Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Premte, 03 Maj 2024
E Shtunë, 08 Tetor 2011 21:21

Historia e filozofisë evropiane nga rilindja e këtej

Ndërsa etapat e para të filozofisë evropiane - të Antikitetit dhe Mesjetës - mbajnë vulën e dogmatizmit, d.m.th. të atij mendimi që beson në ekzistencën e një të vërtete të përgjithshme, universale dhe të domosdoshme si dhe në kërkimin e

një rendi të pandryshueshëm, mund të themi se periudha e filozofisë moderne, tablonë e së cilës do të paraqesim në këtë libër, përbën bash tipin e antidogmatizmit ose, më mirë të themi, të kriticizmit. Filozofi që e dominon këtë periudhë me gjithëfuqishmërinë e tij është Emanuel Kanti. Era moderne e filozofisë është era e saj kritike dhe nuk do të gabonim nëse do të thoshim se Kanti luan në këtë periudhë një rol të ngjashëm me atë ka luajtur Platoni në raport me Antikitetin dhe Mesjetën. Në vijim të kësaj ideje mund të themi se Sokrati modern është Dekarti. Dekarti është babai i filozofisë moderne thoshte Hegeli. Në fakt pa kartezianizmin kantizmi nuk do të kishte ekzistuar kurrë, veçse Kanti në tre kritikat e tij shkon shumë më tej se Dekarti. Prandaj mund të themi se, ndonëse kriticizmi ka ekzistuar avant la lettre, ndonëse shenjat paraardhëse të relativizmit ndjehen ç'prej Montenjit, era kritike e filozofisë moderne fillon duke nisur prej 1781-shit - data e botimit të parë të Kritikës së Arsyes së Kulluar.

TABLOJA E FILOZOFISË MODERNE do të paraqesë, pra, një sërë shkollash, gjysma e të cilave janë afirmuar përpara kantizmit, në kuptimin që e kanë përgatitur atë, e kanë paralajmëruar, na kanë çuar për tek ai, kanë pastruar terrenini për t i lënë vend që të ngrihen, më në fund, tre kryeveprat e filozofisë, që janë: Kritika e Arsyes së Kulluar (1781), Kritika e Arsyes Praktike (1788), Kritika e Gjykimit (1790). Ndërsa në të gjithë gjysmën e parë të shekullit XIX do të shohim lulëzimin e sistemeve të mëdha filozofike të cilët gurrojnë që të gjithë nga mendimi kantian; është fjala për teoritë e Hegelit, Fihtes, Shelingut, Shopenhauerit, Main de Brianit, të Ogyst Kontit dhe madje, në një farë kuptimi,edhe të Darvinit dhe të Spenserit.

Zëra të ngjashëm (sipas fushës)