishme të historisë së shqiptarëve përgjatë këtij gjysmë mijëvjeçari. Lidhur me këtë fenomen ka shkruar Noel Malcolm në artikullin e tij Mitet e identitetit kombëtar shqiptar. Aty, duke komentuar thënien e Konicës që uron “të çrrënjosë sa të jetë e mundur rezultatet e pushtimit dhe të lidhë të tashmen me të shkuarën, duke bërë të mundur që vendi im të rifillojë evolucionin e tij të natyrshëm, pikërisht aty ku ai u ndërpre nga pushtuesit e huaj”, Malcolm thotë: “kësisoj është fshirë me lehtësi një gjysmë mijëvjeçari historie njerëzore”, dhe ajo që ka mbetur “është lidhur, sikur asgjë të mos kishte ndodhur gjatë kësaj kohe”. Kjo, sipas tij, “mund të jetë e mundur jo në botën reale të kohës njerëzore, por në botën e pakohë (mitike), ku në thelb identiteti përcaktohet me supozim” . Për pasojë, gjithë sipas tij, ekziston “një diferencë e madhe midis mitit të betejave të vazhdueshme kombëtare të ndërtuar nga rilindësit mitndërtues dhe realitetit historik të marrëdhënieve të shqiptarëve në Perandorinë Osmane” .
* * *
Sikurse dihet, kjo punë e rilindësve u krye kur në Evropë po shembeshin dy perandori të mëdha, ajo Austro-Hungareze dhe ajo Osmane, dhe po ndërtoheshin shtetet-kombe; pra është një fenomen mbarëevropian mjaft i studiuar si përsa i përket përdorimit të historisë në funksion të ndërtimit të miteve të bashkësive të reja që po krijoheshin aq edhe përsa u përket shtrembërimeve apo harresave historike që ka prodhuar kjo qasje ndaj historisë. Ndërkaq, rimarrja e konstrukteve historike të Rilindjes nga historiografia komuniste pas Luftës së Dytë dhe sinkretizmi i tyre me interpretimet e materializmit dialektik dhe historik është një fenomen më i veçantë. Ky sinkretizëm ka ndodhur në forma të ndryshme në të gjitha vendet ish-komuniste, por, sipas mendimit tonë, Shqipëria paraqet një rast edhe më të veçantë që lidhet, kryesisht, me dy faktorë: së pari, me procesin e vonuar të ndërtimit e konsolidimit të shtetit-komb përgjatë shekullit XX që vazhdoi edhe në kohën e komunizmit. Vlen këtu të përmendet se institucionalizimi i shkencave albanologjike ka filluar në Shqipëri vetëm pas vitit 1945. Së dyti, me shkëputjen e Shqipërisë në vitet ‘60 nga Kampi i Lindjes në mbrojtje të stalinizmit që solli një rivitalizim të ideologjisë nacionaliste, që u shoqërua edhe me një investim shumë të madh në shkencat albanologjike.
Shkaku i vërtetë i ndarjes nga Kampi i Lindjes, ishte se, pas Kongresit të XX të PKBS në 1956, që dënoi krimet staliniste dhe kultin e individit, Enver Hoxhës iu rrezikua pushteti. Për të përligjur ndarjen, ai fuqizoi komponentin nacionalist në ideologjinë e tij të pushtetit, që u bë edhe udhëzuesi i interpretimit të krejt historisë dhe i tematikave të artit dhe letërsisë, ku shpesh bashkoheshin ndjenjat nacionaliste të identitetit e krenarisë kombëtare me krenarinë e mbrojtjes së versionit stalinist të marksizëm-leninizmit. Kështu rezistencën e Skënderbeut ndaj perandorisë Osmane, të mitizuar nga rilindësit, propaganda e tij e rimori si një shembull inspirues për rezistencën e popullit shqiptar ndaj imperializmit amerikan dhe socialimperializmit sovjetik, duke e paraqitur Shqipërinë si një kështjellë që, historikisht, u kishte rezistuar dhe vazhdonte t’u rezistonte fuqive të mëdha. Një shembull tjetër emblematik i unicitetit shqiptar në sinkretizmin e nacionalizmit me komunizmin është kombinimi i konstruktit historik të Rilindësve “feja e shqiptarit është shqiptaria”, që u ndërtua për t’u bërë thirrje shqiptarëve të bashkoheshin përtej dallimeve fetare, me kritikën marksiste të fesë si “opium për popullin”, për të përligjur një akt unik në botën komuniste: ndalimin në vitin 1967 të fesë në Shqipëri dhe shpalljen e saj vendi i vetëm ateist në botë.
* * *
Ndarja nga Kampi i Lindjes, që iu shtua ndarjes në vitin 1945 nga bota perëndimore, bashkë me izolimin e Shqipërisë rriti edhe izolimin e shkencave dhe të studiuesve shqiptarë nga arritjet e shkencës botërore. Në kuadrin e ruajtjes së shqiptarëve nga “ndikimet e huaja borgjeze-revizioniste”, izolimi i shkencave, kryesisht ato albanologjike, synonte ruajtjen e monopolit të shfrytëzimit të historisë në funksion të pushtetit nga partia komuniste.
Vitet ‘60 e mbrapa shënojnë periudhën e një rritjeje të investimit në albanologji që u shoqërua edhe me një radikalizim të skajshëm të politizimit të shkencave albanologjike. “Enver Hoxha e shihte stimulimin e veprimtarisë shkencore shqiptare si një mënyrë për ta sjellë albanologjinë “në shtëpi” dhe për të mos ua lënë atë më tej në dorë shkencëtarëve të huaj, për besnikërinë dhe dashamirësinë e të cilëve nuk mund të ishte i sigurt”. “Ai diktonte drejtpërdrejt ç’interpretim duhet të kishin gjetjet dhe kërkimet e tyre dhe në ç’drejtim duhej zhvilluar kjo apo ajo disiplinë shkencore, […] ai ndaloi edhe zgjerimin e studimeve përtej studimeve në fushën e albanologjisë edhe pse Akademia kishte guxuar të kërkonte në mënyrë të qartë lejimin për studime të krahasuara të degëve të tilla si romanistika, sllavistika apo greqistika” . Arshi Pipa në librin e tij Letërsia shqipe - Perspektiva sociale (Munih 1973) e ka sintetizuar kështu këtë strukturim paradigmatik të albanologjisë shqiptare: “Gjuhësia dhe letërsia, historia, gjeografia, folklori dhe etnologjia u kultivuan jo vetëm për t’u krijuar njerëzve ndjenjën se kishin një të kaluar, por edhe për të përhapur dhe nxitur ksenofobinë, sllavofobinë, izolimin, kompaktësinë etnike dhe njësinë gjuhësore”. Përkufizimit të Pipës i duhet shtuar edhe turkofobia e islamofobia të nxitura nga paraqitja e periudhës 500-vjeçare të sundimit osman si shtypje dhe errësirë e pandërprerë materiale, shpirtërore, kulturore.
* * *
Nevoja e çlirimit, pas rënies së komunizmit, nga paradigma shqiptarocentriste, izolacioniste, ksenofobe e interpretimit të historisë, ka qenë fondamentale si për të krijuar një tjetër vetëdije të shqiptarëve për veten dhe të tjerët aq edhe për zhvillimin e kërkimit shkencor shqiptar. Ngjashëm me kalimin nga paradigma ptolemeiane e tokës në qendër të botës në paradigmën kopernikane, ky ndryshim do të hapte mundësinë e studimit të historisë së shqiptarëve jo më si të një entiteti të mbyllur në qendër të botës, por si pjesë e një universi ku shqiptarët kanë qenë në lidhje e ndërveprim me popujt e perandorive ku ata kanë bërë pjesë. Po ashtu, ky ndryshim paradigme nënkupton edhe përdorimin e metodave të kohës në studimin shkencor, me mendim kritik, me shumësi qasjesh, si dhe të hapura ndaj arritjeve e zbulimeve të reja shkencore. Mirëpo, paradoksalisht, megjithë hapjen e Shqipërisë, që solli edhe mundësinë e hapjes ndaj studimeve të ndryshme të autorëve të huaj, ky ndryshim kopernikan nuk ka ndodhur. Në vend të kësaj shohim një ripërshtatje të paradigmës nacional-komuniste për kohën e sotme nëpërmjet pastrimit prej saj të teleologjisë komuniste, por duke lënë të pandryshuar, madje edhe duke e forcuar, teleologjinë nacionaliste në interpretimin e historisë.
Para disa vjetësh Përpjekja botoi librin Historia e shqiptarëve - Gjendja dhe perspektivat e studimit nën kujdesin e Oliver Jens Schmidt dhe Eva Franz, një përmbledhje kumtesash të mbajtura në një tubim të zhvilluar në dhjetor të vitit 2006 në Vjenë nga historianë, antropologë, gjuhëtarë të rëndësishëm që janë marrë me epoka të ndryshme të historisë shqiptare (Peter Bartl, Robert Elsie, Nathalie Clayer, Oliver Jens Schmidt, Bernd J. Fischer, Stephanie Schwander-Sievers, Noel Malcolm, Michael Schmidt-Neke, Joachim Matzinger, Markus Koller, Robert Pichler, Edgar Hösch). Tubimi, dhe më pas botimi i kumtesave, sikurse ve në dukje Oliver Jens Schmitt në parathënien e librit, synonte të hidhte një urë dialogu me studiuesit shqiptarë nisur nga problemi se “shkenca historike shqiptare ka vijuar të ndjekë traditat e epokës komuniste, pa marrë parasysh fare, ose thuajse fare, shkencën ndërkombëtare; se nga ana metodike studimet kanë mbetur, në pjesën më të madhe, në gjendjen e fillimviteve ‘50 si dhe ato më të vjetra, metodat që etërit themelues të historiografisë shqiptare patën mësuar më së shumti në Austrinë e viteve ‘30”. Schmitt ve re se ende “jo rrallë studiuesit klasifikohen sipas kategorisë “shqiptarë” dhe “të huaj”, ku për këta të fundit ekzistojnë vetëm kategoritë “mik” dhe “armik”, që shpjegohen nëpërmjet një sistemi të menduari bardh e zi e që e ka burimin si nga koha e komunizmit, por edhe nga strukturat më të vjetra shoqërore” . Duke komentuar veprën Historia e Popullit Shqiptar, botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë pas rënies së komunizmit, ai shprehet se aty “vazhdon anakronizmi i interpretimeve zyrtare dhe i termionologjisë së kohërave totalitare”. “Historiografia shqiptare, ndodhet në një rrugë pa krye, të ngushtë e të vetëzgjedhur: izolacionizmin” .
Kanë kaluar rreth 15 vjet që nga ai tubim dhe zgjedhja e shqiptarëve për vetizolim, përsa i përket perceptimit të tyre për vetveten nëpërmjet interpretimit të historisë së tyre, duket sikur të jetë bërë një mënyrë të jetuari dhe të menduari, që qëndron ndaj shpërhapjes së tyre gjeografikisht në të gjithë botën si faqja tjetër e medaljes. Në mungesë të një investimi serioz nga shteti për shkencën, kulturën e arsimin në përgjithësi, (për të cilat shteti komunist investonte shumë më tepër me koston e ideologjizimit); në kushtet e vazhdimit nëpër shkolla të metodologjisë së vjetër të edukimit, nëpërmjet së cilës synohet thjesht mbushja e kokave të njerëzve me dogmat e kohës dhe jo zhvillimi i aftësisë për të menduar, dyshuar, krijuar, ndryshuar botën; në kushtet e agresionit të kulturës së konsumizmit, të mbizotërimit të “vlerës para” mbi çdo vlerë tjetër; të një rrjedhjeje dramatike të trurit, të frustracionit identitar që përjetojnë shqiptarët përballë hapjes ndaj botës duke patur parasysh edhe se një e treta jetojnë të çrrënjosur nga vendi i tyre, historiografia shqiptare jo vetëm ka vazhduar të ecë në rrugën qorre të izolacionizmit, por në terrin e këtij qorrsokaku po zhvillohet gjithnjë e më shumë një ligjërim dominues që karakterizohet nga degradimi në banalitet i historiografisë së vjetër. Ligjërimi i vetëmburrjes historike, i “heroizmit të popullit shqiptar në shekuj” ka marrë në epokën e lulëzimit të masmediave e të rrjeteve sociale dimensione groteske. Në formimin e këtij ligjërimi gjithnjë e më dominues rolin e historianit e luajnë gazetarë të paspecializuar në fushën e historisë dhe më keq akoma, individë që shpërndajnë nëpërmjet rrjeteve sociale përralla të një kohe “kur Shqipëria pillte vetëm trima dhe luanë” që shpëtonin Evropën. Kuptohet se politikanët e inkurajojnë këtë sport kombëtar vetëmburrjeje për qëllimet e veta të pushtetit. Për ta ilustruar po sjellim një postim në Facebook të Kryeministrit Edi Rama ku paraqitet një gravurë e Akropolit e vitit 1670 me shënimin: “nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajës dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit! i cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosini-t që qyteti të mos bombardohej” , ndërkohë që e vërteta historike është që Partenoni, i ruajtur i paprekur që nga lashtësia, u hodh në erë pikërisht në atë vit nga bombardimet veneciane dhe më pas u plaçkit prej Morosini-t – çka konsiderohet si një nga turpet e mëdha të historisë së luftërave.
Kjo seri përçudnimesh fillon që nga lashtësia. Kështu p.sh. origjina e zbulimeve arkeologjike të qytetërimit greko-romak, që regjimi i interpretonte si ilire shtyhet tek pellazgët; gjuha shqipe paraqitet si nëna e të gjitha gjuhëve. Perandorët romakët me origjinë ilire, d.m.th. shqiptare, shtohen përditë në numër. Përsa i përket periudhës osmane, në vend se të studiohen ndikimet e forta në të gjitha fushat e jetës materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve, apo të njihen autorët e shumtë shqiptarë që krijuan në gjuhën osmane, ajo sterroset edhe më shumë si errësirë 500 vjeçare, me qëllimin për t’i treguar Evropës se ne jemi perëndimorë, jo orientalë, dhe ndriçohet edhe më vetëmburrja e rezistencës së pareshtur ndaj saj.
Një shkak kryesor i këtij degradimi vjen edhe nga fakti se edhe pas rënies së komunizmit, pushteti politik dhe kulturor vazhdoi të mbahet nga ish-elita komuniste, krijuese e kësaj narrative, nëpërmjet veprave historike, etnologjike, arkeologjike, artistike, letrare, në kohën e komunizmit. Në kushtet e reja të krijuara ajo jo vetëm nuk i ka parë me sy kritik këto vepra, por, duke marrë edhe pushtetin politik, përveçse kulturor, ka penguar në mënyrë agresive zhvillimin e mendimit kritik ndaj kësaj narrative, deri duke i shpallur “tradhtarë” autorët që janë përpjekur të ndryshojnë paradigmat e vjetra të interpretimit të historisë. Pa dyshim në rreth vicioz, synimi i ruajtjes së pushtetit dhe të veprës së tyre ka nxitur nacionalizmin në Ballkan ashtu sikurse rizgjimi i nacionalizmit, veçanërisht me prishjen e Jugosllavisë, i shkonte shumë për shtat komponentit nacionalist të veprës së tyre .
* * *
Disa nga paradigmat e vjetra mbi të cilat është ngritur interpretimi i historisë së shqiptarëve gjatë periudhës që po trajtojmë në këtë numër janë:
- Sundimi osman i trajtuar si “pushtim” që, gjithsesi, nuk e ka prekur esencën identitare shqiptare, por që, si një sëmundje, ka ndërprerë një kohe të artë duke krijuar prapambetje, që në të tashmen po kurohet në emër të një të ardhmeje të ndritur. Kjo paradigmë e krijuar nga Rilindësit si Konica, u rimor nga Partia Komuniste që kombinoi pasojat e pushtimit osman me pasojat e sistemit shfrytëzues feudalo-borgjez dhe pretendoi kurimin e tyre në të tashmen socialiste në emër të së ardhmes komuniste. Pas viteve ‘90 ajo u ripërshtat duke zëvendësuar të ardhmen komuniste me atë evropiane, gjithë duke mbetur e pandryshuar si metodë e interpretimit të historisë. Kështu, duke aplikuar këtë metodë, në vitin 2010 Sali Berisha (ish president (1992-1997) dhe ish kryeministër (2005 - 2013)) zgjodhi Krujën për t’u shprehur një ditë pas vendimit të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë duke deklaruar atje: “Kruja, kryeqyteti historik i shqiptarëve, luftërat e përpjekjet e Skënderbeut, simbolizojnë e përfaqësojnë identitetin europian shekullor të kombit shqiptar. Votimi i djeshëm përbën arritjen më të madhe në historinë tonë kombëtare, që nga kohët e Skënderbeut gjer më sot, për t’u bashkuar me Europën” .
- Paradigma e vazhdimësisë së shqiptarëve, edhe në periudhën osmane, si një popull homogjen, i papërzierë kulturalisht dhe etnikisht me popujt e tjerë, ku konvertimi në fenë islame është kryer me dhunë, por pa dobësuar të qenit shqiptar që ka qenë mbi dallimet fetare. Në kohën post-komuniste, të rikthimit të besimeve fetare, kjo është përshtatur duke i përshkruar shqiptarët si të krishterë ashtu si evropianët, por gjithë duke mbetur më së pari shqiptarë. Ish presidenti Alfred Moisiu deklaronte në një ligjëratë në Oksford më 2005 se “tek çdo shqiptar, pak po të gërmosh, do të zbulosh thelbin e tij të krishterë” .
- Paradigma e rezistencës së pandërprerë kulturore-identitare sipas së cilës të gjitha kryengritjet janë interpretuar ose në çelësin nacionalist, si çlirim kombëtar, ose (pas ardhjes së komunistëve), edhe në çelësin klasor si beteja për çlirim nga shfrytëzuesit klasorë. Kjo paradigmë, paradoksalisht, bashkohet edhe me atë të mburrjes se shqiptarët i kanë dhënë një numër të pafund vezirësh Perandorisë.
* * *
Ajo që po përpiqemi të bëjmë në këtë numër është të hedhim dritën e studimit shkencor mbi “botën reale” të “kohës njerëzore” të shqiptarëve në Perandorinë Osmane për ta njohur atë në kompleksitetin e kontradiksionet e veta, në paradokset e veta, diskontinuitetet e veta, që nuk shpjegohen dot nëpërmjet paradigmave të vjetra. Ky numër është edhe një përpjekje për t’iu përgjigjur pozitivisht ftesës së autorëve të librit
Histori e Shqiptarëve për një dialog me studiuesit shqiptarë. Madje edhe titulli i tij është marrë nga kumtesa e Markus Koller Shqiptarët në Perandorinë Osmane - Një vështrim historik (shekujt XVII -XVIII) .
Duke lexuar faqet e këtij numri lexuesi do të njihet me fakte historike që nuk interpretohen dot nëpërmjet paradigmave të vjetra, që venë në diskutim edhe termin “pushtim”, i përdorur rëndom për këtë periudhë në ligjërimin dominues, në kuptimin e një invazioni ushtarak që ka zgjatur për një kohë së shkurtër si p.sh. pushtimi italian apo ai gjerman gjatë Luftës së Dytë. Në mungesë të një termi korespondues në shqip të termit që përdoret në historiografinë botërore (conquest (anglisht), eroberung (gjermanisht) conquête (frëngjisht) conquista (italisht)) për depërtimin e shkallëshkallshëm të Perandorisë Osmane në trevat aziatike, evropiane dhe afrikane dhe vendosjen atje të një sundimi shekullor që ka lënë mbresa të thella materiale, shpirtërore, kulturore kemi zgjedhur termin “sundim”.
Kështu në faqet e këtij numri do të shohim se gjatë këtij sundimi konvertimi ka qenë një proces shumë më kompleks që ka zgjatur me shekuj duke pasur faktorë të ndryshëm në krahina të ndryshme dhe kohëra të ndryshme. Po ashtu, në kundërshtim me idenë e homogjenitetit do të gjejmë se përkatësia fetare ka qenë shumë më e rëndësishme sesa ajo etnike linguistike aq sa jo rrallë, gjatë këtyre shekujve, shqiptarët myslimanë kanë luftuar kundër shqiptarëve të krishterë, ashtu sikurse kemi parë të krishterë të disa trojeve të luftojnë kundër shqiptarëve të krishterëve të trojeve të tjera. Në këtë numër e kemi parë të rëndësishme të botojmë edhe një shkrim që e ka provokuar jo pak ligjërimin dominues shqiptar. Është një shkrimi i Hasan Kaleshit i vitit 1975 i cili kundërshton paradigmën e sundimit osman si sjellës prapambetjeje, veçanërisht përsa u përket shqiptarëve. Duke e mbiquajtur këtë paradigmë “provincializëm joshkencor” ai ndërton një tjetër paradigmë, që për mendimin tonë, gjithë duke mbetur nacionaliste, shpjegon në mënyrë mjaft më bindëse dhe koherente shumë fakte dhe procese historike të shpërfilluara apo keqinterpretuara nga historiografia zyrtare. Teza e tij themelore është se “depërtimi turk në Ballkan dhe islamizimi i pjesës më të madhe të popullsisë shqiptare, si pasojë e drejtpërdrejtë e këtij depërtimi, mundësoi jo vetëm mbijetesën etnike dhe kombëtare të popullit shqiptar, por çoi edhe në shtritjen e vendbanimeve të shqiptarëve. Në këtë këndvështrim, historiografia shqiptare, në të cilën sundimi turk dhe islamizimi gjykohen si absolutisht negative, duhet korrigjuar”.
Numri nis me punimin e Gilles Veinstein mbi gjendjen së gruas në mjedisin ekonomik dhe shoqëror të shekullit XVI në Vlorë, thuajse menjëherë pas ardhjes së çifutëve sefarditë aty. Në këtë punim, bazuar në regjistrat e kadinjve të gjykatave të sheriatit, ku flitet për situatën e tyre shoqërore, çështjet e pronësisë, divorcet, konfliktet, sipërmarrjet, etj., autori na mundëson një vështrim të rrallë historik në jetët përgjithësisht të heshtura të grave në histori, dhe jo thjesht në atë osmane.
Metin Kunt analizon dukurinë e politikave të solidaritetit etnik shqiptar dhe boshnjak gjatë shekullit XVII për t’u ngjitur në instancat më të larta të pushtetit dhe për të mundësuar karriera të shkëlqyera në shtetin osman. Aspekte të dukurisë së pjesëmarrjes së lartë të shqiptarëve në jetën e Stambollit, qyteti më i populluar me shqiptarë në Ballkan, pikërisht sepse shqiptarët imigronin aty masivisht qysh prej shekullit XVII, analizohen në dy punime: Nina Ergin vështron politizimin e rrjetit të punësimit të shqiptarëve në hamamet e Stambollit, ndërkaq që Suraiya Faroqhi mundohet të kuptojë dinamikat e rrjetit të punësimit të shqiptarëve në një lagje të metropolit osman.
Frederick Anscombe përmes një studimi të detajuar analizon shkaqet dhe pasojat e dukurisë së kaçakëve shqiptarë gjatë shekullit XVIII; ndërkaq, dukurinë e prodhimtarisë masive të kadinjve në gjirin e Perandorisë Osmane me prejardhje nga Gjirokastra dhe Libohova pas periudhës së Tanzimatit e analizon Nathalie Clayer në një nga dy shkrimet e saj në këtë numër. Përmes tij shfaqet qartë se dukuria e karrierave të larta të shqiptarëve në perandori nuk i është rezervuar thjesht mjedisit politik dhe ushtarak, po edhe atij fetar, duke kapur madje edhe majat më të larta.
Në punimin e saj Holta Vrioni trajton ndërveprimin e sarajeve të bejlerëve shqiptarë me shoqërinë e gjerë gjatë fundit të shekullit XIX dhe fillimit XX, me aspektin zyrtar-politik në selamllëk dhe jetën private dhe shoqërore në harem – një tjetër tentativë për të sjellë në vëmendje rolin e femrës në histori.
Dukuria e lëvrimit të letërsisë shqipe aljamiado në të gjitha territoret e banuara nga shqiptarë trajtohet në imtësi në një tjetër punim të Hasan Kaleshit, ndërkaq Phokion Kotzageorgis në punimin e tij trajton lëvrimin e letërsisë greke aljamiado në territoret e banuara edhe nga shqiptarë myslimanë në Greqinë e sotme.
Në fushën e gjuhësisë Ardian Vehbiu paraqet një vështrim të detajuar për përdorimet e reja të prapashtesave të turqishtes në shqipen e sotme, ndërsa Fatos Dibra na sjell një punim kritik mjaft interesant mbi disa aspekte të përshkrimeve të shqiptarëve nga Evlija Çelebiu.
Ardian Brisku nëpërmjet punimit të tij që shtjellon disa nga tezat më të njohura të Ismail Qemal Bej Vlorës mbi politikën e jashtme osmane, na sjell një Ismail Qemal tjetër nga ai i ligjërimit dominant shqiptar të reduktuar në ngritësin e flamurit në Vlorë; ndërkaq, në punimin e saj të dytë në këtë numër, Nathalie Clayer analizon përgatitjen dhe shkollimin e elitave shqiptare osmane në shkollat e larta gjatë epokës së fundit të perandorisë dhe paraqet një mori profilesh shqiptarësh të shkolluar aty, shumë prej të cilëve aktorë madhorë së historisë moderne shqiptare.
Shkrimi i Doan Danit, që përmbyll këtë dynumërsh, është një punim kritik mbi esencializimin dhe seksualizimin e figurës së “turkut” si “tjetri”. Ai është ilustrim i fobive që ka krijuar dhe vazhdon të krijojë historiografia e izolacionizmit dhe ksenofobisë në perceptimin e shqiptarëve për popujt përreth, në këtë rast, përputhur me temën tonë, islamofobinë dhe turkofobinë. Ai na tregon njëkohësisht se sa e rëndësishme është puna që përpiqemi të bëjmë me këtë revistë, vështrimi kritik i historisë, dekonstruktimi i paradigmave të vjetra, për të kuptuar, njohur e ndërtuar raporte të tjera me vetveten dhe tjetrin: ato të hapjes, dialogut, dashurisë dhe përvujtnisë kundër atyre të mbylljes, konfliktit, urrejtjes dhe vetëmburrjes.
Editorial: Libri i dështuar i arkitekturës shqiptare
Sunday, 12 June 2016 16:11 Published in Nr. 34-35
"Në emër të skandalozes forcë revolucionare të së kaluarës"
Pier Paolo Pasolini
Arkitektura e një vendi shpesh krahasohet me një libër, kapitujt e të cilit përshkruajnë epoka të ndryshme historike nëpërmjet stileve, materialeve, teknologjive të ndryshme me të cilët kanë ndërtuar njerëzit në shekuj. Por, tjetër gjë është të imagjinojmë një libër ideal, që do të presupozonte kapitujt e ruajtur siç janë „shkruar“ në kohën e tyre, dhe tjetër gjë të flasim për librin që kemi në dorë. Sepse libri arkitektonik që kemi trashëguar, ndryshe nga një libër që ruhet në bibliotekë, ka qenë dhe është një libër i hapur ndaj agjentëve atmosferikë dhe atyre, shumë herë më të tmerrshëm, njerëzorë. Veprimi korroziv i natyrës, moskontinuiteti i historisë me rënien e disa qytetërimeve e ngritjen e të tjerëve, luftërat shkatërrimtare që i kanë shoqëruar shpesh këto e që jo rrallë, pastaj, janë shoqëruar me ngritjen e monumenteve të fitimtarëve mbi rrënojat e të mundurve, fetë apo ideologjitë e ndryshme të pushteteve që kanë kërkuar të ngrenë objektet e tyre të kultit, deliret dhe garat për madhështi të pushtetarëve, revolucionet, të tilla si ai industrial, me lëvizjet e shumta demografike që e kanë shoqëruar, etj., etj., kanë sjellë kudo në botë, jo thjesht kapituj të shtuar të librit, por edhe shumë kapituj të rishkruar e përçudnuar, që e bëjnë shumë të ndryshëm librin në krahasim me atë që do të mund të kishim pasur.
Pas disa muajsh, mbushen njëzet vjet nga botimi i numrit të parë të revistës Përpjekja, me moton Bëhu i ditur të jesh i lirë. Synimi i saj, që në numrin e parë, ka qenë çdogmatizimi i mendjeve të shqiptarëve nëpërmjet dekonstruktimit me frymë antiautoritare të miteve të ideologjisë nacional-komuniste të pushtetit diktatorial dhe zhvillimit të frymës kritike, si rrugë e domosdoshme për të ndërtuar një kulturë të re demokratike dhe marrëdhënie të re midis pushtetit dhe dijes.
Ajo që konstatojmë, pas njëzet vjetësh, është se kjo kulturë dhe dije e re vazhdon të mbetet në pakicë. Nëse do të huazonim fjalët e një poeti të njohur, shumica, e mbrujtur me frymën e kulturës së trashëguar, vazhdon të dominojë në shoqëri "e ngopur" dhe "e pandëshkuar", "si një sëmundje", "si një fatkeqësi", "si një anestezi", "si një zakon". Dhe, sigurisht, kjo "anestezi" ka autorët e saj: një elitë të tërë të edukuar me frymën e shërbimit ndaj pushtetit, i cili vazhdon të sundojë e abuzojë duke kultivuar injorancë dhe nënshtrim. Por edhe Përpjekja vazhdon të notojë kundër rrymës, pa iu bindur "ligjeve të tufës", që jo rrallë merr trajtat e një injorance të egër në veprim.