Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 26 Pri 2024
E Enjte, 13 Tetor 2011 07:09

Mbi emigracionin shqiptar

(vështrim mbi gjendjen aktuale në Itali)

Dikur tregohej një anekdotë: e pyetën Shtjefën Palushin ç do bënte sikur të hapeshin kufijtë e Shqipërisë, dhe ai u përgjigj: Do hypja mbi një pemë... (një sakati si Shtjefni nuk i mbetej veçse të kacavirrej mbi ndonjë degë për të shpëtuar

pa u shkelur). Koha e solli që kjo profeci të realizohej nëmarsin e vitit 91. Gjysmë milioni shqiptarë, pra gati një e pesta e tërë popullsisë, morrën arratinë kur inkubatori enverian doli jashtë përdorimit. Kjo lëvizje masive e shqiptarëve që nisi me futjen nëpër ambasada në korrik 90 u bë fillimisht simbol i mbylljes së një etape historike, ndërsa sot, vazhdimi i saj, duket se përbën diçka më të thellë për tërë historinë tonë. Richard Lassels, një edukator që shoqëronte grupe të rrinjsh englezë në udhëtimet e tyre nëpër Europë në shekullin e XVI, thotë se nisjet janë një eksperiment moral që vendos se çfarë aspektesh të unit mund të lihenmbas shpine bashkëme ambjentin që i ka prodhuar, dhe çfarë të tjerash, në të kundërt, përbëjnë karakterin e pandryshueshëm të individit që lëviz. Analiza e tij, e përqëndruar tek individi, duket se sintetizon mirë edhe efektet e nisjes kolektive, vetëdijen kolektive që shoqëron këtë lëvizje.
Edhe pse një fenomen i tillë ikjeje masive ishte deri diku i parashikueshëm mbas rënies së Murit të Berlinit, në asnjë prej shoqërive europianolindore emigracioni nuk do të merrte përmasa të tilla si në rastin e Shqipërisë. Përse ky shpërpjestim? Cilat qenë arësyet e këtij eksodi thuajse biblik? Cilat janë sot pasojat e tij? Çfarë e ardhme i pret emigrantët shqiptarë që enden sot nëpër botë?