Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Shtunë, 27 Pri 2024
E Hënë, 17 Tetor 2011 11:46

Qëndrimi i aleatëve perëndimore ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë në vitet e para të luftës së ftohtë (1945-1949)

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në Foreign Office ekzistonte pikëpamja se Britania nuk kishte interesa madhore në Shqipëri, por ata dëshironin të kishin ndikimin e tyre në qeverinë e re shqiptare, për

arsye se Shqipëria kishte qenë më parë qendër turbullirash në Ballkan dhe mund të ishte e tillë përsëri pas luftës, veçanërisht nga pikëpamja e pretendimeve greke ndaj Shqipërisë së Jugut. Në këtë frymë, Departamenti i Jugut në Foreign Office hartoi një dokument tjetër studimor, i cili përkonte pikërisht me datën e çlirimit të Shqipërisë. Siç thuhej në këtë dokument, shqetësimi kryesor ishte pikërisht parandalimi i shëndërrimit të Shqipërisë në një qendër të furtunës në Ballkan. Për këtë qëllim, propozohej rishikimi i politikës së deritatëhershme të Londrës ndaj Shqipërisë dhe veçanërisht ndaj Frontit Nacionalçlirimtar. Në Departamentin e Jugut mbizotëronte mendimi se do të ekzistonte një rrezik i madh, nëse e ardhmja e
Shqipërisë nuk zgjidhej mbi baza të kënaqshme për fqinjët e saj, pasi kjo plagë do t'i shtynte ata pastaj ta copëtonin atë.