Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Friday, 03 May 2024
Wednesday, 16 November 2011 08:26

Estetika në Bizant

Shkencat historike me orientim evropocentrik për një kohë të gjatë i janë përmbajtur një paragjykimi, sipas të cilit civilizimi bizantin ka qenë një lloj mishi i egër aziatik në tokën e Evropës.

Në të vërtetë, mendohej se Bizanti ka mbetur jashtë rrjedhave kryesore të historisë botërore dhe zhvillimit shpirtëror të njerëzimit, ndaj duhej të mbahej mend vetëm për të keq, si tradhtar dhe varr i Antikitetit. Përçmimi i historisë dhe i kulturës së tij arriti aso përmase saqë vetë nocionet Bizant  dhe bizantizëm u bënë sinonime të gremisjes, obskurantizmit, dogmatizmit, fanatizmit fetar, despotizmit të tipit oriental, etj. Së këtejmi, shumë nga ata që u morën me Bizantin shpeshherë ndjenin një lloj neverie para se të hapnin Arkën e Pandorës të ideve bizantine, të cilën Evropa moderne kish vendosur që ta flakte në harresë. Mirëpo, vija injoruese e demarkacionit ndaj atij mishi të egër aziat, u tregua në shumë raste - sa herë që hulumtimet përparonin - e paqëndrueshme dhe një konstruksion i dhunshëm, i menduar që barra e obskurantizmit mesjetar të binte kryesisht mbi Bizantin.