Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Shtunë, 27 Pri 2024
E Premte, 30 Shtator 2011 21:23

Ende në liri të kërcënuar

Me përjashtim të ndokujt që ka vizituar Shqipërinë apo që të njeh personalisht, kur thua në biseda me të huaj se je shqiptar, shumicës prej atyre që e dinë se ç'është dhe ku bie Shqipëria u dalin menjëherë

parasysh anijet e rrëmbushura si miza në kërcu me refugjatë. Dyndalla e pabesueshme e këtyre njerëzve me pamje të palarë, të parruar e me dhimbje të egër në fytyrë, përpjekjet e tyre për të mbetur me çdo kusht mbi anije, ishin skena rrëqethëse që, për shkak të sencacionit që bënin, i transmetuan televizorët e të gjithë botës duke i paraqitur kështu shqiptarët si barbarë që po mësynin portat e qytetërimit.

Vetvetiu, gjatë atyre bisedave ku përmenden këto pamje, në kërkim të një identiteti më të mirë, të vjen të distancohesh prej tyre, por ndërkaq ndjen se ato janë një pjesë e jotja. Edhe kur përmend ndonjë vlerë tjetër, përmes të cilës mund të identifikohesh ndryshe, prapë e kupton se po flet për një trup të vetëm për të cilin më shumë nuk ka sesa ka kuptim të flitet duke ia karakterizuar gjymtyrët në më të mira ose më të këqia sepse, tekefundit, ai përfaqëson një diçka të vetme të pandashme.

Kur e vështron vëndin tënd nga dheu i huaj edhe epokat historike sikur ka një anë mjaft pozitive, pasi kështu arrin të kapësh më mirë ndërtimin kockor të vëndit tënd dhe, duke arritur këtë, arrin të bësh një ridimensionim të vlerave të tij, të bëhesh më i ndërgjegjshëm për atë që është e përbashkët për të gjithë dhe për atë që i përket grupimeve të veçanta, për atë që është e qëndrueshme dhe për atë që është krejt kalimtare, për atë që është thelbi dhe për atë që është dukja e gjërave.