Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Thomas Moore, William Blake, Karl Sandberg, Allen Ginsberg
E Premte, 26 Pri 2024

Thomas Moore, William Blake, Karl Sandberg, Allen Ginsberg

Poezi anglo-amerikane

E Dielë, 13 Nëntor 2011 10:57 Publikuar në Nr. 8

Shqipëroi Andi Bejtja

 

VARRI I SHQETËSUAR

(Baladë e vjetër anonime angleze)


Era lehtë po fryn sot e dashur
po rigon dhe pakëz shi;
Ngaher veç një të dashur kam pasur
Tani prehet nën dhè të zi.
Për të dashurën e vdekur do bëj
Aq sa ç mund të bëjë një i ri;
Do ulem dhe mbi varr të saj do qaj
për një vit e për një ditë .
Një vit e një ditë u mbushën plot,
E vdekura zu të flasë;
Oh, mbi varrin tim kush po derdh kaq lot
Dhe aspak nuk më le të flë?
Jam unë e dashur, mbi varr ulur
Të flësh aspak nuk të le, jo;
Të puth dua buzën e përbaltur,
Dëshirë sfilitëse kjo.
Ti do këto buzë të akullta;
Por goja më vjen era dhè;
Nëse puth buzët e përbaltura
dije, të gjatë nuk e ke.
Kujto kopështin e blertë i dashur
Ku ne shëtisnim lumturisht
Lulja më e bukur që pat çelur
Vyshkur është padukshmërisht.
Lulja u kalb e u tha i dashur
Dhe zemrat thahen po ashtu;
Kështu pra jetën gëzoje i dashur
Pa ardhur akoma këtu.

-----------
Thomas Moore


DRITA E DITËVE QË SHKUAN


Shpesh, në qetësin e natës
përpara se gjumi të më marrë
Kujtim i ëmbël sjell dritën
E ditëve që shkuan e vanë;
Dhe qeshjet dhe lotët
Kur isha i vogël
Fjalët e dashurisë në marri;
Sytë dritëmbushur
Tani shkëlqimhumbur
Zemrat gëzimplote thyer tani!
Dhe në qetësin e natës
Përpara se gjumi të më marrë
Kujtim i trishtë sjell dritën
E ditëve që shkuan e vanë.
Dhe i kujtoj gjithë miqtë
Krah për krah lidhur, me aq dashuri
I shoh më pas duke rënë
Ashtu si gjethet në një mot dimri
Dhe ndjehem i vetëm
Dhe eci po vetëm
Në salla banketesh shkretuar
Me drita nemitur
Gjithë lulet vyshkur
Të kaluarën për të harruar!
Por në qetësin e natës
Përpara se gjumi të më marrë
Kujtimi i trishtë sjell dritën
E ditëve që shkuan e vanë.


-----------------------
William Blake


IMAZH HYJNOR


Mizoria ka një Zemër Njerëzore
Dhe Xhelozia Fytyrë Njerëzore ka;
Terrori Formën Njerëzore Hyjnore
Dhe Fshehtësia vishet me Petk Njerëzor
Petku Njerëzor është Hekur i farkëtuar
Forma Njerëzore Farkë e zjarrtë
Fytyra Njerëzore një Furrë e mbyllur
Zemra Njerëzore një Grykë e uritur është.


-------------------


Karl Sandberg

NDOSHTA

Ndoshta ai ka besim tek unë, ndoshta jo
Ndoshta mund të martohem me të, jo ndoshta
Ndoshta era në stepë,
Puhia mbi det, ndoshta
Dikush, diku, ndoshta mund të pëshpërisëNë
shpatullat e tij do mbështes kokën
Dhe kur të më pyesë do t i them po,
Ndoshta


----------------

Allen Ginsberg

 

KËNGË


Pesha e botës
është dashuria
nën barrën
e vetmisë
nën barrën
e pakënaqësisë
pesha
që na rëndon
është dashuria.
Kush mund ta mohojë
Në ëndrra
ajo prek
trupin,
në mendime
ngre
mrekulli,
në imagjinatë
na ankthon
derisa lind
tek njeriu -
Shiko jashtë zemrës
që digjet dlirësisht -
sepse pesha e jetës
është dashuria,
dhe ne e mbajmë këtë peshë
ndonëse të kapitur,
që të mund të prehemi
në krahët e së dashurës
më në fund
që të mund të pushojmë në krahët
e së dashurës -
S'ka prehje
pa dashuri
s'ka gjumë
pa ëndrra
dashurie -
daç bëhu i çmendur, daç bëhu i akullt
bëhu maniak ëngjëjsh
apo maniak makinash;
por e fundit dëshirë e jotja
mbetet dashuria
-s'mund të jetë e hidhur
s'mund të mohoet
s mund të fshihet
edhe nëse mohoet;
Shumë e rëndë kjo peshë
- na është dhënë
njëherë e përgjithmonë
si mendimi
që jepet
në vetmi
me gjihtë shkëlqimin
e marrisë së tij.
Trupat e ngrohtë
shkëlqejnë së bashku
në errësirë,
dora shkon
drejt qendrës
së trupit
lëkura drithërohet
lumturisht
dhe shpirti shfaqet beftë,
gëzueshëm në sy -
po, po
Kjo është çka unë dëshiroja
Unë gjithmonë dëshiroja
të kthehesha
tek trupi
nga i cili Lindim.