Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 26 Pri 2024
E Premte, 25 Shkurt 2011 10:15

Fenomenologji e brezit të parë të emigracionit: rasti i shqiptarëve të pas-socializmit në ShBA

Pothuajse gjysma e të gjithë shqiptarëve janë larguar nga vendi gjatë dy dekadave qysh prej rënies së komunizmit. Midis tyre, emigrantët në SHBA kanë qenë grupi i tretë për nga madhësia. Ky studim tregon dhe interpreton përvojat e këtij grupi emigrantësh të brezit të parë, dhe në të mbizotëron pikëpamja subjektive e autorit.

Reflektimet zhvillohen në dy linja kryesore: njëra përqendrohet tek veçantitë e emigracionit shqiptar në SHBA, në bazë të të dhënave statistikore dhe analizave historike të kushteve specifike të SHBA dhe Shqipërisë; tjetra përqendrohet tek natyra e përbotshme e fenomeneve sociale, psikologjike dhe kulturore që lidhen me emigrantët shqiptarë të brezit të parë, në bazë të analizave të përvojave, rrëfenjave personale dhe të kujtesës kolektive të diasporave.

Ndërmjet kushteve dhe tipareve specifike të grupit shqiptar që migroi në SHBA, në këtë studim i jepet rëndësi karakteristikave historike të SHBA si një vend emigrantësh që ka përvojë të gjatë ligjore dhe politike me trajtimin e komuniteteve migratore, rrugës së veçantë të migracionit të rregulluar dhe të kontrolluar, që në shumicën e rasteve është i bazuar në sistemin e llotarisë së kartës së gjelbër, si dhe pasojave të këtij lloji migracioni mbi dinamikat e grupit shqiptar përsa i përket edukimit, prejardhjes, dhe gjendjes ekonomike dhe asaj të punësimit. Tipare të tjera të hulumtuara të këtij grupi janë profili i vogël i migracionit shqiptar, krahasuar me grupe të tjerë më të mëdhenj emigrantësh me histori të gjatë (siç janë meksikanët) që kanë pasur një histori diskriminimi kulturor ne SHBA, prirja e grupit shqiptar për të lëvizur me hap relativisht të shpejtë drejt shtresës së mesme amerikane nëpërmjet mbajtjes së punëve të rregullta, edukimit, planifikimit të mirë ekonomik dhe kujdesit të veçantë për të fituar zyrtarisht shtetësinë. Tipare të tjera të diskutuara janë qëndrueshmëria e grupit, numrat tepër të pakët të kthimeve në Shqipëri, madje edhe pas pjesëtarëve të brezit të parë, si dhe shpërndarja e ekuilibruar gjinore.

Derhemi përqëndrohet sidomos tek dimensioni i dytë i artikullit, që hulumton përvojat ekzistenciale dhe prodhimet subjektive të kujtesave kolektive, mitet, ëndrrat e emigrantëve të brezit të parë, duke hedhur dritë si tek natyra e përbotshme e fenomenit, ashtu edhe tek veçantitë e emigracionit shqiptar pas viteve ’90. Pasiguritë e shablloneve ideologjike dhe kulturore të zhvilluara nga brezi i parë i emigrantëve shqiptarë në SHBA janë në qendër të kësaj pjese të studimit. Rikrijimi i vendit të origjinës, tani si konstrukt social dhe “atdhe i imagjinuar”, dhe rikonfigurimi i vetes dhe të tjerëve kundrejt atdheut të rikonstruktuar në mënyrë kolektive që rrezëllin prej së largu, nën efektin e kushteve komplekse psikologjike dhe social-historike, është njëri nga ligjërimet kryesore që krijojnë emigrantët e brezit të parë. Pjesa tjetër e strukturës ligjëruese varet nga ky ligjërim kryesor. Ne artikull analizohen mospërputhjet midis imazheve të ndryshëm të Shqipërisë, ose midis imazheve vetëndërtuara të shqiptarëve që u larguan dhe atyre që ndenjën. Derhemi ndjek mënyrat se si u është dhënë formë këtyre imazheve përfaqësuese brenda grupit të emigrantëve dhe në vendin e origjinës, dhe na paraqet dy mënyra tepër të ndryshme. Pavarësisht nga vendosmëria irracionale e brezit të parë për “të mos humbur vendin e të parëve”, dhe për të propaganduar epërsinë e tij të imaginuar, bashkë me të zhvillohet edhe një fenomen objektiv më realist: ai i distancimit dhe ftohjes midis dy grupeve përherë e më të ndryshëm nga njëri-tjetri, ai i shqiptarëve të Shqipërisë dhe ai i “diasporave të reja”. Ndërkohë që krijohen besnikëri të shumta ndaj vendit të origjinës dhe atij të ri, Derhemi vëren se si zbehet shqiptarësia e konstruktuar, gjuhësore, kulturore, reale apo si iluzion, nga brezi i parë në të dytin, sidomos në kushtet e mungesës totale të interesimit nga shteti amë për minoritetet e reja emigrante.

Studimi përfundon duke theksuar nevojën për kërkime që të kapëcejnë raportet e përcipta numerike për nevojat praktike të qeverisë, dhe ato të organizatrave ndërkombëtare, dhe që të përmbajnë studime më empirike, cilësore dhe të thella, të bazuara në metodologji moderne. Universitetet shqiptare, që sot nuk janë pothuajse fare të pranishme në ligjërimin ndërkombëtar akademik për migracionin shqiptar, duhet të bëhen më aktive dhe të zënë rol më qendror në të ardhmen.