Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 26 Pri 2024
E Hënë, 24 Tetor 2011 08:24

Nuriu

I burgosuri që mu afrua i pari, ditën që më zbritën nga qelia, i posadënuar, dhe hyra në kaush, ishte një burrë i shëndoshë rreth të dyzetepesave, gjysëm i thinjur, me syze me skelet katror e me xham të trashë që

tregonin miopi të theksuar. Ma shtrëngoi dorën fort me të dy të tijat dhe, me një buzëqeshje që i nxorri rruazat e dhëmbëve çuditërisht të rregullta mu prezantua me bindjen se do ta njihja: Nuri Sollaku. E kujtova menjëherë këtë emër të përmendur në familjen time. Ishte vëllai i një miku të tim eti për të cilin kisha dëgjuar se qe arrestuar para shumë vjetësh, kur unë isha ende fëmijë. Në zhargonin e burgut kaush përdorej për të emëruar ambjentin ku Drejtoria e Kampe Burgjeve mblidhte të porsadënuarit e tërë rretheve për t'i shpërndarë, pastaj, nëpër kampe burgjet e ndryshme të vendit. Kaushi ishte gjithashtu vendi ku sillnin edhe të dënuarit e vjetër kur i transferonin nga njëri kamp në tjetrin, kur i dërgonin në spitalin e burgut apo kur i thërrisin për ndonjë proces gjyqsor në Tiranë. Me një fjalë kaushi ishte stacioni i kryqëzimit në kryeqytet të të gjithë kampe burgjeve.