Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Friday, 26 Apr 2024
Thursday, 13 October 2011 07:06

Edhe një herë për identitetin

(ose shqiptari në mërgim)

Afrim Gashi - Shnajder ka filluar punë kohët e fundit si detektiv i supermarketit Kaufhaus në Dyseldorf. Rrogën neto e ka 1500 marka në muaj; punëdhënësi i siguron gjthashtu dy palë kostume, tri këmisha e katër kravata në vit. Shefit të

repartit elektronik i ka rënë në sy për mirë përpikmëria e mëngjesit, gatishmëria për të bërë orë plus dhe paraqitja e tij e pastër. Ashtu si dhe punëtorët e tjerët gjermanë të firmës Kaufhaus, Gashi - Shnajder gëzon, veç rrogës edhe shpërblim për Pashkë dhe për Krishtlindje, përkatësisht nga 225 marka, minus taksën e vlerës së shtuar. Simpatinë e përgjegjësve Gashi - Shnajder e ka fituar edhe me syçelësinë në detyrë. Në vetëm dy muaj punë ka kapur në flagrancë pesë persona, që të pestë të huaj, dy kurdë, një vietnamez dhe dy shqiptarë, që janë munduar të vjedhin nga raftet e repartit elektronik kush një orë dore, kush një radio me alarm, kush bateri minjon. Njërit shqiptar i uli madje të mbathurat sapo që ky kaloi arkën, për t i nxjerrë andej kompaktdiskun e fundit të Tina Tërnerit. Megjithatë jeta e Afrim Gashi - Shnajder nuk ka qenë gjithmonë kaq e siguruar sa sot.

I ardhur në Gjermani para katër vjetësh Arben Kulluri, tiranas, është detyruar të paraqitet para autoriteteve të azilit politik me një emër të rremë kosovari, kinse dezertor lufte nga Bosnja. Me muaj dhe vite të tëra ka qenë i shtrënguar të jetojë nëpër konteinerët plastikë dhe ta çojë deri në fund dyzimin e personalitetit të vet për ta bërë bindëse historinë e dezertimit nëpër shumë instanca të drejtësisë gjermane, teksa nofulla dhe hunda përpiqeshin mbinjerëzisht të kapnin fonemat arkaike të shqipes verilindore. Edhe më të dhimbshëm do t'ia bënte dyzimin fakti që në Tiranë kishte kryer një shkollë të lartë dhe që vetëdijen e epërsisë kulturore mbi bashkëkombasit nuk mund ta shpaloste në asnjë rast.