Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Shtunë, 27 Pri 2024
E Hënë, 17 Tetor 2011 20:22

Shqipëria dhe profetët perëndimore

Në dhjetor 1990 regjimi komunist ra edhe në Shqipëri e, sa hap e mbyll sytë, Tirana u shndërrua në një fushlojë të madhe demokratike. Qeveri perëndimore dhe organizata joqeveritare u dyndën në Tiranë me premtimet për ta transformuar

Shqipërinë në një vend të lulëzuar demokratik. Pamflete vezulluese që nënëvizonin (me ngjyra blu) qëllimet e organizatës dhe vinin në dukje (me të verdhë) arritjet e tyre në vendet e tjera lindore, dmth. në Rumani, Bullgari dhe Poloni, u shpërndaheshin kalimtarëve. Organizata ekonomike premtuan ta bëjnë Shqipërinë një Zvicër të Ballkanit. Organizata politike premtuan ta kthejnë atë në demokracinë më moderne pluraliste që do të thithte nga perëndimi vetëm anët më të mira. Organizata socialkulturore dhe arsimore premtuan gjithçka, që nga shoqëria e hapur deri tek një elitë kulturore dhe sociale të tipit bavarez. Nëpërmjet këtyre profetëve perëndimorë shqiptarët u njohën me principin bazë të ekonomisë - konkurrenca është shërbyesi më i mirë i konsumatorit.