Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Shtunë, 27 Pri 2024
E Dielë, 13 Nëntor 2011 11:04

Ata të ankthit

Shqipëroi Redi Skënderi

Ndërkohë që njerëzit merreshin me fatin e tyre, punonin, flinin, ushqeheshin, bisedonin, një grup i vogël, i paisur me tru të veçantë, qëndronte mënjanë, në një cep, me fytyra gjithnjë serioze. Ishin ata që ndjenin ankth. Ndonjë qytetar që kalonte atypari i përshëndeste:

- Mirëmbrëma zotërinj, si po ia kaloni?
- Eh, si doni ju t ia kalojmë? Tërhiq e mos e këput - përgjigjeshin ata me një buzëqeshje të hidhur.
Kalimtari u ngulte sytë pyetës: - Gjithmonë ankthi?
- Eh, përgjigjeshin ata me një lëvizje të dorës, që donte të thoshte se kjo pyetje ishte e tepërt.
Kalimtari ndodhte të ndalonte: - Më falni, unë jam njeri i paditur, disa gjëra nuk i kuptoj mirë. Desha të them, a mund të ma bëni më të qartë këtë punë?
- Urdhëro.
- Po ja, dua të di, nga se ju vjen ky ankthi?
Ata buzëqeshnin me çiltërsi dhe pastaj i hidhni sytë njëri-tjetrit: Santa sempliçita, qofshin bekuar këta budallenj e të paditur. Pastaj përgjigjeshin:
- Ankthi nuk ka një shkak të vetëm. Ai ka shumë shkaqe.