Libri i fundit i prof. Oliver Jens Schmitt është një ndër librat më të rëndësishëm për historinë e Shqipërisë. Kjo për arsyen se ai trajton një figurë si ajo e Gjergj Kastriot Skënderbeut, një ndër protagonistët e skenës politike të pjesës perëndimore të Ballkanit të mesit të shekullit të XV.
Â
Njëherazi ai ka qenë, dhe ende është, një ndër mitet themelues të kombit shqiptar. Për mendimin tim kjo vepër ka një rëndësi të dyanshme: 1- sepse ndriçon një periudhë të Mesjetës së vonë, për të cilën ne kemi pak njohuri, dhe për më tepër është një periudhë shndrrimesh rrënjësore që lidhen me fillimin e dominimit osman në Ballkan; 2- sepse zhvesh nga mbulesa e trashë e mitit një personazh si Skënderbeu dhe e vendos atë në sfondin e vet të kohës. Skënderbeu në këtë libër është një aktor politik në mozaikun e forcave dhe interesave politike të brëndshme dhe të jashtme. Në sajë të këtij libri, Skënderbeu zbret nga lartësia e figurës legjendare dhe vjen si një personazh tokësor. Ky aspekt i dytë mua më duket veçanërisht i rëndësishëm, sepse vetëm dekonstruktimi i figurave mitike mund të ndihmojë në njohjen e historisë.
Â
Â
Â