Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 26 Pri 2024
E Premte, 25 Shkurt 2011 10:16

Delja e zezë mes nesh

Më 28 nëntor 2010, 52.9 % e votuesve zviceranë dhe 17 prej 24 kantoneve të Zvicrës votuan pro referendumit të Partisë Popullore Zvicerane (SVP) që bën thirrje për deportimin automatik të të huajve të dënuar për krime që shkojnë nga vrasja dhe përdhunimi e deri tek shitja e drogës dhe mashtrimi me sigurime shoqërore.

Në fushatën e referendumit kjo parti nxorri prapë në dritë afishet e debatuara të zgjedhjeve të vitit 2007, ku ishte vizatuar një dele e bardhë që shqelmonte një dele të zezë nga flamuri zviceran, një afishe që grupet e të drejtave të njeriut e dënuan si raciste. Ashtu si dhe në fushatën e vitit që shkoi, fushata e SVP e 2007-s bënte thirrje për më tepër sigurim.

22% e popullatës në Zvicër janë të huaj, ku përfshihen azilkërkues të kohëve të fundit dhe “të huaj” të brezit të dytë që kanë lindur atje. Fushatat e 2007-s dhe dhe 2010-s patën të përbashkët argumentin se të huajt mbanin përgjegjësi për një pjesë më të madhe se përqindja e tyre të kriminalitetit në Zvicër. Sipas Kristof Bloherit, nënpresident i SVP-së, të huajt zënë 54% të dënimeve për dëmtime të rënda fizike dhe 62% të dënimeve për vjedhje me dhunë. “E vetmja mënyrë për ta zgjidhur këtë punë është t’i detyrojmë ata të ikin nga vendi”.

Fjala “ata” kryesisht u përdor për të përshkruar në grup të veçantë etnik të viteve ’90: shqiptarët. Pas fillimit të luftës në Kosovë, shqiptarët erdhën në Zvicër. Kjo shënoi një erë të re në historinë e Konfederatës. Përpara kësaj kohe Zvicra kishte përzgjedhur me kujdes imigrantët në bazë të nevojave për fuqi punëtore, por në këtë periudhë Zvicra pati të bënte me një valë të re refugjatësh, kryesisht imigrantë politikë, që i trokitën në derë pasi u shkulën me forcë nga shtëpitë e tyre. Megjithëse Zvicra kishte pritur refugjatë politikë tamilë dhe kurdë, asnjëri prej këtyre grupeve nuk krahasohej me masën e imigrantëve shqiptarë: rreth 150.000.

Shkrimi “Delja e Zezë” e Albana Rexhepajt është një paraqitje e marrëdhënies së ndërlikuar midis emigrantëve shqiptarë dhe vendasve zviceranë. Ai përpiqet të shqyrtojë parashikimet e ndryshme që secila nga palët pati në këtë marrëdhënie, duke vlerësuar aspekte të ndryshme të saj. Autorja gjithashtu mundohet të kuptojë pse shqiptarët, që u vështruan gjerësisht si viktima të agresionit serb, u shndërruan në emigrantët më të urryer të Zvicrës. Çfarë e shpjegon ashpërsinë në rritje tek zviceranët kundër të huajve në përgjithësi dhe emigrantëve shqiptarë në veçanti? E në përfundim, kush ishte arsyeja e fuqizimit të SVP-së, që në më pak se dy dekada u bë partia më e fortë në skenën politike të Zvicrës?

Por, para së gjithash, “Delja e Zezë” është një rrëfenjë për marrëdhënien e ndërlikuar me Tjetrin që është i ndryshëm, me minoritetet, me Delen e Zezë. Autorja përkrah qëndrimin se të huajt duhen trajtuar më shumë si bashkudhëtarë se sa si ardhës. Kjo mund të kërkojë azhornimin e politikave aktuale të integrimit dhe do të nxiste në fund të fundit një politikë integrimi. Në një shoqëri ku të drejtat dhe përgjegjësitë janë të paraqitura dhe të shpërndara qartë, zhdukja e diskriminimit është krejt e arritshme.