Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Njoftime » Nr. 18 » Disa aspekte të perceptimit të periudhës osmane në historiografinë shqiptare të periudhës së socializmit
E Mërkurë, 01 Maj 2024
E Shtunë, 22 Tetor 2011 10:27

Disa aspekte të perceptimit të periudhës osmane në historiografinë shqiptare të periudhës së socializmit

Përfytyrimi më popullor dhe më i zakonshëm që shqiptarët kanë pasur gjatë kohës së socializmit për beun, një prej simboleve kryesore të periudhës osmane, ka qënë pak a shumë ky që vijon: beu ka qënë një burrë i

shëmtuar, si fizikisht ashtu edhe moralisht, ai ishte barkmadh, ishte dembel, zakonisht e kalonte kohën duke shfrytëzuar egërsisht fshatarët, që kishte nën hyqëm, ose pinte, hante dhe luante bixhoz. Si rregull ai ishte i rrethuar nga një grusht servilësh, të cilët me zellin e tyre dhe për të fituar simpatinë e tij tregoheshin edhe më të ashpër se sa ustai i tyre. Figura më tipike e kësaj kategorie ishte qehajai, një lloj mazhordomi që mbante nën kontroll të rreptë fshatarët gjysëm skllevër. Puna e tij kryesore ishte të mblidhte taksa dhe të siguronte të ardhurat e beut. Beu ishte pëfaqësuesi i sistemit të vjetër dhe regresiv feudal. Ai ishte gjithmonë një pengesë ndaj risive që sillte klasa ende timide borgjeze. Figura e beut përçonte një përmbajtje të dyfishtë negative: nga njëra anë ai ishte anëtar i klasës shfrytëzuese dhe sunduese, dhe nga ana tjetër ishte edhe një figure e osmanizuar, d.m.th. një lloj pasqyre e degradimit, e regresit dhe e injorancës së ngulitur prej kohësh.