Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 26 Pri 2024
E Shtunë, 22 Tetor 2011 22:19

Deminutivët në poezinë e Lasgushit

Njëra nga veçoritë gjuhësore dhe stilistike të poezisë së Lasgush Poradecit është edhe përdorimi mjaft i dendur i deminutivëve. Fillimisht shtrohet çështja nëse deminutivët do të mund të konsideroheshin si një

përbërës i rëndësishëm stilistik kundruar në kontekstin e totalitetit të veprës letrare, sidomos po të merret parasysh fakti se te ne, në të kaluarën, pak ose aspak janë trajtuar si të tillë? Lidhur me çështjen e vlerës së secilit përbërës një përgjigje e jep studiuesi i njohur Volfgang Kajzer: Synimi i shkencës së letërsisë, para së gjithash, është i orientuar në të kuptuarit dhe të interpretuarit e veprës letrare. Puna e tillë nuk synon që ta shqyrtojë veçmas secilën formë gjuhësore, por kontributin e saj për strukturën e gjithmbarshme të veprës letrare... Kjo bëhet bëhet me qëllim që të krijohet një pamje tërësore për veprën. Kjo punë, prandaj synon sintezën. Stili është term sintetizues për tërësinë në kuadër të së cilës hyjnë të gjitha format gjuhësore të një vepre. Pra, po qe se mbështetemi në kriterin kontribut i një forme gjuhësore, për të cilin bën fjalë Kajzeri, do të konkludonim se rëndësia e deminutivëve në kontekstin e trajtimit stilistik del e pashmangshme. Kjo gjë mund të pohohet më pak kur është fjala për dendurinë e fjalëve që marrin kuptim zvogëlues (sado që numri i tyre është i konsiderueshëm) dhe shumë më shumë për faktin se ato i japin një ngjyrim tërësisht të veçantë stilistik e gjuhësor poezisë së Lasgushit, ndaj vlera e tyre në rend të parë është funksionale.