Revista PERPJEKJA

LOADING
PREV
NEXT
http://revistaperpjekja.org/components/com_gk3_photoslide/thumbs_big/696447kopertina_36_37.jpg

Fac sapias et liber eris

  Bëhu i ditur që të jesh i lirë

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Nr. 19 » Letër nga çmendina në vitin 2000
E Enjte, 09 Maj 2024
E Shtunë, 22 Tetor 2011 19:44

Letër nga çmendina në vitin 2000

I dashur Ivo Andriç,


Mos u habit nëse kjo letër që po të shkruaj është pa datë, s'kam ç'ti bëj, sepse në rrjedhën e ditëve dhe të netëve që s'kanë të mbaruar e që kapërthehen me njëra-tjetrën, këtu, në këtë botën time, koha ka rreshtur një herë e mirë, ose përkundrazi është bërë vërtet kohë, kohë e zhveshur, e lakuriquar nga zhelet e ronitura e të ndragura të ditëve, mujave dhe viteve. Kohë lakuriqe, a më kupton, lakuriqe si shtatoret e lashtësisë. Po, tamam, vërtet. Vërtet, tamam ashtu sikurse tashmë edhe ti je një shtatore, në një nga ata panteonët hijerërëndë, gati-gati të paafrueshëm falë hijes së tyre të rëndë, porse të stërnjohura këto hapësira ngrehinash monumentale nga të gjithë, ndaj dhe kjo letër që po të çoj nuk e ka adresën e marrësit, çka unë nuk e di, por që, edhe po ta dija, nuk do të kisha pse ta shkruaja, ngase gjithsesi kjo letër do të mbërrijë gjer në panteonin tënd, aty tek gjendet shtatorja yte.