Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Wednesday, 01 May 2024
Monday, 17 October 2011 20:19

Rënie e lirë në transin shqiptar

Në Shqipërinë e fillimvitit 97 ajo çka u përjetua, mishërua dhe riformua më së shumti ishte e papritura. Që nga marsi i këtij viti në çdo formë të medias, qoftë atë statike apo të lëvizshme, verbale apo grafike, në shqip apo në çfarëdo gjuhe e

frekuence të mundshme të interesuar, ikonografia e vetme që mbizotëroi kishte formën e një instrumenti prej hekuri, i cili shkrepte copëza hekuri nga gryka, copëza që kanë si funksion hapjen e vrimave të madhësive të ndryshme. I mbartur nga të gjitha grupmoshat e gjenealogjisë njerëzore, si në një teatër absurd ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja zhvillohen njëkohësisht, jashtë dimensioneve kohore, i zhvendosur në peisazhe e kontekste po aq të larmishëm, ky instrument u kthye në një prani të gjithgjindshme e të gjithpushtetshme, që bashkë me sasinë e pamatë të municionit vrastar shkarkonte edhe sasinë e pamatë të adrenalinës së shqiptarëve. Në pamje të parë Shqipëria të dukej si një Western Spagheti i Sergio Leones, i luajtur në një atmosferë neorealistemakthi, ku gjithkush u kthye në një pistolero potencial dhe ku monotonia e kobureve me mulli u zëvendësua nga pafundësia e llojeve, markave dhe datave të prodhimit të armatimit në dispozicion të aktorëve.
Padyshim që nuk mund të mungonte as eksplozivi, potenca shpërthyese e të cilit mori përsipër madje edhe ndryshimin e gjeografisë territoriale të Shqipërisë. U shfaq edhe një kategori e re predhash në fushën e balistikës, nën emërtimin plumba qorrë, që nisi kryerjen e flurudhave nga më të çuditshmet në të gjitha drejtimet e mundura dhe të pamundura. Kështu, edhe qielli shqiptar në vend të shiut nisi të hedhë predha, si të ndjehej tejet i fyer nga lufta që shqiptarët i kishin shpallur. Por më shumë se një Western Spagheti, jetesa në një gjendje të tillë transi i shëmbëllente një xhiroje të stërzgjatur në një vagon në rënie e ngritje të lirë në lodrën argëtuese që njihet me emrin mali rus.