Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 26 Pri 2024
E Enjte, 27 Tetor 2011 20:44

Filippo Davoli: Poezi

Lindi në Fermo të Italisë, qytezë jo larg Anconës, më 1965. Këto poezi merren nga vëllimi i fundit me poezi i Davolit Zjarret (Shtëpia botuese L arcolaio, Forli , 2008).

Ja ç'thotë Lucia Tancredi për poetin, në hyrje të vëllimit me poezi: Një vëllim që grumbullon fragmente të admirueshme dalë drejt e nga zemrat e fëmijëve ekstrakomunitarë që kanë qenë nxënës të Filippos Filippo Davoli, babai-mësues, ai që u ka mësuar këtyre djelmoshave, që së shpejti do bëhen burra, italishten dhe poezinë e Dantes, do t'i shohë ata nesër që do largohen prej shtëpisë së tij. Por nuk do ketë frikë se ata do harrojnë vlerat morale dhe estetike të mësimeve marrë nga ajo terracë e pabesueshme në shtëpinë e Filippo Davolit në Macerata, që ka mbi krye veç qiejt nga ku e ke kollaj t'i drejtohesh gjithë botës me "ti" ...


Përktheu Eda Derhemi


Lulëzonte qershia. Dhe ishte vetëm
një degëz hollake atëherë.
Si mundet të kisha ikur prej aq shumë kohe,
kur prekjen e saj në duar ende e ndieja.
(Klajdi)

Unë një gocë që ma thotë e para,
Jo, atë , unë nuk e dua. Dua
Të gjej atë lloj distance
që prek thellë, e pastaj pret.
(Arbeni)


Këtë dhomë e lemë për babin dhe
mamin tim. Do zihen papushim,
Dhe kështu do jem i sigurtë se asgjë s u ndërpre,
që kur ikëm andej me tim vëlla.
(Almarini)


Jam mirë këtu mes të krisurish, xhaxha,
Dhe ti, më i krisuri mes tyre. Po, prapëseprapë
do më heqin këtej, mesa duket, më pret
mamaja. Dalim, xhaxha!
Shkojmë dhe shohim qiejt nga çatia.
(Alime)


Ne na ka rritur vetë jeta.
Unë me klarinetë i bëj hare vetes,
kur zemra më s më ndjek.
Këtu, si fillim, erdha për studime,
e ishte prapë jeta, që udhën ma ndërron.
Por klarineta, që vetëm s më le kurrë,
kur jeta më ngryset, me dritë ma ngjyros.
(Floriani)