gjallë, sa e lindur, aq dhe e selitur prej jetës me tallaze dhe studimeve faustiane. Gjithçka merrte trajtë të kthjellët në fjalët që thoshte; ato që linte mangut fjala, sakaq, i thoshin sytë aty të menduar e aty në sulm, si sytë e një shkabe. Truplartë, 82-vjeçar, me gjithë një ndërhyrje të rëndë kirurgjikale në zemër, ai beson se do të rrojë gjatë, por, të paktën në dukje, edhe s'e ha fortmeraku nëse i lë shëndenë kësaj bote, të cilën e kundron si botë të absurdit.
Në ballin e gjerë e të braktisur prej flokëve të binte në sy mungesa e rudhave. Mbase, thashë me vete, mbase nga që në rininë e tij të parë mendonjëse a më vonë e ka pasë mbajtur vëth në vesh një porosi të Volterit, që s'di pse m'u kujtuan ato çaste: Mjerë filozofët që nuk i zhdukin rudhat duke qeshur! Emri i Isuf Luzajt është pak ose aspak i njohur në botën kulturore shqiptare, kurse për brezin tim, ca më keq, thuajse i padëgjuar. Atëhere, pa fjalë, vetvetiu del pyetja: kush është dhe ç ngulmon të përfaqësojë filozofi, poeti, prozatori, historiani dhe kujtimtari Isuf Luzaj?