Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 26 Pri 2024
E Premte, 25 Shkurt 2011 10:13

Letërnjoftimi biometrik i emigracionit

Ky studim analizon dhe interpreton një kuadër të pasur të dhënash të kohëve të fundit për migracionin e periudhës së pas socializmit të shqiptarëve në Itali. Për nga numri, shqiptarët përbëjnë komunitetin e dytë të të huajve në Itali.

Gjithashtu, emigrantët e Italisë janë grupi i dytë më i madh midis atyre që emigruan nga Shqipëria pas vitit 1990. Statistikat më të fundit konfirmojnë rritje të mëtejshme të migracionit nga Shqipëria, gjë që tregon rëndësinë e veçantë të këtij segmenti të emigracionit tonë, edhe nëse kjo është vetëm për arsye sasiore. Emigracioni i shqiptarëve drejt brigjeve të Italisë mund të ndahet në pesë faza. Faza e parë, e korrikut 1990 ka të bëjë me të ashtuquajturën “Krizë të Ambasadave”, kur mijëra shqiptarë hynë në disa ambasada perëndimore dhe kërkuan azil politik. Faza e dytë konsistoi në dy eksode massive drejt brigjeve italiane. Faza e tretë konsiston në vitet e pas komunizmit, pas vitit 1991, kur Shqipëria po kalonte një tranzicion të vështirë ekonomik, politik dhe social. Faza e katërt i referohet krizës së thellë të 1997-s në Shqipëri. Faza e pestë është ende në vazhdim në formën e emigracionit të ligjshëm dhe të paligjshëm drejt Italisë.
Në Itali shumica e shqiptarëve jeton në veri të vendit. Të dhënat rikonfirmojnë prirjen e përgjithshme të shqiptarëve – që është e kuptueshme për shkak të tregut të punës dhe kushteve të jetesës – për të shkuar drejt rajoneve të veriut. Emigracioni shqiptar në Itali nisi si emigracion kryesisht i meshkujve, por rritja e përqindjes së grave po ekuilibron dinamikën gjinore. Në studim diskutohen shkaqet e ndryshme të rritjes së pranisë së femrave në emigracionin shqipar. Të dhënat për emigracionin tregojnë rëndësinë e lidhjeve familjare në kulturën shqiptare. Kjo konfirmohet drejtpërdrejt nga rritja e martesave dhe tërthorazi nga mosha e re e popullatës emigrante shqiptare. Kur kqyrim të dhënat për arsyet e qëndrimit të shqiptarëve në Itali, vëmë re se ndër arsyet kryesore është papunësia.
Shqiptarët në Itali i kaluan vitet ’90 nën njëfarë “ndalimqarkullimi” mediatik. Imazhi mediatik i shqiptarëve, i monopolizuar nga prostitutat, kriminelët, banditët, trafikantët e drogës, lypësat, dembelët etj, e detyroi “shumicën normale” të shqiptarëve të ndiqte taktikën e mirënjohur të “mimetizimit” etnik. Brenda pak viteve emri “shqiptar” u bë sinonim i krimit dhe dhunës, që mishëronte të Keqen dhe Frikën e një fantazie kolektive që ra pre e ankthit për të ardhmen. Në vitet që erdhën u vu re një zbehje e mitit mediatik negativ për shqiptarët, meqenëse lajmet e këtij lloji kaluan nga faqet e para tek kronikat e zeza të faqeve të fundit. Kjo periudhë përkoi me suksesin televiziv të disa artistëve shqiptarë, talentet e të cilëve treguan të kundërtën e thjeshtëzimeve dhe përgjithësimeve mediatike të mëparshme përsa i përket imazhit negativ të komunitetit shqiptar. Gjatë dekadës së parë të këtij shekulli, perceptimi i përgjithshëm i publikut italian kundrejt shqiptarëve është përmirësuar; vëmendja negative e mediave italiane sot është përqëndruar kryesisht tek rumunët, imazhi i të cilëve i ngjan gjithmonë e më tepër atij të shqiptarëve ne vitet ’90. Kjo nuk domethënë që imazhi i shqiptarëve në kujtesën kolektive është automatikisht dhe përfundimisht pozitiv.
Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet se imigrantët shqiptarë tani janë një përbërës i rëndësishëm i shoqërisë italiane. Në këtë moment madje edhe mund të thuhet se shqiptarët janë një nga grupet më të prirur për integrim, gjë që del qartë prej treguesve të ndryshëm siç janë numri i përgjithshëm, arsyet e qëndrimit në Itali, përqindja e familjeve, prania e grave, niveli arsimor, shkalla e lartë e frekuentimit të shkollës dhe, jo me më pak rëndësi, qasja e tyre ndaj kulturës së vendit të ri.