Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Thursday, 02 May 2024
Monday, 31 October 2011 18:59

Poezi

Trëndafil i kuq


Mos më zgjoni kur shikoj retë;
një i huaj jam dhe unë. Gjithë
ç ndrydha thellë vetes
në brerimë shndërrohet
dhe, motër e dhembshur,
mollëzave të mia, gishtat
e trëndafiltë njelmon agullima.
Edhe unë, dherave, i huaj.
Të paktë janë ata që e dinë
(dhe asnjëri syresh botanist), por,
në të vërtetë, rrënjët e mia
janë petalet.

 

Xhelati i Shtjefënit nuk është më ...

pierwsza zasada strategii
trafna ocena wroga
Zbigniew Herbert, Potwór Pana Cogito

Xhelati i Shtjefënit nuk është më
mësuesi i gjeometrisë
dhe as sirena e alarmit ajror në mesnatë.
Xhelati i Shtjefënit nuk është ende
mendimi i së nesërmes
dhe frika prej së panjohurës
ende nuk është xhelati i Shtjefënit.
Shtjefënin s e pret njeri në atdhe,
Shtjefëni vazhdon të jetë beqar,
gazeta nuk lexon kurrë,
arti dramatik nuk i bën përshtypje.
Pra, xhelati i tij nuk, nuk ka sesi të jetë
brenga e mallit,
sherri i së shoqes,
rreziku i ri që iu kanoska atdheut,
mëdyshja hamletiane.
Xhelati i Shtjefënit është
diçka krejt e imët
dhe lozonjare,
një orë me zile.

 

Emigrantët të dielave paradite...

Emigrantët të dielave paradite
mblidhen në apartamentet përdhese
dhe, para tryezave me AMSTEL, HEINEKEN,
me kaçkavall, gogozhare e japrakë të konservuar,
përplasin gotat, zërin ngrenë duke shqetësuar fqinjët,
qeshin dikur emigrantët me të madhe,
qeshin aq fort, saqë u veton në sy
një bulëz mellan i tejdukshëm.