Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Martë, 30 Pri 2024
E Martë, 25 Tetor 2011 09:58

Ligjërimi i kombit në shkrimet e Faik Konicës

Faik bej Konica (1876-1942) është një figurë e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por edhe një figurë e lënë plotësisht në hije deri pak kohë më parë. Gjatë regjimit komunist mori damkën e reaksionarit dhe, për pasojë, mbi veprën e tij nuk mund të bëheshin studime.

Shkaku kryesor ishte se i shërbeu mbretit Zog si ambasador në SHBA. Vdiq në Washington në 1942 pas një jetë të tërë kushtuar çështjes shqiptare. Pas rënies së komunizmit dhe mbarimit të periudhës së izolimit për qindra mijra shqiptarë u hap rruga që të linin vendin, ndërsa për Konicën të vinte një herë e mirë në atdhe. Eshtrat e tij u sollën në Shqipëri në 1995. Varri i thjeshtë në parkun e liqenit të Tiranës ia përmbushi dëshirën e fundit për t'u varrosur në tokën amë.
Faik Konica ishte një personalitet krejt i veçantë i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, një njeri që iu fut me ndërgjegje të plotë qysh në të ri betejës për të zgjuar kombin shqiptar. Këtë betejë ai do ta zhvillonte sidomos në fushën e letrave dhe të gjuhës. Për këtë ndërmarrje ai i kishte armët që duheshin, para së gjithash kishte një shkollim për ta pasur zili. Kaloi nga shkolla jezuite në Shkodër në liceun perandorak në Stamboll, Universitetin e Dijon-it në Francë, për të përfunduar te Universiteti i Harvard-it në SHBA.